Ramush Haradinaj për arkivolin para Qeverisë – “Ishte aksion simbolik”

E publikuar: 02/03/2020 12:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, thotë se janë arrestuar tre aktivistët e partisë së tij për shkak të një “aksioni simbolik”.

Aktivistët e AAK’së vendosen sot para Qeverisë një arkivol, i cili, sipas AAK’së simbolizonte varrosjen e parimeve të kryeministrit Albin Kurti.

Haradinaj thotë se duke u arrestuar aktivistët që kanë kryer aksionin, Kurti po dëshmon “shkelje flagrante” të parimeve të dikurshme të tij.

“Dënoj ashpër aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjëve të AAK-së, Naim Ramizi, Musa Lekaj, dhe Edonis Kamberi, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë. Trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë Kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës, dhe ligjeve në fuqi”, ka shkruar Haraidnaj, transmeton Gazeta Express.

Ish-kryeministri Haradinaj ka kërkuar që menjëherë të lirohen aktivistët e AAK’së.

“I bëjmë thirrje pushtetit dhe institucioneve të rendit, që të lirojë menjëherë aktivistët e arrestuar, dhe të mos ua shkelë të drejtën e garantuar të kundërshtimit paqësor e politik qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shkroi Haradinaj. /Express/