Pro dhe kundër Lajçakut si përfaqësues i BE-së në dialogun Kosovë – Serbi

E publikuar: 02/03/2020 10:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, pritet të jetë përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi pas emërimit të Richard Grenellit nga SHBA-ja. Mirëpo, me këtë propozim të BE-së nuk po pajtohet presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili deri më tani ka qenë një ndër protagonistët kryesorë të dialogut me Serbinë. Përderisa nga Qeveria e Kosovës nuk e kanë komentuar emërimin potencial të Lajçakut, njohësit e politikave evropiane po e shohin atë si të dobishëm në këtë proces.

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se emërimi i mundshëm i Lajçakut si ndërmjetësues special i BE-së mund të jetë i dobishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Shasha thotë se Lajçaku është diplomat, i cili gëzon respekt ndërkombëtar, të bazuar në përvojën 20-vjeçare diplomatike sidomos në Ballkanin Perëndimor. “Lajçaku ka qenë ambasador i Sllovakisë në disa vende të Ballkanit, mbikëqyrës i referendumit të Malit të Zi për pavarësi, përfaqësues i BE-së për Bosnjë dhe Hercegovinën, drejtor menaxhues për Rusinë, Fqinjësisë Lindore dhe Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, ministër i Jashtëm i Sllovakisë, si dhe president i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Rrjedhimisht emërimin e z. Lajçakur duhet parë si një sinjal pozitiv për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”, ka thënë Shasha.

Njësoj mendon edhe njohësi i çështjeve integruese evropiane Besnik Vasolli. Ai potencon se në bazë të përvojës që ka me shtetet e rajonit, Lajçaku mund të luajë një rol konstruktiv në këtë proces. “Lajçaku kishte një përvojë politike të hidhur në BH dhe kjo është një shans që ta përmirësojë imazhin e tij. Ai e njeh rajonin mirë, shërbeu dy herë në rajon së pari ishte i angazhuar ta mbikëqyrë referendumin e Malit të Zi për pavarësinë më 2006-n dhe më pas gjatë periudhës 2007 – 2009 ishte i angazhuar si përfaqësuesi special i BE-së në Bosnjë e Hercegovinë në cilësinë e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare. Ai po ashtu ka eksperiencë me institucionet e BE-së”, ka shtuar Vasolli.