Disa specialistë martesash dhe konsulentë paramartesorë kanë ndezur diskutimin: para se të merrni një vendim mjaft të rëndësishëm për jetën tuaj në çift, duhet t’i drejtoni njëri-tjetrit disa pyetje, të cilat ju ndihmojnë që më vonë të mos përballeni me surpriza.
Çfarë nuk do të ndryshojë kurrë tek ju?
Kjo është një pyetje e vështirë, sepse nëse dikush nga ju mendon se mund të jetë elastik dhe mund të përshtatet në çdo lloj situate, kjo nuk ndodh domosdoshmërish për partnerin tjetër. Ndonjëherë çifteve u ndodh të jenë kokëfortë edhe për të vendosur për një markë shampoje që përdorin. Kështu, para se të merrni një angazhim të tillë, mendoni edhe një herë çfarë mund dhe nuk mund të ndryshojë tek ju pasi të fejoheni apo martoheni. Ndryshimet do të jenë për një kohë të gjatë.
Kush janë njerëzit më të rëndësishëm të jetës suaj dhe si do të ndikojnë ata në këtë marrëdhënie?
Nëse keni një anëtar të veçantë të familjes ose një mik të ngushtë që përfshihet rregullisht në jetën tuaj, atëherë është shumë e rëndësishme ta diskutoni bashkë edhe praninë e tij (kur dikush të merr në telefon çdo 20 minuta, atëherë prania e tij në lidhjen tuaj duhet të ketë një vëmendje të veçantë), sepse ka edhe partnerë që mund të mos jenë dakord me këtë pozitë.
A keni në plan të bëni fëmijë?
E besoni apo jo, shumë çifte hasin probleme edhe me këtë diskutim. Ndonjëherë marrëdhënia është krejt e natyrshme dhe kjo fazë e jetës vjen vetë, pa kurrfarë planifikimi, por në të shumtën e herës, çiftet që vendosin në fillim të marrëdhënies së tyre se nuk duan që fëmijët të ndryshojë marrëdhënien e tyre, më vonë mund të kenë probleme, nëse ndonjëri do të lëkundet nga ky vendim i marrë.
Do të kemi një familje që do të ndjekë një besim të caktuar fetar?
Specialistët sugjerojnë që këtu duhet të ketë një diskutim të gjatë me bashkëshortin e ardhshëm. Secili nga ju duhet t’i shprehë hapur bindjet e veta fetare dhe shpirtërore. Më pas, mund të bini në një marrëveshje nëse familja e ardhshme do t’i përkasë një besimi që do të përfshijë edhe jetën e fëmijëve tuaj, duke pasur parasysh edhe shkollimin, privat ose jo, por edhe vizitat e përjavshme në kishë.
Jeni të sigurt që e kuptoni gjuhën e dashurisë së njëri-tjetrit?
Shumica e njerëzve bëjnë të pamundurën për të dashur dikë sipas mënyrës së tyre, por rruga e duhur nuk është gjithmonë ajo që shohin. Mënyra që gjejnë për t’u afruar me dikë mund të mos jetë e përshtatshme për personin tjetër. Çiftet në marrëdhënie të gjatë e të qëndrueshme jo vetëm që e kanë identifikuar gjuhën e dashurisë së njëri-tjetrit, por edhe i tregojnë partnerit me shumë dëshirë preferencat që kanë në mendje.
Si keni menduar ta mbani gjallë marrëdhënien?
“Nëse shtatë vitet e para kalojnë me sukses, do të thotë që “dashuria ka triumfuar” dhe marrëdhënia ka kaluar një fazë tjetër, por edhe kjo fazë e dytë duhet mbajtur po njëlloj si e para, ndoshta edhe më shumë” – thotë Chafin, konsulent martese. “Çiftet që dinë ta menaxhojnë shumë mirë transformimin nga të qenit “në dashuri” në një stad tjetër më të pjekur në “të dashuruar” janë ata që kanë më shumë jetëgjatësi.
Mund të jeni efektivë në zgjidhjen e konflikteve?
Ndonjëherë partnerët preferojnë më shumë të jenë të drejtë se sa të jenë të lumtur. A është ky qëllimi për të fituar argumentin dhe për të ndryshuar bashkëshortin, apo duhet të biesh në kompromis për të pasur një martesë të lumtur?
Si e sheh marrëdhënien tonë pas 5-vjetësh?
Është një pyetje që teston vlerat, etikën dhe, natyrisht, qëllimet e një personi. Përpiquni të shikoni në thellësi gjërat që janë qëllime për të dy ju në jetë, por edhe vendimet që më vonë mund të dëmtojnë marrëdhënien, të tilla si: do të jemi të dy në punë, do të jemi të përfshirë në jetën sociale personale, do të jetojmë në një zonë urbane apo periferike, do të kemi një kafshë në shtëpi etj.
Si e shihni ndarjen e përgjegjësive në marrëdhënie dhe a ju pëlqen se si janë ndarë?
Çdo njeri ka stilin e vet edhe në mënyrën se si menaxhon përgjegjësitë në familje. Dikush merret gjithmonë me fëmijët (zakonisht është gruaja), ndërsa dikush kujdeset për shkollimin dhe detyrat e tjera. Ky diskutim duhet të bëhet në kohë, në mënyrë që askush prej jush të mos përballet më vonë me surpriza.