Brukseli e lë në diskrecionin e Athinës mungesën e Edi Ramës në Samitin BE-Ballkani Perëndimor

E publikuar: 24/08/2023 17:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arrestimi i Fredi Belerit, kandidatit për kryetar të Himarës, i cili akuzohet për shitblerje të votës u bë shkaku që vetëm Shqipëria të mungojë në darkën joformale të shtruar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, si dhe disa liderëve të tjerë europianë, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Edi Rama nuk u ftua nga homologu grek e në vend të tij ftesa i shkoi presidentit Bajram Begaj, i cili nuk shkoi për shkak se Greqia donte që Rama të mos ishte prezent në tavolinën ku do të diskutohej për të ardhmen europiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës e Moldavisë.

Për mungesën e ftesës nga ana e një shteti anëtar të BE-së për një vend kandidat të BE-së, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, s’deshi të komentojë në një përgjigje për Gazetën Express.

“Për pyetjen mbi pjesëmarrjen në darkën informale të organizuar nga Greqia, ne do t’ju referonim te Greqia si mikpritëse”, tha ai.

Një ditë pas darkës, kryeministri Rama i dërgoi një përgjigje të detajuar homologut grek Mitsotakis dhe të gjithë të interesuarve, për mungesën në eventin e Athinës, ku u kujtua 20 vjetori i Samitit të Selanikut

“Arsyeja është e thjeshtë. Nuk doja të trazoja mikpritësin dhe miqtë e tij duke shtuar zhurmën përpara se miqve të mi të mirë mbledhur në Athinë të mbaronin punë. Jam i lumtur që Kiriakos e ndërmori këtë iniciativë për të mbledhur udhëheqësit e lartë e folur për të ardhmen e Europës dhe Ballkanit përballë agresionit rus. Rajoni ka nevojë për Greqinë më shumë angazhim në rrugën tonë të përbashkët. Ia kam thënë atij dhe miqve të tjerë grek, publikisht se me sinqeritet besoj se vendi tyre ka një rrol natyral për të luajtur në Ballkan falë profilt dhe eksperiencës europiane”, tha Rama.

Gazeta greke “Kathimerini”, duke cituar burimet diplomatike, tha se vendimi i kryeministrit grek është një mënyrë diplomatike për t’i treguar jo vetëm Ramës, por edhe liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, se Greqia nuk negocion për çështje parimore, siç është respektimi i të drejtave të njeriut, në rastin e Belerit konsideron se “po dhunohen nga Shqipëria”.