Lajmet

Nipi i Rexhep Selimit në protestë: Ne nuk trashëguam vetëm një shtet, trashëguam një amanet

22.09.2026 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Nipi i Rexhep Selimit në protestë: Ne nuk trashëguam vetëm një shtet, trashëguam një amanet

Protesta “Jo në emrin tim” ka vazhduar edhe sonte në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të shtatën natë me radhë, kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mesin e folësve të mbrëmjes ishte edhe nxënësi i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Gentian Selimi, nipi i ish-kreut të UÇK-së, Rexhep Selimi. Ai tha se, ndonëse nuk e ka përjetuar luftën, brezi i tij ka përgjegjësi ta ruajë kujtesën për sakrificën që solli lirinë e Kosovës.

“Quhem Gentian Selimi. Sot, para jush qëndroj si nxënës i gjimnazit ‘Ahmet Gashi’, si një i ri që luftën nuk e ka përjetuar. Nuk kam qenë aty kur vendi ynë digjej. Nuk kam qenë aty kur familjet largoheshin nga shtëpitë e tyre me dhunë. Nuk kam qenë aty kur djem e vajza të reja vendosën që jetën e tyre t’ia falin shërbimit të lirisë. Por sot, jam këtu pikërisht për shkak të këtij flijimi”, tha Selimi.

Ai ka deklaruar se liria në të cilën është rritur është rezultat i sakrificës së një brezi para tij.

“Unë jam rritur në liri. Kam mundësi të ëndërroj, të arsimohem, të planifikoj të ardhmen dhe ta quaj Kosovën vendin tim, vetëm sepse një brez para nesh, pa diskutuar, e sakrifikoi gjithçka për liri. Prandaj ne, brezi që nuk e përjetuam luftën, nuk guxojmë të bëhemi brezi që e harron atë”, u shpreh ai.

Selimi tha se pjesëmarrësit e protestës janë mbledhur për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

“Sot kemi ardhur për të kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin! Jemi këtu sepse kemi zërin tonë dhe kemi të drejtë ta theksojmë atë që besojmë. Dhe kjo thirrje sot thotë: Jo në emrin tim! Jo në emrin tim!”, deklaroi ai.

Ai më pas renditi çështjet për të cilat, sipas tij, brezi i ri nuk dëshiron të heshtë.

“Jo në emrin tim të harrohet çmimi që ky popull pagoi për liri! Jo në emrin tim të harrohen mijëra familje që humbën më të dashurit e tyre! Jo në emrin tim të harrohen të pagjeturit për të cilët familjet ende presin një përgjigje! Jo në emrin tim të harrohet dëshmia e kombit që nuk e pati të lehtë ta shohë Kosovën e lirë! Ne nuk kemi ardhur këtu për urrejtje, kemi ardhur për kujtesë. Kemi ardhur të kërkojmë drejtësi të barabartë për secilin. Sepse drejtësia duhet t’i shërbejë së vërtetës”, tha Selimi.

Ai ka treguar se kujtesa për luftën, sipas tij, ndërtohet edhe përmes memorialeve, këngëve dhe rrëfimeve të brezave që e kanë përjetuar atë periudhë.

“Unë nuk e kam përjetuar luftën, por sa herë që kaloj pranë memorialeve, shoh emrat e UÇK-së, dëgjoj këngët kushtuar dëshmorëve dhe lirisë, dëgjoj historitë nga ky brez dhe dëgjoj historinë se si Kosova u çlirua me qëndresë, e kuptoj se liria ime ka pasur një çmim. Këngët që këndohen për dëshmorët, për trimërinë dhe për Kosovën, nuk janë vetëm një melodi. Ato janë kujtesë, me nder e krenari. Ato na përcjellin zërin e një brezi se luftoi dhe sakrifikoi për lirinë tonë”, u shpreh ai.

Selimi ka thënë se edhe vendet dhe gjurmët e luftës janë pjesë e historisë që duhet ruajtur.

“Ato male, ato rrugë, ato shtëpi të djegura, ato varre, ato këngë, ato memoriale janë pjesë e historisë sonë. Ato na kujtojnë se liria nuk erdhi lehtë dhe pas saj qëndrojnë sakrifica të mëdha”, tha ai.

Në fund, Selimi ka bërë thirrje që brezi i tij ta shohë ruajtjen e kujtesës dhe ndërtimin e Kosovës si përgjegjësi.

“Prandaj sot nuk dua të flas vetëm në emrin tim, dua të flas për brezin tim, për ne që luftën e njohim vetëm nga historia, këngët dhe rrëfimet, por që kemi detyrim të mos e lejojmë që historia të harrohet. Sepse ne nuk trashëguam vetëm një shtet, trashëguam një amanet: ta duam këtë vend, t’i dalim zot këtij vendi, ashtu siç i dolën zot atdheut ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë. Ta ndërtojmë këtë vend me dije, punë dhe përgjegjësi. Ta ruajmë lirinë dhe paqen për të cilat u derdh gjak, t’i kujtojmë ata që u sakrifikuan, dhe kur besojmë se është bërë padrejtësi, ta kemi guximin ta ngremë zërin”, ka deklaruar Selimi.

