Daltonizmi lidhet me vështirësinë për të parë ngjyrën e kuqe, të gjelbër ose blu apo kombinimet e këtyre ngjyrave. Është e rrallë që një person të mos shohë asnjë ngjyrë. Daltonizmi quhet ndryshe dhe një problem i vizionit (shikimit) të ngjyrave. Një problem i vizionit të ngjyrave mund t’ju ndryshojë jetën. Kjo e bën më të vështirë të mësuarit dhe të lexuarit. Ju mund të mos jeni në gjendje të bëni karrierë në fusha të caktuara. Por fëmijët dhe të rriturit me probleme të vizionit të ngjyrave, mund të mësojnë t’i përballojnë sa më mirë ato.
Çfarë e shkakton Daltonizmin?
Shumica e problemeve të vizionit të ngjyrave janë të trashëguara (gjenetike) dhe janë të pranishme që në lindje. Njerëzit zakonisht kanë tri lloje qelizash konike në sy. Secili lloj dallon njërën nga dritat; ose të kuqen, ose jeshilen ose blu-në. Ne i shohim ngjyrat kur qelizat konike perceptojnë sasi të ndryshme të këtyre tri ngjyrave themelore. Shumica e qelizave kon gjenden tek makula, e cila është pjesa qendrore e retinës. Daltonizmi i trashëguar ndodh kur ju nuk e keni njërin nga këto lloje të qelizave kon, ose kur ato nuk funksionojnë mirë. Ju mund të mos shihni një nga këto tri ngjyra bazë, ose mund të shihni një hije tjetër të asaj ngjyre apo një ngjyrë tjetër. Ky lloj problemi i vizionit të ngjyrave nuk ndryshon me kalimin e kohës. Një problem i vizionit të ngjyrave nuk është gjithmonë i trashëguar. Në disa raste, mund të jetë i fituar. Kjo mund të shkaktohet nga:
* Mosha;
* Problemet e syve si glaukoma, degjenerimi i makulës, katarakti ose retinopatia diabetike;
* Lëndimet në sy;
* Efektet anësore të disa barnave.
Cilat janë simptomat?
Simptomat e problemeve të vizionit të ngjyrave ndryshojnë:
* Ju mund të jeni në gjendje të dalloni disa ngjyra, por jo të tjerat. P.sh. ju mund të mos jeni në gjendje të shquani dallimin mes të kuqes dhe të gjelbrës, por mund të shihni blunë dhe të verdhën;
* Ju mund të shihni shumë ngjyra, kështu që nuk mund ta dini se çfarë ngjyre shihni ndryshe nga të tjerët;
* Ju mund të shihni vetëm disa hije të ngjyrave, ndërkohë që shumica e njerëzve mund të shohin një shumëllojshmëri ngjyrash;
* Në raste të rralla, ju mund të shihni vetëm të zezën, të bardhën dhe grinë.
Si diagnostikohet Daltonizmi?
Testet masin se sa mirë ju dalloni ngjyrat e ndryshme:
* Në një lloj testi, ju shikoni në grupe pikash me ngjyrë dhe përpiqeni të gjeni një model në to, si p.sh. një shkrojnë apo një numër. Modelet që ju shihni, e ndihmojnë mjekun të diktojë se me çfarë ngjyrash keni probleme;
* Në një lloj tjetër testi, ju duhet të organizoni patatinat me ngjyrë në bazë të ngjashmërisë së ngjyrave. Njerëzit me probleme të vizionit të ngjyrave nuk mund t’i organizojnë patatinat siç duhet.
Meqë një problem i vizionit të ngjyrave mund të ketë ndikim të madh në jetën e një personi, është e rëndësishme të zbuloni problemin sa më shpejt të jetë e mundur. Tek fëmijët, problemet e vizionit të ngjyrave mund të ndikojnë negativisht në aftësinë e të mësuarit dhe zhvillimin e leximit. Problemet e vizionit të ngjyrave, mund të kufizojnë edhe zgjedhjet në karrierë, që kërkojnë nga ju të dalloni ngjyrat qartë. Shumica e ekspertëve rekomandojnë vizita të syve për fëmijët mes moshës 3 dhe 5 vjeçare. Shqyrtimi i pamjes rekomandohet për të gjithë fëmijët të paktën një herë para se të hyjnë në shkollë, mundësisht mes moshës 3 dhe 4 vjeçare. Problemet e trashëguara të vizionit të ngjyrave nuk mund të trajtohen ose të korrigjohen. Disa probleme të fituara të vizionit të ngjyrave mund të trajtohen, në varësi të shkakut. P.sh. nëse një katarakt është shkaktari i problemit, operacioni për heqjen e kataraktit mund të rivendosë pamjen normale të ngjyrave. Ju mund të gjeni mënyra të ndryshme për të ndihmuar veten të përballoni problemin e vizionit të ngjyrave, të tilla si:
* Vënia e lenteve të kontaktit me ngjyra. Këto mund t’ju ndihmojnë të shihni dallimet mes ngjyrave. Por këto lente nuk japin një pamje normale të ngjyrave dhe mund të shtrembërojnë objektet;
* Mbajtja e syzeve të diellit që bllokojnë llamburitjet. Njerëzit me probleme pamore mund të shohin dallimet mes ngjyrave më mirë, kur ka më pak shkëlqim verbues dhe dritë;
* Të mësoheni të shikoni për të dhëna të tilla si shkëlqimi apo vendodhja, në vend të ngjyrave. P.sh. mund të dini rendin e tre dritave me ngjyrë në një shenjë rrugore.
Si mund të ndihmojmë një fëmijë i cili ka Daltonizëm?
Problemet e vizionit të ngjyrave, mund ta bëjnë të mësuarin dhe leximin të vështirë për fëmijët, gjë e cila mund të sjellë arsimim të dobët dhe vetëbesim të ulët. Ju mund të ndihmoni fëmijën tuaj duke:
* U siguruar që fëmija të jetë testuar për probleme të vizionit të ngjyrave gjatë vizitave rutinore të syve. Sa më parë të dini se ka një problem, aq më shpejt mund ta ndihmoni fëmijën tuaj. Vizitat e syrit duhet të kryen në çdo vizitë të përgjithshme të fëmijëve.
* Duke i thënë mësuesit të fëmijës suaj dhe personelit tjetër shkollor për problemin. Sugjeroni që ta ulin fëmijën ku nuk ka shkëlqim verbues dhe të përdoret një ngjyrë shkumësi që fëmija mund ta shohë.