Fëmijët: Ja si duhet t’i kalojnë pushimet verore

E publikuar: 01/07/2016 15:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përgjithësisht pushimet kanë impakt tepër pozitiv në spektrin emocional të fëmijës dhe të prindërve pasi jo vetëm fuqizohet marrëdhënia ndërmjet tyre por edhe vëmendja dhe koha që u jepet  fëmijëve i bën të ndihen mirë emocionalisht

Diell, det dhe lojëra….këto do të ishin pushimet ideale për fëmijët të cilët prej vetëm pak javësh kanë mbyllur sezonin shkollor. Pas një periudhe të gjatë dhe të ngarkuar me shkollën dhe mësimet, temperaturat e larta dhe ditët me diell duket se i ftojnë ata drejt pushimeve. Për të larguar stresin e përditshëm dhe ngarkesat e vitit shumë prindër kanë nisur organizimin e pushimeve, prenotime si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Në disa raste resurtet e mëdha me oferta për familjarët janë ndër më të preferuarat, të tjera raste disa ditë pushime në mal. Dhe kështu duket se pushimet për disa në mos kanë nisur janë drejt nisjes. Në një intervistë për “Mapo”, psikologia Orjola Plaku teksa sqaron mbi rëndësinë e pushimeve verore tek fëmijët dhe impaktin që ato kanë emocionalisht, ajo qetëson prindërit të cilët në pamundësi për të bërë pushime verore në det apo mal do t’i kalojnë pushimet në shtëpi. Për psikologen jo domosdoshmërish deti apo shpenzimet janë të vlefshme. Sipas psikologes Plaku, pamundësia duhet të përkthehet në kohë. “Sa më shumë kohë të kaloni me fëmijët kjo është pushimi më i mirë që mund t’i rezervoni vetes dhe fëmijës tuaj. Kjo  do të sjellë jo vetëm cilësi në marrëdhënie me fëmijën por do ta bëjë atë të zhvillojë besim duke ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme,”-sqaron psikologia Orjola Plaku për “Mapo”.

Zyrtarisht është mbyllur sezoni shkollor për fëmijët, janë mbyllur kopshtet e parashkollorët. Pritet të nisin pushimet, natyrshëm lind pyetja sa të rëndësishme janë pushimet verore, si ndikojnë tek fëmijët?

Pushimet verore janë jo vetëm të nevojshme për të rriturit për t’u shkëputur psikologjikisht nga ngarkesat ditore por  edhe për fëmijët ndikojnë pozitivisht  pasi është diçka ndryshe nga rutina e tyre e përditshme. Përgjithësisht pushimet kanë impakt tepër pozitiv në spektrin emocional të fëmijës dhe të prindërve pasi jo vetëm fuqizohet marrëdhënia ndërmjet tyre por edhe vëmendja dhe koha që u jepet  fëmijëve i bën të ndihen mirë emocionalisht.

A duhet përpiluar një axhendë për  fëmijët gjatë verës? Cilat janë aktivitetet e këshillueshme për ta?

Normalisht prindërimi nuk ka nevojë për të pasur një axhendë me vete. Por sa më shumë kohë të kalojë prindi me fëmijën e favorizon zhvillimin emocional të fëmijës. Lojërat e ndryshme me ta duke u përfshirë edhe  prindërit. Spontaniteti dhe improvizimi i lojërave të ndryshme është tepër efikase në marrëdhënien me fëmijët. Socializimi me fëmijët e tjerë dhe krijimi hapësirave të nevojshme që fëmija të luajë.

Janë të shumta studimet të cilat bien në kontradiktë me sugjerimet që ata japin. Disa syresh këshillojnë që gjatë verës fëmijët t’i lënë të lirë të bëjnë çfarë të duan, të tjera studime nënvizojnë rëndësinë e aktiviteteve dhe argëtimit të fëmijëve. Çfarë sugjerojnë psikologët, sa e këshillueshme është dhënia e hapësirës dhe lirisë për të bërë çfarë duan, duke mos iu nënshtruar asnjë lloj programacioni, aktiviteti, sporti apo argëtimi në kohën e lirë?

Mendoj se liria nuk nënkupton që fëmija të bëjë çfarë dëshiron por një prind duhet t’i tregojë limitet  duke përdorur teknika të disiplinimit pozitiv me ta. Aktivitetet janë pjesë e rëndësishme e pushimeve sa më shumë lojëra aq më e bukur është fëmijëria. Pasi studime të shumta kanë arritur në përfundimin se jo vetëm ndikon pozitivisht në fushën emocionale por rrit edhe vetëvlerësimin e fëmijës që është pasaporta për një fëmijë.

Jo të gjithë fëmijët kanë “luksin” e pushimeve, shumë prej tyre do të jenë në shtëpi. Si mund të kalohen pushimet verore në kushtet e shtëpisë?

Deti…nuk shërben për të bërë që një fëmijë të ndihet mirë sepse mund të ketë dy prindër të cilët janë të fokusuar tek vetja. Pamundësia duhet të përkthehet në kohë. Sa më shumë kohë të kaloni me fëmijët ky është pushimi më i mirë që mund t’i rezervoni vetes dhe fëmijës tuaj. Kjo  do të sjellë jo vetëm cilësi në marrëdhënie me fëmijën por do ta bëjë atë të zhvillojë besim duke ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme.