Kosovarët mund të dalin nga burgu dhe të lëvizin lirshëm në Europë vetëm atëherë kur kriminelët dhe të korruptuarit të futen në burg. Ata nuk mund të mbesin më peng i politikanëve, të cilët krimin dhe korrupsionin i kanë kthyer në shkollë të qeverisjes, në mënyrë jetese
Qeveritarët u bënë copë këto ditë për të na mbushur mendjen se i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, madje duke e akuzuar Brukselin se qenka bazuar në një raport të shtatorit, teksa ka bërë të ditur edhe tetë kritere të palotësuara. Ata me çdo kusht po përpiqen të na bindin se raporti qenka pozitiv, por në fakt nuk është kështu. Përndryshe, nga Brukseli do të vinte porosia se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe rekomandohet liberalizimi i vizave, e jo se duhet plotësuar edhe tetë sish. Dhe detyrat që duhet kryer janë të qarta dhe praktike.
Por, në gjithë këtë muhabetin rreth liberalizimit ka fort demagogji e hipokrizi. Përderisa zyrtarët qeveritarë në njërën anë përpiqen të na mbushin mendjen se gjithçka është OK, në anën tjetër thonë se kriteret e mbetura do t’i plotësojnë shpejt. Nëse gjithçka qenka kryer, si paska mundësi që “ato që kanë mbetur” të përmbushen shpejt. Këtë logjikë duket se më së miri e kuptojnë ata që qytetarët po duan t’i shtyjnë t’iu besojnë, pavarësisht se faktet tregojnë të kundërtën.
Dikush edhe mund t’i besojë Qeverisë se i ka plotësuar të gjitha, por të paktën një ndër kriteret është mjaft i vështirë dhe nuk mund të përmbushet brenda natës. Brukseli po kërkon aktgjykime të nivelit të lartë për krim dhe korrupsion dhe konfiskim të pasurisë. Ose, “përkthyer” në shqip, po kërkohet që kriminelët dhe të korruptuarit e profilit të lartë të dënohen dhe të futen në burg. Shkurt e qartë.
* * *
Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dy fenomenet që e kanë dëmtuar më së shumti vendin. Që nga nivelet e ulëta e deri te më të lartat qeveritare, zyrtarë të shumtë e kanë vjedhur e dëmtuar shtetin, duke krijuar pasuri marramendëse. Që nga nivelet e ulëta e deri te më të lartat në kompani publike udhëheqës të tyre kanë zhvatur para e të mira tjera materiale, duke u kthyer në milionerë brenda natës.
Tenderët kanë qenë burim i pashtershëm korrupsioni, ndërkohë që janë zvarritur me qëllim ndryshimet në ligjin për prokurimin publik. E në krye të Organit Shqyrtues të Prokurimit vazhdon të jetë njeriu i PDK’së, i cili madje akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për çfarë përmbushje kriteresh po flasin qeveritarët?
Ndërkohë, përderisa demagogjia e hipokrizia nuk kanë fund, bordet e ndërmarrjeve dhe agjencive tjera publike vazhdojnë të popullohen me militantë partiakë.
Përderisa qeveritarët na flasin për sundim rendi e ligji, një proces gjyqësor i profilit të lartë për korrupsion zvarritet tash pesë vjet, një ish kryetar komune i dënuar na përshëndet nga arratia, e ndaj një kryetari tjetër komune vendimi përfundimtar i gjykatës zvarritet pa kurrfarë arsye. Për çfarë përmbushje kriteresh po flasin qeveritarët?
Përpara se të fajësojnë Brukselin, kryeministri dhe zëvendësi i tij do të duhej që ta shohin veten ku janë, do të duhej të paktën ta pyesin veten se çfarë kanë bërë për luftimin e korrupsionit dhe krimit, do të duhej të shohin se si e kanë kapur shtetin me militantë partiakë gjithandej nëpër institucione, do të duhej që të paktën t’ju vijë keq për gjendjen në të cilën e kanë sjellë vendin. Fajet për mosliberalizimin e vizave nuk i ka Brukseli, por Prishtina. Prishtina dhe askush tjetër. Dështimet nuk mund të mbulohen me fajësimin e të tjerëve.
* * *
Ndryshe nga qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, kosovarët ende kanë mbetur peng i politikanëve të papërgjegjshëm të cilët krimin dhe korrupsionin i kanë mënyrë qeverisjeje, mënyrë jetese. Atyre ende iu duhet të presin para ambasadave të huaja, me shpresë se mund të marrin një vizë. Ata ende fyhen e përçmohen.
E politikanët nuk e kanë problemin e vizave. Ata mund të lëvizin lirshëm dhe me paratë tona gjithandej Europës. Kryeministri Isa Mustafa e tha qartë se qytetarët mund të jetojnë edhe pa liberalizim. Me siguri ka menduar për vetën dhe klikën e tij, për të cilët procesi i liberalizimit nuk thotë asgjë. Por jo edhe për 1.7 milion qytetarët e shkretë të cilët jetojnë të izoluar dhe rrezikojnë jetën e vet dhe të familjarëve të tyre, duke udhëtuar drejt Europës në rrugë ilegale.
Për të gjithë ata që dinë të lexojnë, kushtet e Brukselit janë të qarta. Andaj askush nuk mund të na hedh hi syve e të na mbushë mendjen ndryshe.
Kosovarët mund të dalin nga burgu dhe të lëvizin lirshëm në Europë vetëm atëherë kur kriminelët dhe të korruptuarit të futen në burg. Ne mund të ndihemi e të lëvizim të lirë vetëm kur ju jeni në burg. Nuk mund të mbetemi më peng i krimit, korrupsionit dhe papërgjegjësisë suaj.