Lajmet

Haziri në natën e shtatë të protestës “Jo në emrin tim”: Shtatë ditë nuk janë fundi, janë vetëm fillimi

22.09.2026 21:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Haziri në natën e shtatë të protestës “Jo në emrin tim”: Shtatë ditë nuk janë fundi, janë vetëm fillimi

Protesta “Jo në emrin tim” ka hyrë në natën e shtatë në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku protestuesit kanë kundërshtuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka thënë se vazhdimi i tubimeve për shtatë net radhazi tregon se protestuesit nuk janë tërhequr nga kërkesat e tyre.

“Vëllezër dhe motra! Sonte u bë një javë! Shtatë ditë. Shtatë net. Çdo natë, në të njëjtën orë. Çdo natë, në të njëjtin shesh. Çdo natë, bashkë për UÇK-në! Dhe sonte dua t’ju them vetëm një gjë: shikojeni njëri-tjetrin! Pas një jave jemi ende këtu. Nuk jemi lodhur. Nuk jemi larguar. Nuk kemi heshtur. Dhe kjo është përgjigjja më e fuqishme për këdo që ka menduar se kjo protestë do të zgjasë një natë, dy net, e pastaj do të shuhet. Jo!”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka lidhur protestën e natës së shtatë me 28-vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit.

“Por çfarë janë shtatë net të qëndrimit tonë në këtë shesh, përballë sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë? Sot janë bërë 28 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit. Para sakrificës së Fehmiut dhe Xhevës, qëndrimi ynë shtatë net në këtë shesh është pak! E sidomos sot, 28 vjet më vonë, kur po tentohet të njolloset lufta për të cilën ata dhanë jetën. Prandaj nuk lodhemi! Nuk largohemi! Qëndrojmë! Lavdi Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka thënë ai.

Haziri ka theksuar se protestuesit nuk janë mbledhur për një parti politike, por për atë që e cilëson si kauzë në mbështetje të UÇK-së.

“Dikush ka menduar se do të dilnim një natë. Dikush ka menduar se pas dy-tri netësh do të lodheshim. Dikush ka pritur që ky shesh të zbrazej. Por le ta shohin këtë shesh sonte! Jemi ende këtu! Sepse nuk jemi mbledhur për një fotografi. Nuk jemi mbledhur për një parti politike. Jemi mbledhur për një kauzë. Jemi bashkë për UÇK-në! Dhe prej këtij sheshi, tash e shtatë net, po dëgjohet një thirrje që duhet ta dëgjojnë kudo: jo në emrin tim!”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka përsëritur thirrjen “Jo në emrin tim”, duke e lidhur me kundërshtimin e asaj që protestuesit e konsiderojnë si njollosje të luftës së UÇK-së dhe padrejtësi.

“Kur ne besojmë se po tentohet të njolloset lufta e UÇK-së: jo në emrin tim! Kur kërkohet heshtja jonë përballë asaj që ne e konsiderojmë padrejtësi: jo në emrin tim!”, ka thënë organizatori.

Haziri ka përmendur edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

“Dhe ne nuk kemi vetëm një thirrje. Kemi kërkesa! Dje, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është dorëzuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Tash është koha që institucionet të përgjigjen! Sepse një javë kemi pritur. Një javë kemi protestuar. Një javë kemi folur qetë. Dhe askush të mos e marrë qetësinë tonë për dobësi! Askush të mos mendojë se duke heshtur, ky shesh do të lodhet. Sepse çdo derë institucionale që nuk hapet, do të thotë se kërkesa jonë duhet të trokasë edhe më fort! Dhe le ta dëgjojnë mirë: nuk ka derë institucionale që nuk e thyen zëri i këtij populli!”, ka deklaruar ai.

Në fjalimin e tij, Haziri ka paralajmëruar se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Prandaj sonte, pas një jave, nga ky shesh po ua themi qartë institucioneve: mos prisni që java e dytë të jetë si e para! Nëse mendoni se koha punon kundër këtij sheshi — gaboheni! Nëse mendoni se heshtja do të na lodhë — gaboheni! Sepse çdo ditë pa përgjigje do të na gjejë përsëri këtu. Dhe sa më gjatë të heshtni, aq më shumë do të rritet zëri i këtij sheshi!”, ka thënë Haziri.

