Martial kërkon rinisjen e bisedimeve për zgjatjen e kontratës me Unitedin

E publikuar: 23/01/2019 09:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anthony Martial dëshiron të nënshkruajë një marrëveshje të re me Manchester Unitedin.

Ai vendosi të rinis bisedimet rreth zgjatjes së marrëveshjes së tanishme pasi që më parë kishte marrëdhënie të vështira me Jose Mourinhon.

Sulmuesi 23-vjeçar tashmë ka nisur të rilind nën menaxhimin e trajnerit të përkohshëm norvegjez, Ole Gunnar Solskjaer.

The Mirror shkruan sot se francezi besohet të ketë udhëzuar agjentin Philippe Lamboley për të arritur një marrëveshje me zëvendëspresidentin ekzekutiv të Unitedit, Ed Woodward.

Theksojmë se kontrata e lojtarit me Djajtë e Kuq përfundon gjatë kësaj vere, por menaxhmenti i klubit anglez dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me lojtari për së paku edhe dy vjet të tjera.

“Ishte e shkëlqyer për mua të punoja me një menaxher, i cili gjithashtu ishte sulmues në kohën e tij”.

“Ai më jep këshilla të mira, sidomos kur është fjala për pozicionimin përpara golave dhe teknikës së përfundimit. Më ka ndihmuar shumë. Këshilla më e mirë që kam marrë prej tij është se duhet të luaj në pikat e forta”, kishte thënë lojtari rreth raporteve me trajnerin e ri, i cili në shtatë ndeshjet e para ka po aq fitore.

Ndryshe, Martial deri më tani ka pasur 104 paraqitje për anglezët duke shënuar 32 gola. /Telegrafi/