Jam 30-vjeçar. Punoj menaxher në një hotel. Qe tre vjet jam në kontakt me një grua të martuar. Vetë ishte e interesuar për mua. Numrin e saj të telefonit ma dërgoi për një punëtor timin, kamerier. Dhe, gjithçka filloi shumë shpejt…
Ishte interesante se asnjëri nuk dinim për tjetrin se ishim të martuar, derisa unë vetë i thash se jam i martuar dhe i kam dy fëmijë. Por, pas shumë takimeve e telefonatave u dashuruam shumë njëri me tjetrin. E donim shumë njëri- tjetrin. Vendosëm ta forcojmë lidhjen tonë edhe më shumë, ani pse ajo pas një kohe më tregoi se ishte e martuar dhe se e kishte një vajzë.
Dy vjet kaluam pa na hetuar askush. Më donte dhe e doja shumë. Më ndihmoi në shumë aspekte. Vendosëm t’i braktisnim unë gruan e ajo burrin. Donim të iknim bashkë në një shtet tjetër, por bëra një gabim dhe më hetoi gruaja ime, e pastaj edhe familja. U shkatërrua gjithçka. Kishim shumë fjalë e kërcënime të mëdha, sepse u mor vesh gjithçka…
Nuk është se nuk e kam dashtë gruan time, por ajo bën shumë gabime dhe nuk më ka respektuar kurrë si burrë e as familjen time. Kohë më parë më kërcënoi edhe me vdekje, e po qe se largohem prej saj do më vras. Sidoqoftë, më dhimbsen bijat e mia, sepse i dua shumë…
Për një kohë të shkurtër u ndamë me të dashurën time… Nuk patëm më asnjë kontakt… derisa pushuan fjalët. Ajo shkoi në pushim me burrë. Pas dy javësh u paraqit, sepse ishte e shqetësuar.
Kur u kthye nga pushimi u morëm vesh të kontaktonim fshehurazi. Takoheshim në lokalet ku mendonim se nuk na njihte askush. Dhe, takime të tilla patëm derisa ajo shkoi jashtë Kosovës.
Mirëpo, edhe pse ajo tash është jashtë vendit e unë në Kosovë, përsëri duhemi dhe nuk e dua askënd më shumë se atë… Jam në gjendje me bërë gjithçka për të. E kam vështirë të jetoj larg saj, sepse s’ka çast që nuk e kam para syve, në mendje, në shpirt…
Andaj, s’ka ditë që nuk e lus Zotin t’më kthehet sa më parë… Sepse, vetëm kur isha me të e kuptova se ç’vlerë ka jeta…/Kosovarja/