Aleanca ka publikuar një video, përmes së cilës, është paraqitur një situatë që sipas kësaj partie, është montuar edhe është postuar në rrjete sociale.
Në video, sipas Aleancës, paraqiten pamjet reale dhe ato që sipas saj, më pas u montuan dhe qëllimisht u shpërndanë në rrjete sociale.
“Shikoni edhe vet se si e kanë montuar paraqitjen e nënkryetarit të parë të Aleancës dhe shefit të grupit parlamentar, Besnik Tahiri, që në seancën e fundit, po kërkonte që Qeveria të ndryshojë strategjinë për investime energjetike.”, thuhet në reagimin e Aleancës.
Partia e udhëhequr nga Ardian Gjini ka thënë se kjo është pasqyra më e saktë e kësaj shumice, që armën më të fortë e kanë propagandën.
“Propagandë e ndërtuar me montazha amatoreske, që shpërndahen nga faqe të ndryshme në rrjete sociale. Këtë e kanë forcuar edhe më fortë me benefitet e pushtetit, me që punën për t’ua ndryshuar për të mirë jetën qytetarëve, e kanë treguar tash e gjashtë vite që nuk duan apo nuk dinë ta bëjnë. Kërkesa e Aleancës, e paraqitur nga nënkryetari Tahiri, është që Kosova të fillojë punën për krijimin e rastit, ‘the Energy Case of Kosova’, në mënyrë që të kthehen burimet dhe të përdoren kapacitetet tona energjetike. Kur mjeti më i fortë mbetet propaganda, atëherë pushteti veç po tregon që është i dorëzuar pranë gjendjes reale, që Aleanca do të vazhdojë ta bëj të ditur çdo ditë përmes të gjitha mekanizmave.”, thuhet tutje në reagimin e Aleancës.
































