Pesë simbole të një suksesi

13.10.2015 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Pesë simbole të një suksesi

Kualifikimi i Shqipërisë të dielën në Jerevan nuk ishte edhe aq heroik. Shumë nga ne do të kishin dashur ta fitonin atë që gjatë ndeshjes me Serbinë e, pse jo, edhe që një muaj më parë kundër Portugalisë. Disfata në këto sfida që do e sublimonin plotësisht këtë ngjarje historike për futbolin shqiptar, ia zbehu asaj madhështinë dhe perfeksionin.

Ky sukses nuk qe as më perfekti i mundshëm, sepse u arrit përballë një Armenie që ndoshta arsye sportive dhe ekstrasportive e bënë të dukej si një kopje qesharake e asaj që pamë vetëm pak muaj më parë në Elbasan.

E megjithatë ai përbën një premierë sensacionale dhe të paharrueshme.

Përtej të qenit kualifikimi i parë për një garë të këtyre përmasave, ai ngërthen në vetvete një simbolikë më të gjerë që flet shumë jo vetëm për futbollin, por dhe për shoqërinë dhe mentalitetin tonë të ri. Ja sepse…

Simbolika e parë

Ky sukses përbën fitore ndaj një mentaliteti inferior, disfatist dhe hipokrit që filloi të mbizotëronte me forcë ditët e fundit. Politika, media tradicionale që i shërben një mendimi unitar dhe shumica e opinionistëve të saj, filluan të propagandonin klishenë e shqiptarit të mirë europian, kokulur dhe të dëgjueshëm, përpara modelit të profesinistit të aftë, të zot dhe fitues. Ato i bënë një jehonë të ekzagjeruar shqiptarit hipokrit që kërkon të jetë i pranueshëm nga të singjashmit e tij europianë, përpara atij që do të ndihet i barabartë e pse jo sfidues ndaj tyre. Suksesi i djemve të kombëtares, trokitja e tyre në dyert e Francë 2016, përmes përballjes, garës dhe fitores qe njëkohësisht edhe varrëmihësi i kësaj mendësie vasale dhe hipokrite. Në këtë kuptim, nga Lorik Cana e deri tek i riu Sadiku, që i vuri vulën e fundit kualifikimit, përbëjnë një shembull të ri të shqiptarit model: atij që do “të shkojë drejt Europës”, kokëlartë dhe si i barabartë.

Simbolika e dytë

Një tjetër anë e këtij suksesi është edhe fakti se ai përbën arritjen e parë në shkallë ndërkombëtare të një grupimi të përbërë nga shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës dhe diasporës. Si djemtë e Zvicrës, si ata të rritur në Shkodër, Vlorë, Prishtinë apo Preshevë, treguan se janë të aftë të ndërtojnë një ekip të denjë për sukses ndërkombëtar, gjë që s’ka arritur ta bëjë dot kurrë më parë asnjë projekt politikanësh apo biznesmenësh qoftë. Në këtë kuptim, larg retorikave pseudopatriotike, larg ritmeve të xhamadanit vija- vija, apo himneve për flamurin më të bukur në botë, ky grup futbollistësh të rinj tregoi se bashkëpunimi i të gjithëve bashkë mund të rezultojë i suksesshëm. Se shumfishimi i shqiptarëve që “flasin gjuhë të ndryshme” nuk është në përpjestim të drejtë me shumëfishimin e problemeve. Në këtë rast ata treguan se mund të përbëjnë një vlerë të shtuar për njëri- tjetrin.

Simbolika e tretë

Ky kualifikim i arritur nga djem të rritur, të edukuar dhe të stërvitur kryesisht në Europë tregoi se mossukseset tona të përsëritura për të kapur ritimin e kontinentit të vjetër, nuk janë as çështje geni, as problem race dhe as peshë trashëgimie. Pjesa më e madhe e futbollistëve tanë, nuk janë formuar në terrenet e përbaltura shqiptare, nuk janë privuar nga fushat sportive që këtë çerekshekulli u kthyen në sheshe ndërtimi, nuk janë mbrujtur as me mungesën e disiplinës dhe përbuzjen ndaj profesionizmit. Ata janë edukuar në perëndim dhe janë rikthyer këtu me uniformën kuq e zi edhe për të na dëshmuar se nuk kemi asgjë të çalë dhe difektoze individualisht. Se po të vendosim të njëjtat rregulla, standarte dhe ekzigjenca edhe këtej nga anët tona, modele të tilla suksesi mund të prodhojmë më shpejt dhe më shumë.

