Ekipet e zjarrfikësve në Shqipëri edhe në orët e vona të natës kanë vazhduar punën për të shuar të gjitha flakët që gjatë ditës kanë përfshirë një objekt shumëkatësh në Tiranë.
Si pasojë e këtij zjarri, 11 persona janë lënduar, e të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë pasur shenja asfiksie dhe djegie të lehta.
Gazetarja e ABC News, Bleona Prengezaj, lidhur me rastin ka dhënë detajet e fundit në Edicionin Special të Klan Kosovës.
Ajo ka thënë se përveç qytetarëve, të lënduar kanë qenë edhe disa zjarrfikës, por gjendja e tyre është stabile.
“Vatrat e zjarrit janë përhapur në të gjitha pjesët e pallatit. Bëhet fjalë për një pallat që edhe më herët ishte përfshirë nga zjarri, si shkak i llojit të materialit me të cilin është punuar fasada. Zjarri ka depërtuar edhe brenda banesave, të cilat janë djegur. Ekipet e zjarrfikësve janë ende në terren për të lokalizuar komplet zjarrin”, ka thënë ajo.
Sipas saj, dëmet janë të konsiderueshme.
“Zjarri ka filluar në një dyqan në katin e parë, i cili më pas është përhapur në gjithë objektin, por autoritetet do të dalin me një raport më të detajizuar lidhur me shkaqet.”, ka thënë ndër të tjerash ajo.
















