Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka evidentuar mangësi të shumta në ekzekutimin e urdhëresave të gjykatave në 13 stacione policore, përfshirë vonesa disavjeçare, mungesë të veprimeve operative dhe komunikim të pamjaftueshëm me gjykatat, raporton Infosot.
Sipas raportit të inspektimit, performanca e këtyre stacioneve ka mbetur dukshëm nën mesataren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa në disa raste janë evidentuar edhe dyshime për vërtetësinë e raporteve policore të përdorura për të dëshmuar veprimet e ndërmarra në terren.
IPK ka bërë të ditur se inspektimi është iniciuar me kërkesë të kryeshefit ekzekutiv, Kushtrim Hodaj, me qëllim të vlerësimit të performancës dhe efikasitetit të njësive policore në zbatimin e urdhëresave gjyqësore.
Inspektimi është zhvilluar në stacionet policore në Dragash, Ferizaj, Graçanicë, Gjilan, Han të Elezit, Kamenicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Ranillug, Skënderaj, Viti dhe Vushtrri, ndërsa periudha e mbuluar nga raporti përfshin vitet 2024 dhe 2025.
Sipas raportit, gjatë vitit 2024, shkalla mesatare e ekzekutimit të urdhëresave gjyqësore në nivel vendi ishte 79 për qind, bazuar në të dhënat e 36 stacioneve policore. Pesë stacione të tjera nuk janë përfshirë në këtë përllogaritje, për shkak se të dhënat e tyre janë vlerësuar si të paqëndrueshme.
Në mesin e 13 stacioneve të inspektuara, shkalla e ekzekutimit të urdhëresave gjatë vitit 2024 ka variuar nga zero deri në 70 për qind. Rezultatin më të dobët e ka shënuar Stacioni Policor në Ranillug, me zero për qind, ndërsa Dragashi ka pasur rezultatin më të lartë në këtë grup, me 70 për qind.
IPK ka konstatuar se as gjatë vitit pasues këto stacione nuk kanë arritur t’i afrohen mesatares së përgjithshme prej 79 për qind. Nga 13 stacionet e analizuara, shtatë kanë shënuar rënie të performancës, pesë kanë shënuar përmirësim, ndërsa një ka ruajtur të njëjtin nivel.
Gjatë inspektimit, IPK ka shqyrtuar 227 dosje të urdhëresave gjyqësore, duke identifikuar raste kur veprimet policore kanë munguar për periudha të gjata, madje edhe për vite me radhë. Në disa dosje nuk janë gjetur raporte për veprimet e ndërmarra, ndërsa në raste të tjera mungonin dëshmitë se gjykatat ishin njoftuar për rezultatet e punës së policisë.
Raporti evidenton gjithashtu vonesa të konsiderueshme në reagimin ndaj kërkesave të gjykatave. Në Stacionin Policor në Gjilan, për shembull, është identifikuar një rast kur për më shumë se dhjetë vjet nuk është evidentuar ndonjë veprim i mëtejmë për realizimin e një letërreshtimi, i cili më pas kishte parashkruar. Në Ferizaj, nga 29 dosjet e kontrolluara, gjykatat ishin njoftuar zyrtarisht vetëm shtatë herë.
Mangësi janë evidentuar edhe në cilësinë dhe besueshmërinë e dokumentacionit policor. Sipas IPK-së, në disa stacione janë gjetur raporte të pretenduara për veprime në terren, të cilat nuk figuronin në dosjet përkatëse të gjykatave. Këto mospërputhje kanë ngritur dyshime lidhur me vërtetësinë e veprimeve të dokumentuara dhe kohën e hartimit të raporteve.
Raste të tilla janë evidentuar në stacionet policore në Graçanicë, Novobërdë, Ranillug dhe Skënderaj. Në disa raste të tjera, zyrtarët policorë kishin përdorur shënime në fletë të bardha në vend të raporteve zyrtare, ndërsa dokumentacioni shpesh ishte i mangët, pa të dhëna të rëndësishme si data, ora apo informacione të mjaftueshme për veprimet e kryera.
IPK ka vlerësuar se komunikimi jo i rregullt me gjykatat, mungesa e përcjelljes së vazhdueshme të urdhëresave dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme menaxheriale kanë ndikuar në efikasitetin e këtij procesi.
Megjithatë, raporti evidenton edhe praktika më të mira. Në Stacionin Policor në Vushtrri, dokumentacioni është vlerësuar si më i sistemuar dhe më lehtë i qasshëm, ndërsa është konstatuar se për çdo veprim të ndërmarrë nga zyrtarët policorë në terren ishte njoftuar gjykata kompetente. Pavarësisht kësaj, edhe në këtë stacion janë evidentuar disa mangësi në vazhdimësinë dhe kohën e realizimit të urdhëresave.
Për adresimin e problemeve, IPK u ka rekomanduar komandantëve të stacioneve të inspektuara që të sigurojnë ndërmarrjen në kohë dhe në vazhdimësi të veprimeve për ekzekutimin e urdhëresave, të përmirësojnë dokumentimin e aktiviteteve policore dhe të njoftojnë rregullisht gjykatat për rezultatet, pamundësinë e ekzekutimit dhe arsyet përkatëse.
Po ashtu, IPK ka kërkuar forcimin e mbikëqyrjes menaxheriale, standardizimin e evidencave dhe raportimit, si dhe sigurimin e saktësisë dhe verifikueshmërisë së dokumentacionit.
Rekomandime u janë drejtuar edhe drejtorëve rajonalë të policisë në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë të Jugut, Ferizaj dhe Prizren, të cilëve u është kërkuar të forcojnë mbikëqyrjen dhe të kërkojnë llogaridhënie nga menaxherët e stacioneve policore për nivelin e ulët të realizimit të urdhëresave gjyqësore.
Sipas IPK-së, përmirësimi i këtij procesi kërkon masa konkrete dhe të qëndrueshme, në mënyrë që urdhëresat gjyqësore të trajtohen me kohë, veprimet policore të dokumentohen siç duhet dhe komunikimi me gjykatat të jetë i rregullt dhe i verifikueshëm.


































