Një bandë kriminale e përbërë nga 5 shtetas shqiptarë është goditur nga autoritetet britanike, pasi ky grup kishte kryer të paktën 59 grabitje në shtëpi të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke vjedhur sende me vlerë deri në 1 milionë paund.
Të arrestuarit janë Endrit Nikolli 29 vjeç, Kristian Gropcaj 31 vjeç, Xhorxh Lleshaj 31 vjeç, Krisjian Dedndreaj 29 vjeç dhe Sidorjan Lleshi 27 vjeç. Katër prej shqiptarëve janë dënuar me 38 vjet burg në total, ndërsa dënimi për 29-vjeçarin Endrit Nikolli do të jipet më 29 prill.
Autoritetet britanike arritën të arrestonin bandën prej 5 anëtarësh nga një gjurmë këpuce e gjetur në një nga banesat e grabitura, gjurmë kjo e cila rezultoi vendimtare për zbardhjen e aktivitetit kriminal.
Një model këpuce i markës Primark ishte veshur nga njëri prej grabitësve, dhe këto atlete kishin një model unik për çdo individ, bazuar në shputën e tyre duke e bërë kështu këtë provë vendimtare për identifikimin e autorëve.
Hetimet zbuluan se banda përdorte kërkime në Google për të identifikuar zona të pasura dhe më pas shfrytëzonte platformën Rightmove për të parë planimetritë e banesave. Ata vendosnin objektiva javore për sasinë e arit dhe sendeve që synonin të vidhnin.
Sipas policisë, bëhej fjalë për një operacion të mirorganizuar kriminal.
“Nuk kemi të bëjmë me një hajdut të rastësishëm, por me një grup që planifikonte me detaje”, deklaroi një zyrtar i lartë i policisë.
Anëtarët e bandës hynin zakonisht në banesa nga katet e sipërme duke përdorur shkallë, për të shmangur sistemet e alarmeve, alarmet që mbulonin vetëm katin përdhesë. Pasi hynin në banesa, ata i shkatërronin duke kërkuar sende me vlerë dhe përdornin çarçafë si çanta për të transportuar plaçkën. Në një rast, kamerat e sigurisë i filmuan duke vjedhur një kasafortë të tërë.
Viktimat mbetën të traumatizuara nga këto ngjarje, ndërsa në një rast grabitja ndodhi kur pronari ishte ende brenda shtëpisë, sipas provave të administruara nga policia. 5 shqiptarët pranuan fajësinë në gjykatë të akuzuar për vjedhje dhe posedim të pasurisë përmes veprimtarisë kriminale.

















