Veteranët rrezikojnë shtetin

E publikuar: 03/06/2016 15:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Nuk dimë çfarë të bëjmë…”, ngrit supet ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti derisa me gjysmë zëri flet për numrin rekord të veteranëve të luftës së UÇK-së. Ai është në hall se si ti siguroi afro 100 milionë euro në vit për t’i paguar “pensionet” e ish luftëtarëve.
Përveç kësaj Hoti druan se do të vihen në rrezik edhe mbi 400 milionë euro para të planifikuara për financim të projekteve kapitale nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Ne jemi në një fazë ku e rrezikojmë marrëveshjen drejtë për së drejti me FMN-në. Nuk e di ende se çfarë zgjidhje duhet gjetur tani për ta tejkaluar këtë çështje. Të dhënat e fundit tregojnë numrin prej 46 mijë e 230 veteranëve. Kjo i tejkalon të gjitha parashikimet tona, është katërfish më shumë se sa i kemi parashikuar”, ka thënë Hoti për Gazetën Fjala.

Ministria e Financave deri më tani ka qenë e përgatitur për 12 deri 13 mijë persona të kësaj kategorie që mund ti paguaj deri në 25 milionë euro.

Shqetësimin ia kanë shprehur edhe udhëheqësit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët po kërkojnë që të rishikohen skemat e veteranëve për të shmangur ndonjë krizë eventuale që do të qonte edhe në prishjen e marrëdhënieve me Kosovën.

Në një prononcim për Gazetën Fjala, shefi i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen, ka deklaruar se me 46 mijë e 230 veteranë shpenzimet për pensionet e veteranëve të luftës lehtë mund të kalojnë 70 milionë euro në vit, ndërsa shpenzimet në të gjitha skemat e lidhura me luftën mund të tejkalojnë 110 milionë euro në vit.

“Siç kemi bërë të ditur më parë, ne besojmë se shpenzimet vjetore për të gjitha skemat e lidhura me luftën duhet të jenë në kuotën e 60-75 milionë euro. Kosova thjesht nuk mund të përballojë për të shpenzuar më shumë se kaq”, ka thënë Vermeulen.

Prandaj, sipas tij tani më shumë se kurrë, “ne qëndrojmë pas kërkesave për të reformuar këto skema nga ana e Qeverisë”.

Ky është propozimi i FMN-së për Qeverinë

Sipas shefit të FMN-së, skemat e tanishme duhet të rishikohen dhe reformat e mundshme jo vetëm që do të gjenerojë kursime të nevojshme për të sjellë shpenzimet në një nivel më të përballueshëm, por edhe do ti bëjnë skemat më të drejtë dhe më pak shtrembëruese.

“Për shembull, tani, skema e veteranëve të luftës lejon që një veteran i aftë për punë në moshën ’30 ose 40 vjeç të marrë “pension” për tërë jetën. Kjo i dekurajon veteranët të gjejnë punë ose ti mbajnë pozita e punëve që kanë. Kjo gjithashtu inkurajon fshehjen e të ardhurave, si edhe praktikat mashtruese për t’u kualifikuar për pension”, thotë Vermeulen .

Ai mendon se kategorizimi i përfituesve të veteranëve nga buxheti sipas moshës do të ishte zgjidhja më e mirë.

“Derisa opsionet e ndryshme për reforma mund të merren parasyshë,përshkallëzimi i pensioneve për nga mosha mund të jetë një opsion i mirë, sepse kjo do të kursente të holla, do të ishte e drejtë (veteranët e rinj nuk duhet të marrin pension të plotë për tërë jetën), dhe kjo do të përmirësojë efikasitetin (të rinjtë nuk duhet të të dekurajohen nga puna)”, është shprehur Vermeulen, duke bërë të qartë se qëndrimet e tyre karshi reformimit të skemës sociale janë forcuar edhe më shumë pas raporteve të fundit lidhur me shifrat e veteranëve.

Ndërkohë që Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një intervistë për Gazetën Fjala ka thënë se shifrat e fundit të veteranëve përveç që rrezikojnë seriozisht marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtarë krijojnë telashe të mëdha për financimin e tyre.

Për këtë edhe do të kërkohet ndihma e koalicionit qeverisës, krahas akterëve të tjerë.

“Do të ulemi të diskutojmë me FMN-në dhe me të gjithë palët e interesit përfshirë edhe veteranët, shoqatat e veteranëve dhe Komisioni Qeveritar që ka verifikuar statusin veteranëve dhe të shohim cila është zgjidhja për këtë çështje”, ka thënë Hoti.

Veteranët nuk e dëgjonë FMN-në e Qeverinë

E derisa lista me 46 mijë e 230 veteranë ka krijuar mjaftë telashe për stabilitetin buxhetor në vend, ministri I Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë të ditur për Gazetën Fjala numri I veteranëve pritet të rritet edhe për 7 mijë, duke i përfshirë listat e invalidëve të luftës që do ti shtohen kësaj liste.

“Ende nuk kanë ardhur listat e invalidëve të luftës. Pasi që të vinë listat përfundimtare ne do t’i krahasojmë dhe më pas do të shohim si do të veprojmë”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.

E të gjithë këta që u është njohur statusi I veteranit, cfarëdo që të vendos Qeveria, nuk do të pranojnë tu zbriten pensionet nën pagën minimale sic parashihet me ligj.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë se për numrin kaq të madh të personave që janë future në listat e veteranëve, përgjithësi duhet të japin Agim Çeku dhe Faik Fazliu, të dy këta në komisionin verifikues.

Përgjegjës për këto ‘fryrje’ të listave Jashari po i bënë komandantët e zonave dhe vartësit e tyre.

“… për këtë çështje pyeteni komisionin. Ata munden me fol ma shumë se e kanë bart procesin. Ne ende si komision nuk kemi firmos këtë proces. Unë së pari nuk jam nënshkrues i këtij procesi”, ka thënë Jashari për Gazetën Fjala.

Ai deklaroi se veteranët nuk do të lejojnë që tu ulen pensionin nën pagën minimale. Nëse kjo ndodhë atëherë sipas tyre do të ketë sërish protesta para Qeverisë së Kosovës.

“Jo nuk ka shancë Qeveria me i ul pensionet. Të rishikohen listat. Unë nuk besoj që ka qenë numri kaq i madh I veteranëve”, ka thënë Jashari./Gazeta Fjala/