SHBA: Hyjmë në luftë nëse preken ushtarët tanë nga konflikti Izrael-Hamas

E publikuar: 23/10/2023 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara presin që lufta mes Izraelit dhe Hamasit të përshkallëzohet mes rrezikut të përfshirjes së Iranit, dhe paralajmëruan se administrata Biden është e përgatitur të ndërhyjë nëse nga luftime të tilla preket personeli amerikan apo forcat e armatosura.

Pohimet i bënë vetë sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe ai i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Edhe pse nënvizoi se Amerika nuk dëshiron ashpërsimin e situatës, është e përgatitur për të.
“Kjo nuk është çfarë duam ne, as çfarë kërkojmë. Ne nuk duam përshkallëzim. Nuk duam që të hapet zjarr ndaj forcave apo personelit tone. Por, nëse kjo ndodh, jemi gati të ndërhyjmë”, tha Antony Blinken.

Austin, pohoi po ashtu se po e shohin me kujdes mundësinë e përshkallëzimit ndaj trupave dhe njerëzve tanë në rajon”. “Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë të vetëmbrohen dhe ne nuk do të ngurrojmë të ndërmarrim veprime të duhura”, tha ai.

Paralajmërimet e zyrtarëve të lartë amerikanë vijnë në kohën kur konflikti mes Hamasit dhe Izraelit, i nxitur nga sulmi i përgjakshëm i grupit militant Islamik në 7 tetor, po hynë në javën e tretë, e nuk ka asnjë shenjë qetësimi. Shteti hebre këtë radhë duket i vendosur ta çrrënjosë Hamasin përfundimisht.

Lufta e Ushtrisë Izraelite në Rripin e Gazës mund të zgjasë “dy deri në tre muaj” dhe “pasi të përfundojë ajo, nuk do të ketë më Hamas”, deklaroi Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant.“Sa i përket anëve operacionale të manovrimit, në fund të fundit, asgjë nuk do t`i ndalë forcat izraelite të mbrojtjes. Është një përzierje e dy gjërave: aftësive tona ajrore dhe manovrimeve tokësore”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant.

Një pushtim tokësor i Rripit të Gazës mund të jetë i pashmangshëm, edhe pse trysnia ndaj izraelit është e madhe që të mos e ndërmarrë inkursionin, pasi kjo rrezikon shtrirjen e konfliktit më gjerë në rajon. Avionët luftarakë izraelitë i vazhduan bombardimet mbi Rripin e Gazës gjatë fundjavës, e sulmuan dy aeroporte në Siri dhe një xhami në Bregun e pushtuar Perëndimor, me pretendimin se përdorej nga militantët, ndërsa ushtria izraelite shkëmbeu zjarr edhe grupin militant të Libanit, Hezollah, duke i vrarë atij gjashtë luftëtarë.