Arrihet marrëveshja për hapjen e korridorit të ri ajror Shqipëri-Kosovë

E publikuar: 17/06/2020 13:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Albcontrol” dhe Agjencia e Shërbimeve të Navigimit Ajror e Kosovës kanë nënshkruar një letër – marrëveshje për koordinimin e trafikut ajror mes Tiranës dhe Prishtinës, transmeton “Zeri.info”.

Në një postim në faqen zyrtare të ASHNA-s është bërë e ditur se një hap i tillë mundëson normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës, pasi korridori i ri ajror shkurton për rreth 15 minuta fluturimet.

“Ky është një hap i rëndësishëm për normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës, sepse korridori i ri ajror do t’i shkurtojë për rreth 15 minuta fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ dhe si rrjedhojë do t’i rrisë përfitimet e udhëtarëve, do t’i ulë kostot operuese të kompanive ajrore dhe emetimet e karbonit drejt një aviacioni më të gjelbër”, thuhet më tej në njoftim.

Kjo marrëveshje është lidhur në kuadër të projektit “Mbledhja për normalizimin e aviacionit të Ballkanit” (BANM), e udhëhequr nga NATO-ja.