Në njëfarë momenti jo shumë pasi foshnja është lindur, pothuaj çdo baba i ri pëson një goditje të mprehtë të realitetit. Ai tashmë është baba, me përgjegjësi të reja, presione dhe pritshmëri të reja. Me sa duket ky pagëzim themelor vjen herët për disa prej nesh, para se të largohemi nga spitali. Për të tjerë, realiteti mundet që të mos shfaqet për pak ditë. Herët a vonë ne të gjithë arrijmë të kuptojmë që jetët tona kanë ndryshuar përgjithmonë. Disa herë ndryshimet janë të buta, disa herë jo dhe aq. Por pothuaj gjithmonë ato janë befasuese.
1- Konfuzion
Emocione që kundërshtojnë njëri tjetrin ndajnë muajt e parë të atësisë nga vitet pasues. Nga njëra anë është ndjesia e burrërisë, fuqisë dhe krenarisë për krijimin e një jete të re. Nga ana tjetër janë ndjenjat e pafuqisë kur ju nuk mundeni të kënaqni (apo ndonjëherë madje edhe t’i kuptoni) nevojat e foshnjës tuaj.
2- Një lloj i ri dhe i ndryshëm i dashurisë
Nuk ka krahasim dashuria tërësisht konsumuese për fëmijën tuaj me dashurinë për cilindo person tjetër.
3- Ambivalenca
Një ditë ju shikoni foshnjën tuaj dhe kuptoni që pasioni i fortë që keni ndjerë një ditë më parë është zëvendësuar nga një ndjenjë e mpirë dhe e zbrazët. A e njihni ju këtë fëmijë? A merakoseni për të? Ju do të ndjeni që e fusni në thes të gjithë këtë gjë prej babai dhe po filloni një jetë të re diku gjetkë. Shanset janë që gjëja tjetër që do të ndjeni është një faj i jashtëzakonshëm. Në fund të fundit, në qoftë se ju nuk do të jeni tërësisht 100% i dashuruar me fëmijën tuaj, ju nuk do të jeni baba i mirë, vërtet? Gabim. Ambivalenca është një pjesë normale e të qenit baba dhe ju do të keni të njëjtën ndjenjë me dhjetëra herë gjatë pesëdhjetë vjetëve që pasojnë. Pra, mësohuni me të.
4- Depresioni
Megjithëse shumica e njerëzve mendojnë se mërzia e paslindjes është një gjë e grave, shumë burra bien në depresion pasi lind një fëmijë i tyre. Ndryshe nga mërzia e partneres, mërzia e tyre nuk është me bazë hormonale, por më shumë ka të bëjë me kthimin në realitet. Kur ishit një baba në pritje, njerëzit ju kushtonin më shumë vëmendje, por pas pak javësh juve iu duhet t’i ktheheni punës, plus që do t’ju duhet të merreni edhe me ndërprerjet e gjumit të natës dhe përgjegjësi të reja.
5- Frika
Muajt e parë të atësisë janë të ngarkuar me frikë. Që ju mund të mos jeni i aftë të përmbushni pritshmëritë tuaja për atë çfarë do të thotë të jesh baba, që mund të mos jeni në gjendje ta mbroni fëmijën apo familjen tuaj, që mund të mos jeni në gjendje të siguroni çfarë duhet për familjen, që mund të mos dini çfarë të bëni me fëmijën tuaj, që ju mund të jeni tepër ose jo mjaftueshëm, i ngjashëm me babanë tuaj, që ju keni bërë një gabim të tmerrshëm. Kjo frikë dhe shumë të tjera janë pjesë normale e kalimit nga një burrë e bashkëshort në baba.
6- Marrëdhënia me partneren tuaj
Para se të bëheshit prindër, ju dhe partnerja juaj kalonit shumë kohë së bashku, duke u kujdesur për njëri tjetrin dhe duke e forcuar marrëdhënien tuaj. Por pasi shfaqet foshnja çdo gjë ndryshon. Tashmë fokusi i pothuaj çdo gjëje që bëni është fëmija juaj. Mezi keni kohë të flini, e le më pastaj të bëni gjëra që ju kanë bashkuar me partneren tuaj. Në qoftë se mundeni, përpiquni të gjeni ca kohë, qoftë edhe pak minuta gjatë ditës për të biseduar me partneren rreth ndonjë gjëje tjetër veç fëmijës.
7- Bashkëveprimi me fëmijën tuaj
Për gjashtë deri tetë javë foshnja juaj ndoshta nuk reagon shumë për atë çfarë ju bëni si baba. Disa buzëqeshje, jo të qeshura, jo shumë përgjigje. Në fakt pothuaj çdo gjë që ai bën është të qajë. Është e lehtë të merren “opinionet” e tij paksa shumë seriozisht, të interpretohet mungesa e entuziazmit të tij si një lloj përgjigje për përshtatshmërinë tuaj si baba. Mos e bëni këtë. Në qoftë se ju tërhiqeni, këtë gjë do të bëjë edhe foshnja juaj. Pra, rrini pak më gjatë me të; ia vlen të prisni.
8- Temat e bashkëbisedimit
Në qoftë se ndokush do t’u thoshte një vit më parë që do të bashkëbisedonit për një kohë të gjatë me shokët për të vjellat, gjinjtë që pikonin, epiziotomi-të, dhe ngjyrën e përmbajtjen e një pelene, ju do të kishit qeshur si budalla. Por po e bëni këtë tani, apo jo? Dhe e bëni me dëshirë.
9- Logjistika e të qenit prind
Para se të bëheshit prind, bërja gati për t’u larguar nga shtëpia do të thoshte të merrnit portofolin dhe çelësat e makinës dhe të siguroheshit që soba ishte e fikur. Tashmë, nisja për një xhiro deri tek dyqani i ushqimeve bashkë me foshnjën tuaj, kërkon kaq shumë planifikim sa edhe një ekspeditë në mal. Dhe kur mendoni se e keni vënë gjithçka nën kontroll, foshnja jua i mbush pelenat kur sapo jeni duke dalë nga dera.
10- Mësime për dashurinë
Ndërsa po mësoni të kuptoni shenjat që ju jep foshnja juaj dhe të plotësoni nevojat e saj, ajo po fiton koordinimin fizik për të shprehur dashurinë për ju në mënyrat më të habitshme. Herën e parë që ai gugat ose ju përqafon apo bie në gjumë në krahët tuaj duke ledhatuar i hutuar supin tuaj, atëherë ju do të zbuloni domethënien e vërtetë të dashurisë.