Për një lumturi të brendshme bruto

E publikuar: 20/03/2015 19:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

GILMAN BAKALLI
Për ekonominë vlen ajo që vlen edhe për etikën: të sigurojë një jetë të mirë për mundësisht sa më shumë njerëz. Sepse, në fund të fundit, ekonomia s’është gjë tjetër veçse vënia në praktikë e filozofisë morale me mjete financiare.

Sipas kalendarit të Ditëve Ndërkombëtare, 20 Marsi festohet si Dita Ndërkombëtare e Lumturisë. Lumturia do të duhej të ishte objektivi final, përtej progresit material, i ekonomisë së një vendi, por, si kudo në botë, edhe në Shqipëri ekonomia përdor matës të tjerë për mirëqenien e shoqërisë. Nuk është lumturia instrumenti me të cilin ekonomia mat vetveten, por prodhimi i brendshëm bruto, d.m.th vlera e përgjithshme e mallrave dhe e shërbimeve të prodhuara brenda një viti nga një ekonomi. Ajo që matet është shuma e të gjitha aktiviteteve ekonomike të paguara me lek. Çdo tonelatë beton e derdhur mbi parqe, çdo pallat që ndërtohet, çdo udhëtim me autobus, çdo vizitë në muzeum apo tek mjeku kontribuojnë në prodhimin e brendshëm bruto. Dhe sipas logjikës politiko-ekonomike, sa më i lartë prodhimi i brendshëm bruto, aq më e suksesshme ka qenë politika dhe aq më e lartë mirëqenia e shoqërisë. Me fjalë të tjera, kur bashkia dhe qeveria rrafshojnë pemët tek Parku i Liqenit Artificial për të ndërtuar pallate shumëkatëshe, kjo e rrit prodhimin e brendshëm bruto dhe, rrjedhimisht edhe mirëqenien tonë. Edhe në ato raste, kur, për shkak të zhurmës, ndotjes dhe stresit, mijëra shqiptarë shkojnë tek mjeku apo tek psikiatri, prodhimi i brendshëm bruto rritet dhe, rrjedhimisht, rritet edhe mirëqenia jonë. Edhe kur malet me plehra rriten çdo ditë, duke bërë të nevojshme ndërtimin e pajisjeve për përpunimin e tyre, prodhimi i brendshëm bruto rritet dhe, rrjedhimisht rritet edhe mirëqenia jonë. Edhe kur malet gërryhen dita-ditës nga makinat gjigante që furnizojnë me gurë fabrika çimentoje, prodhimi i brendshëm bruto rritet dhe, rrjedhimisht rritet edhe mirëqenia jonë. A ka ide më absurde se kjo?! Duke llogaritur prodhimin e brendshëm bruto nuk kemi thënë asgjë në lidhje me mirëqenien e njerëzve, e cila përbën objektivin primar të ekonomisë. Elemente të qenësishme si cilësia e ajrit, e ujit të pijshëm, e ushqimit, e shërbimit mjekësor, e sigurisë së jetës, e sigurimeve shoqërore nuk llogaritet fare në prodhimin e brendshëm bruto.

A ka alternativë tjetër, e cila mund ta relativizonte sadopak këtë dogmë? Butani, një vend i vogël në Azinë Jugore, e ofron një alternativë të tillë. Më 2006, revista Business Week e rendit Butanin si vendin më të lumtur në Azi dhe në vend të 8-të në rang botëror. Butani është një nga ato pak vende të rruzullit tokësor që nuk i kushton rëndësi të madhe rritjes së prodhimit të brendshëm bruto. Në rang ndërkombëtar ky shtet renditet i 113-ti sa i takon madhësisë së prodhimit të brendshëm bruto, por kjo nuk i shqetëson aspak butanezët dhe drejtuesit e shtetit. Në vitin 1972, në kushtetutën e Butanit ka një tjetër indeks: “lumturia e brendshme bruto”. Shtysën për një ndryshim të tillë rrënjësor ky shtet e mori nga një artikull në Financial Times. Autori amerikan i këtij artikulli theksonte se rritja ekonomike e këtij vendi linte për të dëshiruar. Mbreti i Butanit, Jigme Singye Wangchuck reagoi personalisht ndaj artikullit, duke sqaruar se amerikanët s’kuptojnë gjë fare sesi janë punët në Butan. Qëllimi i qeverisë butaneze nuk është rritja ekonomike, por lumturia e shtetasve. Dhe menjëherë mbreti ngriti Komisionin për Matjen e Lumturisë së Brendshme Bruto. Detyra e këtij komisioni: përllogaritja statistikore e standardit të jetesës duke përfshirë të gjithë faktorët psikologjikë dhe shpirtërorë të lumturisë. Sipas vetë drejtueses së këtij Komisioni, Karma Tishiteem, “rritja ekonomike duhet të marrë në konsideratë edhe atë që dëshirojnë njerëzit, kryesisht çështje të ambientit, kulturës dhe traditës”.

Do ishte mirë që, ashtu si në Butan, çdo program, çdo reformë politike në Shqipëri të maste njëkohësisht edhe nëse i shërben lumturisë së popullsisë. Matja e prodhimit të brendshëm bruto apo e rritjes ekonomike është një instrument që ngatërron sasinë me cilësinë. Sepse problemi i mirëqenies nuk qëndron tek rritja e as tek shuma e mallrave të prodhuara. Çështja kryesore është se çfarë duam të arrijmë, në cilin drejtim do shkojmë? Duam të arrijmë fryrjen e industrisë së ndërtimit dhe asaj të reklamave, sepse njëra sjell vende pune për votuesit, kurse tjetra votues lehtësisht të manipulueshëm? Duam të kënaqim makutërinë e sipërmarrësve të ndërtimit dhe t’i kafshojmë malet për të prodhuar çimento duke ia shkatërruar mushkëritë njeriut dhe natyrës? Apo duam të investojmë për një mirëqenie imateriale të dijes, kulturës dhe të intelektit? Më duket se për lumturinë tonë nuk ka dhe aq rëndësi rritja e prodhimit të brendshëm bruto, sa ka drejtimi i ekonomisë. Sepse për ekonominë vlen ajo që vlen edhe për etikën: të sigurojë një jetë të mirë për mundësisht sa më shumë njerëz. Sepse, në fund të fundit, ekonomia s’është gjë tjetër veçse vënia në praktikë e filozofisë morale me mjete financiare.

/Mapo.al