Ai ka falënderuar pjesëmarrësit që kanë marrë pjesë në protestë gjatë shtatë netëve dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje edhe më të madhe.

“Shtatë ditë nuk janë fundi! Shtatë ditë janë vetëm fillimi! Nëse për shtatë ditë ky shesh nuk është zbrazur, atëherë shtatë ditët që vijnë duhet ta bëjnë zërin tonë edhe më të madh! Nesër silleni edhe një mik me vete! Silleni një familjar! Thirreni atë që deri sot ka qëndruar në shtëpi! Sepse ky shesh nuk duhet të zvogëlohet. Ky shesh duhet të rritet!”, ka thënë Haziri.

Ai ka përsëritur thirrjet e protestës për mbështetjen e UÇK-së.

“Sonte jemi këtu pas një jave. Nesër duhet të jemi më shumë! Pasnesër edhe më shumë! Derisa zëri ynë të dëgjohet! Dhe sa herë që dikush mendon se mund të flasë në emrin tonë, përgjigjja nga ky shesh do të jetë: jo në emrin tim! Jo në emrin tim! Jo në emrin tim! Kosova nuk harron! Lavdi dëshmorëve të kombit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Bashkë për UÇK-në!”, ka shtuar Haziri.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Bekim Sejdiu: Kosova shmangu krizën dhe vuri në krye te shtetit një zonjë të nderuar me bagazh intelektual

Bekim Sejdiu: Kosova shmangu krizën dhe vuri në krye te shtetit një zonjë të nderuar me bagazh intelektual

Enver Hasani për zgjedhjen e Presidentes: Procesi i votimit ka nisur me kohë, vendi i fitoi institucionet me mandat të plotë

Enver Hasani për zgjedhjen e Presidentes: Procesi i votimit ka nisur me kohë, vendi i fitoi institucionet me mandat të plotë

Hamza pas zgjedhjes së Shiroka-Pulës: Është mirë që vendi do të ketë stabilitet politik e institucional

Bajrami: Gjashtë deputetë të LDK-së nuk e çojnë vendin në zgjedhje, urime profeshorë Shiroka-Pula

Bajrami: Gjashtë deputetë të LDK-së nuk e çojnë vendin në zgjedhje, urime profeshorë Shiroka-Pula

Osmani: Më vjen jashtëzakonisht mirë që presidentja e radhës është grua

Osmani: Më vjen jashtëzakonisht mirë që presidentja e radhës është grua

Shiroka-Pula pas zgjedhjes presidente: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve

Shiroka-Pula pas zgjedhjes presidente: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve

Justina Shiroka-Pula zgjedhet presidente e Kosovës

Justina Shiroka-Pula zgjedhet presidente e Kosovës

Votohet Ligji për Specialen në lexim të dytë

Votohet Ligji për Specialen në lexim të dytë

Komisioni për Legjislacion voton unanimisht ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Komisioni për Legjislacion voton unanimisht ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Ligji për Specialen dhe Presidenti, nis seanca

Ligji për Specialen dhe Presidenti, nis seanca

Hamza pranon ofertën e Kurtit për presidente: Kundër-kandidate Eliza Hoxha

Hamza pranon ofertën e Kurtit për presidente: Kundër-kandidate Eliza Hoxha

Justina Pula për kandidaturën për Presidente: Nuk kam folur me njerëzit që duhet

Justina Pula për kandidaturën për Presidente: Nuk kam folur me njerëzit që duhet

“Justina Shiroka-Pula presidente e vendit, ligji votohet i pari”, oferta e Kurtit për Hamzën

“Justina Shiroka-Pula presidente e vendit, ligji votohet i pari”, oferta e Kurtit për Hamzën

Hamza i përgjigjet Kurtit: Çështja e Speciales po përdoret për shantazh politik

Hamza i përgjigjet Kurtit: Çështja e Speciales po përdoret për shantazh politik

Kurti del me ofertë të re, propozon dy emra për president: Glauku ose Feridja

Kurti del me ofertë të re, propozon dy emra për president: Glauku ose Feridja

Gjini kritikon Kurtin: Ka luajtur lojën e fajësimit dhe të blerjes së kohës

Gjini kritikon Kurtin: Ka luajtur lojën e fajësimit dhe të blerjes së kohës