Në një kohë kur kinemaja shqiptare prej më shumë se 20 vitesh ka një rendje drejt temave të mëdha historike (zgjedhje e cila ka pasur kritika), “DigitAlb” kërkon ta çojë kinemanë te historitë që bëjnë të përditshmen tonë. Duke e parë kinemanë si diçka të lidhur thellësisht me njeriun, komedia më e fundit, prodhim i “DigitAlb”, “Seks, përrallë dhe celular”, është një ndër ato histori që të gjithë do të donit ta shihnit në ekranin e madh të kinemasë. Dy ditë më parë, kjo vepër pati premierën për të vijuar rrugëtimin e saj çdo ditë në të gjitha kinematë në Tiranë, Shkodër dhe Prishtinë. E bazuar në veprën “Harroje dashurinë” nga Erion Kame, skenari në këtë film është një bashkëpunim mes Kames, Genc Përmetit dhe Thomas Logorecit. Regjia është realizuar nga Erion Bubullima, i cili vjen edhe si aktor në këtë film, ndërsa muzika është realizuar nga Genti Lako. Të gjithë komponentët në film duken të realizuar, duke e bërë komedinë të duartrokitet gjatë nga publiku pas premierës. Historia e veprës duket e thjeshtë, por përmban të gjitha elementet e jetës moderne, e shqetësimeve që çdo kush mund t’i ketë në jetën e tij private. Dhe pse është në zhanrin e komedisë, një zhanër i lëvruar nga Kame, ajo vjen për të shpalosur dramacitetin e qenies njerëzore. Në qendër të filmit është historia e Kujtimit (interpretuar nga Genc Fuga), një shkrimtar për fëmijë, që e ka të pamundur të funksionojë në një shoqëri, e cila është larg ideve të tij romantike. Ai pëson një amnezi të përkohshme, e cila e bën të rishikojë marrëdhënien me bashkëshorten që e tradhton sistematikisht, partnerët e së cilës përdorin të gjitha mënyrat për ta zhvatur, si dhe miqtë e vjetër që e keqtrajtojnë, nën një këndvështrim të ri.
Kujtimi ka trashëguar shumë prona nga i ati dhe çdo mëngjes pa zbardhur mirë dita ai del nga shtëpia për të bërë vrap nga Kodrat e Liqenit. Ndërkohë që ai bën vrap, Marina, gruaja e tij, e tradhton me Rudin, një burrë i martuar me një grua që mbulon financat e tij. Qëllimi i Rudit, përveçse t’i marrë Kujtimit gruan, është dhe t’i marrë disa nga pronat. Në një nga ditët e vrapit ai kthehet më herët në shtëpi, ndërkohë që Rudi është ende aty. Marina insiston që Kujtimi të bëjë dush, ndërkohë që ai kërkon celularin dhe kjo e çon në një debat nervoz, e cila i drejton te fabula e gruas xheloze që kontrollon burrin nëpërmjet celularit. Ndërkohë Rudi është duke jetuar një marrëdhënie të tensionuar në martesën e tij, me një grua xheloze dhe posesive. Një telefonatë e saj, ndërkohë që ai ndodhej te Marina, bën që ai të harrojë ku ndodhet dhe të përgjigjet … Kjo situatë e çon Kujtimin në një shock … Këto janë vetëm disa detaje nga një histori e cila vazhdon plot tension të asaj çfarë do të sjelli vazhdimi i ngjarjeve. Loja me historinë në këtë film e bën atë tepër interesant për shikuesin.
Nuk është vetëm problemi i raporteve mes çifteve, tradhtive apo humbjes së ekuilibrave në familje që trajtohet, por dhe çështja e pronave apo karaktere të veçanta, siç është Kujtimi protagonisti i filmit. Skenaristët janë përpjekur ta bëjnë këtë komedi një përfaqësuese të jetës moderne shqiptare. Nuk mungon aty as deputeti, përplasjet me policinë për pronat …
Për regjisorin Bubullima, vetë titulli i komedisë përmban të gjitha elementet që përshkojnë filmin. “Seks, përrallë dhe celular”, sepse janë tri elementet kryesore që shkaktojnë të gjitha keqkuptimet që kthehen në komicitet në gjithë historinë e filmit. Seks, sepse është një histori me ngatërresa seksuale, përrallë, sepse protagonisti është një personazh naiv dhe shkruan libra për fëmijë dhe celular, sepse çdo keqkuptim ndodh nëpërmjet telefonatave”, thotë Bubullima. Në role në këtë film interpretojnë aktorët: Genci Fuga, Genti Kame, Egla Ceno, Arjola Basho, Kastriot Shehi, Gëzim Rudi, Alfred Trebicka, Myzafer Zifla, Gjergji Trola, Gert Ferra, Eni Jani, Devis Muka, Albana Kocaj, Bora Zemani etj. Personazhi kryesor në këtë film zbulon pjesë të reja të realitetit dhe kupton që sinqeriteti nuk është arma për të luftuar hipokrizinë shoqërore. Ai e sheh që i duhet të marrë vendime të rëndësishme për jetën e tij, pasi duke jetuar si artist kupton se nuk është i respektuar nga shoqëria. Shokët e fëmijërisë së Kujtimit bëjnë prologun e gjithçkaje, Gabrielle përfundon në Brindisi ku përfshihet në biznese të reja, Rudi lidhet me Devin, Marina me deputetin dhe Kujtimi që, pasi kuptoi se për të funksionuar në shoqërinë e sotme do i duhej të sakrifikonte disa nga parimet që ishte rritur më në fund konvertohet në një njeri të suksesshëm. Filmi mund të shihet në kinematë në kryeqytet, Shkodër dhe Prishtinë dhe është prodhim i “DigitAlb”, Kinostudio “Dardan”, SKA-NDAL production, RTSH dhe me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë./ Gazeta – Shqip