Kush tha që nuk jemi vëllezër me serbët!

E publikuar: 12/10/2015 00:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mero Baze

Dje ma prishën gjakun serbët jo në Elbasan, por në Beograd. Ndërsa kombëtarja e tyre e futbollit po kthehej fitimtare nga Shqipëria me dy gola, në aeroport nuk kishte më shumë se dy, tri vetë që i prisnin. A thua se në Shqipëri ata i kishin tupëruar.

– Ç’të jetë kjo që ndodh vallë, pyeta veten?

Përse ta kenë bërë serbët këtë? Ku gaboi kombëtarja e tyre? Çfarë prisnin serbët të bënin më shumë sesa të fitonin në Shqipëri? Por asnjë përgjigje nuk i jepja dot vetes. Pak nga pak fillova të bindem, se në fakt civilizim i vërtetë është të mos përziesh kombin me kombëtaren dhe as historinë e kombit me historinë e futbollit. Serbët qenkan sjellë normal fillova të bindë vetëveten. Ata nuk kanë asnjë interes më për rezultatet e ekipit kombëtar pasi janë skualifikuar nga Evropa.

Nuk kanë për këtë arsye përse ta presin kombëtaren në aeroport, as pse ta shndërrojnë në festë kombëtare një fitore të tillë. Ata zakonisht ngrejnë mite mbi humbjet. Për shembull sikur t’i kishim rrahur këtu, sikur t’i kishim gjuajtur me drunjë dhe shufra hekuri si ata në Beograd, sikur tu kishim hedhur gaz lotsjellës etj, ata mund të kishin prodhuar dje në Beograd një ditë të shënuar heroizimi dhe populli do dilte në rrugë t’i priste viktimat si heronjë dhe ta fuste humbjen në histori si një ditë të shenjtë të tyre.

Por as kjo nuk ndodhi. Ata zbritën një nga një avioni, hipën në autobus dhe ikën.
Paska mbaruar Serbia, thashë me vete. Mendo ç’bëmë ne kur u kthye ekipi ynë nga Beogradi. Shkuam të gjithë në Rinas t’i presim si heronjë. Radha e gjatë 2 kilometra. Unë që s’para marr vesh nga futbolli, pyeta një mikun tim çfarë ka ndodhur që po e presim ekipin kombëtar se ndeshja u ndërpre?

– Po e presim për dronin, tha, për atë flamurin me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin?

“Po pse kanë luajtur dhe futboll këta të dy, i thashë? Se po të kenë lozuar në rini të tyre, njëri do ketë qenë me Turqinë e tjetri me Serbinë, ç’punë kemi ne t’i kemi simbole të ekipit kombëtar.

Ne mund të kemi Panajot Panon, Zhegën, Voglin, Kushtën e ku di unë se s’më kujtoheshin as futbollistë të shquar.

Nuk mora shpjegime më.

Dhe e gjitha kjo më vinte ndërmend ndërsa shikoja zbritjen e tyre të heshtur në Beograd, që po linte në hije evropianizimin tonë në Tiranë përballë tyre. Por më në fund ndodhi diçka që më shpëtoi. Ishte kryeministri Vuçiç. Sot në mesditë ai i thirri gjithë lojtarët e ekipit kombëtar në zyrën e tij, i uroi një për një, u tha që ju keni bërë krenar çdo serb, u tha që Serbia ishte dje e bashkuar rreth jush, u tha se ju jeni heronjtë e kombit, u tha se ju shkruajtët një histori të re ndaj shqiptarëve…Çfarë s’iu tha. U qetësova më në fund, se thashë se na e futën dhe u bën më evropianë se ne. Por Vuçiç na shpëtoi.

E bëri fiks siç e bëmë ne, që dorëzuam historinë tonë dhe fatin e saj në brekët e ekipit kombëtar duke na e zbathur serbët bythën në diell. Vuçiç bëri të kundërtën. E mbuloi atë me brekët e futbollistëve të tij. Atë që zakonisht e bëjnë serbët në histori, e bëri Rama se ai shpalli ditë të shenjtë ditën e humbjes. Atë që bënim ne zakonisht, kur çdo kryeministër quan arritje kombëtare golat, e bëri Vuçiç. Dhe mos thoni që nuk jemi dy popuj miq. Vëllezër e shkuar vëllezërve jemi. Nga huqet natyrisht!