Izraeli publikon pamje të tuneleve që gjeti nën spitalet e Gazës

E publikuar: 17/11/2023 10:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë postuar imazhe dhe video në X, për të cilat thonë se tregojnë tunelet e Hamasit nën spitalet e Gazës. Izraeli kishte njoftuar se i kishte gjetur këto lokacione më herët.

“Brenda kompleksit të spitalit Shifa, u zbulua një tunel i Hamasit”, shkroi IDF në një deklaratë që shoqëronte një video, e cila sipas tyre, tregonte hyrjen e një kalimi nëntokësor në mjediset e spitalit të qytetit të Gazës, transmeton Telegrafi.

IDF ndau gjithashtu fotografi nga ajo që ata thanë se ishte brenda “një tuneli tjetër” në spitalin kryesor të fëmijëve në Gaza, Al-Rantisi.

Në fillim të kësaj jave, IDF publikoi gjithashtu një video nga i njëjti spital duke njoftuar zbulimin e armëve dhe eksplozivëve që supozohet se u gjetën në atë qendër mjekësore.

Në postimin e saj të fundit, ushtria ka shpërndarë një foto të “një sasi të madhe armatimi dhe municioni” të gjetur në spitalin Al-Quds.

Izraeli thotë se Hamasi po operon prej brenda dhe poshtë spitaleve, derisa këtë pretendim të Izraelit po e mbështet edhe SHBA-ja.

Hamasi dhe autoritetet spitalore i kanë mohuar vazhdimisht këto pretendime.