Qeveria Kurti merr goditjen e parë gjyqësore në përpjekjen për mbylljen e Klan Kosovës

E publikuar: 03/08/2023 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Klan Kosova shënoi sot fitoren e parë në betejën gjyqësore me Qeverinë e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti pa dështimin e parë në qëllimin e deklaruar hapur për ta mbyllur menjëherë televizionin.

Gjykata Komerciale ka vendosur në favor të Klan Kosovës, duke e evituar të paktën përkohësisht mbylljen e televizionit. Gjykata e shkallës së parë vendosi masë të përkohshme, duke garantuar funksionimin e televizionit deri sa të marrë vendim përfundimtar për rastin.

Ky vendim mund të përkthehet si dështimi i parë në përpjekjen e Qeverisë Kurti për ta mbyllur Klan Kosovën. Kryeministri Albin Kurti e kishte marrë përsipër qëllimin për t’ia vënë menjëherë drynin televizionit që mund ta konsiderojë vendimin e sotëm si fitoren e parë në këtë betejë me Ekzekutivin.

Në kundërshtim me reagimet e ndërkombëtarëve të shqetësuar për rastin, Kurti më 29 korrik konfirmoi se qëndron në krye të përpjekjes qeveritare për mbylljen e shpejtë të televizionit, me arsyetimin se zbatimi i ligjit kundër biznesmenëve që e shkelin atë për përftime financiare, nuk nënkupton sulm ndaj lirisë së mediave.

“Kosova i ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti kryesor i të cilave është media, dhe 114 kompani të licencuara audio-vizuele. Zbatimi i rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, ‘jo teknikalitet’. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk e kërcënon pluralizmin medial”, pati thënë Kurti përmes një reagimi në Twitter. Ai shprehej se në vendet demokratike, institucionet e autorizuara për t’i trajtuar këto raste nuk janë pjesë e Zyrës së Kryeministrit, por që ato e kanë përkrahjen e plotë të Ekzekutivit.

Çka u vendos dhe çfarë mund të ndodhë?

Gjykata Komerciale e aprovoi si të bazuar kërkesën e Klan Kosovës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kundër televizionit.

Pasi shqyrtoi pretendimet e televizionit, Gjykata vlerësoi se “në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar të njëjtën pasi që paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm i cili vështirë do të riparohej”. Gjykata po ashtu vlerëson se televizioni “ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare”, pra, Qeverisë.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, i tha Gazetës Express se vendimi është “shumë sqarues dhe argumentues” dhe se ai “nuk lë hapësira për interpretime apo dyshime”.

“Vendimi i Gjykatës Komerciale në mënyrë të argumentuar e arsyeton vendimin lidhur me suspendimin e Vendimit të Komisionit për Ankesa në MINT lidhur me mbylljen e mediumit KlanKosova. Vendimi është shumë sqarues dhe argumentues dhe nuk lë hapësira për interpretime apo dyshime lidhur me rëndësinë që ky vendim ka për lirinë e medias dhe demokracinë në Kosovë, duke evituar dëmet e pariparueshme që mund të kishte nëse vendimi i MINT do të mbetej në fuqi”, tha Miftaraj.

Ministria e Industrisë kishte ngritur kallëzim penal ndaj Klan Kosovës dhe zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, me pretendimin se në certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë – Serbia” dhe “Gjakovë – Serbia”. Komisioni i Pavarur për Media i dha televizionit 30 ditë afat për ta plotësuar dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës. Sipas televizionit, kjo u bë, ndërsa sipas palës kundërshtare, kjo s’ishte bërë ende.

Por, Gjykata sot i dha një vlerësim kësaj çështjeje, në arsyetimin e vendimit.

“Meqenëse në rastin konkret sipas certifikatave të përshkruara më lartë, rezulton se paditësit ka bërë ndryshimet në regjistrat e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese nuk bie ndesh me interesin publik”, thotë Gjykata Komerciale në arsyetimin e vendimit.

Kjo ndoshta mund të konsiderohet si bazë për të besuar se edhe vendimi përfundimtar i Gjykatës do të jetë në favor të Klan Kosovës. Sidoqoftë, Miftaraj thotë se “në aspektin juridik ky vendim nuk e paragjykon dhe as gjykon meritat e rastit të cilat do të trajtohen gjatë procesit gjyqësor”.