Virgjiniteti, traditë apo frikë nga jondershmëria?

E publikuar: 31/03/2016 12:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nocioni i virgjërisë, në shumë kultura njihet si normë morale, veçanërisht në familjet me patriarkalitet të lartë, ku pozita e gjinive shtrihet në një stratifikim të theksuar. Në këtë rast viktimë e këtij stratifikimi është padyshim gruaja. Asaj, përveçse i mohohen të drejtat elementare, ajo bëhet edhe pre e këtyre traditave dhe zakoneve që hyjnizohen si vlera nga shumë shoqëri.

Ekzistojnë shumë arsye pse një femër me devotshmëri ruan virgjinitetin e saj. Ai, përveçse i nevojitet femrës si fuqi për të hyrë në jetën bashkëshortore, e bën atë edhe të mos “turpërohet” para familjes së saj dhe të burrit, me të cilën ajo do ta kalojë pjesën më të madhe të jetës së saj.

“Me t’u martuar, humba virgjinitetin”, thotë një grua 54 vjeçare, duke shtuar se “Nuk do të doja t’i falja dikujt tjetër përveq burrit tim”, sipas së cilës virgjëria ishte e krijuar prej Zotit, për t’ia falur vetëm burrit.

Të jesh e virgjër nuk do të thotë të jesh e ndershme, sikundër që të jesh e zhvirgjër nuk do të thotë të jesh e pandershme. Në shumë shoqëri bota mashkullore është e prirur që paprekshmërinë femërore, përherë ta lidhë me jondershmërinë. Në shoqërinë tonë ende ka një mendim kaotik sa i përket vajzave të zhvirgjëruara. Njëra palë akuzojnë, përderisa pala tjetër, sadoqë mundohen ta kalojnë këtë çështje dhe ta vështrojnë prej prizmit të modernes, megjithatë nuk mund të shkëputen plotësisht nga e vjetra. Të etur për ta shijuar “bukurinë femërore”, meshkujt kanë dëshirë që secila nga femrat që u pëlqejnë, të jenë “pre” e tyre. Ata, madje nuk brengosen, sepse nuk humbin asgjë nga vetja, nuk kanë “cipë”, sikundër që ka gjinia e kundërt. Kështu që, të rrallë janë ata meshkuj, për të mos thënë nuk ka fare, të cilët do të pranonin për grua të tyre një femër jo të virgjër. Sado që është avancuar mendimi për këtë fenomen femëror, megjithatë, evoluimi është më shumë simbolik se përmbajtësor.

“Natyrisht, ta keshë femrën e virgjër është një plus, sepse ke në dorë diç të paprekur, e që në mendjen e njeriut gjërat kësisoj konceptohen si më me vlerë”, thotë Arbeni (24 vjeçar), student. Ndonëse ai nuk e ka provuar, nuk është i sigurt se si do të kishte reaguar nëse femra e tij do të dilte jo e virgjër. “Sinqerisht nuk e di, është problem që është rrahur pak edhe në aspektin e njohurive të përgjithshme, prandaj nuk mund ta imagjinojë reagimin tim”, sqaron Arbeni. Për dallim prej tij, Blerimi (25), pohon me gojën plot dhe me vendosmëri se nuk do të kishte pranuar që një femër “e provuar” nga dikush tjetër, të jetë pjesë e tij.

Gjinitë duke iu nënshtruar një edukimi tradicional, pak dallojnë njëra prej tjetrës, kështu që ky dallim është më shumë çështje interpretimi se sa e mendimit ndryshe. Kjo qëndron mbi bazën e mitizimit të disa “vlerave”, të cilat shoqëritë moderne që moti i kanë gëlltitur.