Ai e ka mbyllur fjalimin duke përsëritur thirrjen e protestës.

“Prandaj sot, për të rënët, për të pagjeturit, për familjet e tyre, për veteranët dhe invalidët e luftës, për të gjithë ata që u sakrifikuan dhe për brezat që do të vijnë pas, ne theksojmë: Jo në emrin tim! Jo në emrin tim!”, shtoi Selimi.

Në protestë ka folur edhe veterani i luftës çlirimtare, tenori Ramë Lahaj, i cili ka bërë thirrje për bashkim të forcave politike dhe shoqërore.

“Kosovës i duhet objektivisht unifikimi dhe bashkimi i të gjitha forcave, pa marrë parasysh bindjet politike apo fetare. Së bashku jemi për detyrë për të ndërtuar një Kosovë të sigurtë, me ushtri edhe me edukim më të mirë. Kemi derdhë gjak për një të ardhme premtuese për fëmijët tanë. Kjo duhet të jetë beteja jonë e vetme sot”, tha Lahaj.

Ai ka kërkuar që vlerat e luftës dhe paqes të ruhen përmes bashkimit.

“Së bashku fuqishëm duhet t’i dalim zot vlerave tona të luftës e paqes, se atdhe tjetër nuk kemi. Nga ky shesh i fitores, ku unë çdo herë mblidhem bashkë me baladat tona të nderuara për t’i kënduar lirisë e paqes, ju bëj një thirrje: për hir të gjakut të dëshmorëve, dohuni bashkë se atdhe tjetër nuk kemi!”, shtoi Lahaj.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Kurti: KRE-ja do të ruajë energjinë, investimi kap vlerën 236.7 milionë dollarë

Kurti: KRE-ja do të ruajë energjinë, investimi kap vlerën 236.7 milionë dollarë

Një muaj paraburgim për Gecin nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Mehmetaj

Një muaj paraburgim për Gecin nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Mehmetaj

Aleanca mblidhet të shtunën, Gjini shpalos platformën dhe strategjinë e këtij subjekti për zhvillimin e Kosovës

Aleanca mblidhet të shtunën, Gjini shpalos platformën dhe strategjinë e këtij subjekti për zhvillimin e Kosovës

AGK e sheh alarmuese vendimin e KPM-së për të licencuar Radio Policinë si radio shtetërore

AGK e sheh alarmuese vendimin e KPM-së për të licencuar Radio Policinë si radio shtetërore

Kurti e emëron Viktor Buzhalën zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Kurti e emëron Viktor Buzhalën zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Vergori: Optimizimi i KFOR-it nuk nënkupton tërheqje nga Kosova

Vergori: Optimizimi i KFOR-it nuk nënkupton tërheqje nga Kosova

Tahiri: Kuvendi duhet ta rishikojë ligjin për Dhomat e Specializuara, llogaridhënia është themel i demokracisë

Tahiri: Kuvendi duhet ta rishikojë ligjin për Dhomat e Specializuara, llogaridhënia është themel i demokracisë

Formohet grupi punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Formohet grupi punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Gazetari thotë se RTK e largoi nga puna për shkak të postimeve në Facebook

Gazetari thotë se RTK e largoi nga puna për shkak të postimeve në Facebook

Shiroka Pula: Synojmë anëtarësimin në NATO, KFOR-i të jetë mjet i drejtpërdrejtë sigurie

Shiroka Pula: Synojmë anëtarësimin në NATO, KFOR-i të jetë mjet i drejtpërdrejtë sigurie

Dosja e Prokurorisë: Zbulohen fjalët që Gani Geci ia tha Lirim Mehmetajt

Dosja e Prokurorisë: Zbulohen fjalët që Gani Geci ia tha Lirim Mehmetajt

Qeveria themelon grupin punues për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel, Konjufca në krye të tij

Qeveria themelon grupin punues për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel, Konjufca në krye të tij

Kërcënoi një qytetar me armë dhe rezistoi ndaj policisë, arrestohet personi i dyshuar në Fushë Kosovë

Kërcënoi një qytetar me armë dhe rezistoi ndaj policisë, arrestohet personi i dyshuar në Fushë Kosovë

Senatori amerikan: Kosova propozoi marrëveshje financiare për ta bërë Bondsteelin bazë të përhershme të SHBA-së

Senatori amerikan: Kosova propozoi marrëveshje financiare për ta bërë Bondsteelin bazë të përhershme të SHBA-së

Gjilani mposht bindshëm Drenicën, fiton pas tri vitesh në shtëpi ndaj këtij kundërshtari

Gjilani mposht bindshëm Drenicën, fiton pas tri vitesh në shtëpi ndaj këtij kundërshtari

Shqipëria mbyll kapitullin e 4-t të negociatave me BE-në, Rama: Le ta tundim këtë shtëpi, ta bëjmë realitet

Shqipëria mbyll kapitullin e 4-t të negociatave me BE-në, Rama: Le ta tundim këtë shtëpi, ta bëjmë realitet