Simbolika e katërt

Ky marshim i futbollistëve tanë për në Francë ka dhe një domethënie të madhe për të rinjtë e këtij vendi të edukuar gabimisht me steriotipet e suksesit të lehtë. Ai është kundërthënia më e mirë ndaj mendësisë se për t’ia dalë në politikë duhet të jesh i paskrupullt, se për të shërbyer në drejtësi duhet të jesh i korruptuar, se për t’u bërë yll gazetarie duhet të jesh i nënshtruar, se për të fituar para me biznes duhet të jesh i pamëshirshëm. Historia e djemve të kësaj kombëtareje është dëshmia më e qartë se rruga që duket në pamje të parë më e gjatë, ajo e sakrificës, djersës, vetëmohimit dhe përpjekjes të çon më shpejt në fund të tunelit. Ky është shembulli që të kuqtë kanë dhënë kohëve të fundit. Ata po krijojnë një model të ri suksesi.

Simbolika e pestë

Dhe së fundi, ky është mbi të gjitha triumfi i një njeriu: Giani De Biasi-t të cilit gjithnjë e më tepër ka filluar t’i pëlqejë ta thërrasin Gani Abazi. Me seriozitetin, integritetin dhe sensin e tij të detyrës, tekniku i kombëtares jo vetëm që bëri të mundur këtë mrekulli kolektive, por ai solli me vete edhe rrëzimin e një klisheje. Klishesë të të huajit që vjen nga “il paese di fronte” për të shitur gomone, për të pastruar paratë e Camorras apo për të përfituar nga dlirësia e adoleshenteve të çorientuara. Ai dërrmoi shembullin tipik të palaços që zbarkon në provincë për të rrëmbyer shpejt dhe ç‘të mundet. Ai dëshmoi se me këmbëngulje dhe pasion, suksesi edhe këtu është i mundur.

Për të gjitha këto arsye, ajo që u kurorëzua këtë të dielë në Jerevan është një ngjarje jo e zakontë. Pavarësisht se fitoren e fundit mund ta kishim dëshiruar më të denjë, pavarësisht se kualifikimin mund ta kishim kërkuar më historik (duke mundur Serbinë), kjo që ndodhi do të mbahet mend gjatë. Dhe jo vetëm se po shkojmë për herë të parë në një garë europiane, por mbi të gjitha se ky rrugëtim krijon premisën e modeleve të reja. /lapsi.al/

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Objekti i djallit që mbrohet n’emër t’Zotit!

Objekti i djallit që mbrohet n’emër t’Zotit!

Sa vështirë ish me përcjellë si motrën në varr

Sa vështirë ish me përcjellë si motrën në varr

Europa është një gënjeshtër e madhe, por mos na detyroni që të besojmë se dhe Amerika është një gënjeshtër e madhe!

Europa është një gënjeshtër e madhe, por mos na detyroni që të besojmë se dhe Amerika është një gënjeshtër e madhe!

Lulet mbi bajgën e gomarit

Lulet mbi bajgën e gomarit

Binjakëzimi SHIK-RIINVEST, gjunjëzoi shtetin

Binjakëzimi SHIK-RIINVEST, gjunjëzoi shtetin

Shën Tereza – 7 ditë nga shenjtërimi i përbotshëm

Shën Tereza – 7 ditë nga shenjtërimi i përbotshëm

Bajrush Morina: Kërkesë BE-së, hiqni vizat për në Hagë për politikanët e Kosovës!

Bajrush Morina: Kërkesë BE-së, hiqni vizat për në Hagë për politikanët e Kosovës!

Pis i poshtër…!

Pis i poshtër…!

Epoka e Merkelit nuk po merr fund

Epoka e Merkelit nuk po merr fund

Jo kala dibrançe elektorale

Jo kala dibrançe elektorale

Krasniqi kritikon fjalorin e politikës, a janë përfaqësues të Kosovës apo të dy kombeve të armiqësuar

Krasniqi kritikon fjalorin e politikës, a janë përfaqësues të Kosovës apo të dy kombeve të armiqësuar

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, veprimi i radhës i deputetëve

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, veprimi i radhës i deputetëve

Strategjia europiane e Shtetit Islamik

Strategjia europiane e Shtetit Islamik

S’ka fituar Lista, por keni humbur ju!

S’ka fituar Lista, por keni humbur ju!

Patriotizmi i ekzagjëruar

Patriotizmi i ekzagjëruar

“Patriotizmi” i kamufluar i Edi Ramës, i rrezikshëm për integrimet kombëtare

“Patriotizmi” i kamufluar i Edi Ramës, i rrezikshëm për integrimet kombëtare