Lazarati, një boshllëk i mbushur nga krimi

25.06.2015 17:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Lazarati, një boshllëk i mbushur nga krimi

Mero Baze
Një vit pas çlirimit të një fshati që ishte kthyer në një zonë të lirë krimi, po përballemi me depresionin e prodhuar nga boshllëku që la pas aksioni kundër “shtetit” simbol të hashashit. Një grup të rinjsh, të indoktrinuar nga islami politik i ISIS dhe të keqpërodur nga një frymëzim politik opozitar në atë fshat, janë kthyer sot në një bandë terroriste të mirëfilltë. Sipas dëshmive të njërit prej tyre, që u arrestua paradite, ata janë të mirëorganizuar, të pajisur me armë speciale dhe të qartë për të filluar një luftë, tashmë në emër të një ideologjie terroriste që duhet shkulur me rrënjë pa hedhur farë në këtë tokë.
Ajo që prodhoi çlirimi i Lazaratit nga krimi dhe plantacionet e hashashit është në të vërtetë një boshllëk, që po e mbush përsëri krimi dhe ideolgjia radikale e Islamit.

E vërteta është, se fshati pas asaj që ndodhi, ka një depresion të riorganizimit të jetës. Qindra njerëz që e kishin burim jetese hashashin po shikojnë mundësi të reja, por të gjithë së bashku duken, ose më mirë të themi, ndihen, të persekutuar nga ideja që u goditën politikisht. Kjo nuk është shumë e vërtetë, por ka pak rëndësi derisa përjetohet ashtu. Votimi thuajse 90 përqind për Partinë Demokratike, si hakmarrje ndaj asaj që i bën është pjesë e këtij indoktrinimi. Në mentalitetin e tyre, PD­ja i bëri të pasur, pasi i la të bëheshin tregtarë droge. Do kohë që ta kuptojnë sa dëm iu ka bërë kjo histori.

Tani një vit pas kësaj historie, duket se politika ka dështuar të ndryshojë këtë fshat. Gabimi i parë i madh është që fshati është konsideruar dhe pas rënies së kështjellës së drogës, si një geto berishiste dhe politikisht askush nuk ka guxuar të shkojë e të tentojë aty ndryshimin. Arrestimet masive dhe vonesa në gjykim, i ka vetësugjestionuar ata, si një fshat i martirizuar, që e kërkojnë sërish shpëtimin jo nga jeta e re që duhet të nisin, por tek rikthimi tek parajsa e humbur.

Në këtë mes, Partia Demokratike e Lulzim Bashës ka përgjegjësinë e saj, që ua ushqen këtë ëndërr, si premtim dhe si ofertë politike. I fiton apo i humbet ato 1 mijë vota në Lazarat, nuk ka shumë rëndësi. Për Partinë Demokratike ka shumë rëndësi ta thotë publikisht se Lazaratit nuk do t’i kthehet kurrë “parajsa” që ëndërrojnë. Kjo duhet bërë për ta ndihmuar Lazaratin, që të vetëçlirohet nga ajo ëndërr e fshehtë, e cila po e çon nga krimi në krim. Këtë gjë duhet ta bëjë Lulzim Basha, duhet ta bëjë nga Tirana dhe duhet ta bëjë në mënyrë bindëse.

Mos prisni që lazaratasit t’i binden Roland Bejkos, një kryetari PD­je në Gjirokastër, që sa herë flet, i vënë tritol tek shtëpia. Ai e ka më të lehtë të iki nga Gjirokastra se sa të bindë Lazaratin se Lulzim Basha nuk do t’ua kthejë parajsën e humbur. Qëndrimi politik ndaj të ardhmes së Lazaratit ka shumë rëndësi të artikulohet qartë nga PD. Ka rëndësi pasi atyre u duhet prerë shpresa se do të kthet një rikthim.

Së dyti, në Lazarat ka dështuar dhe depërtimi i qeverisë për një vit. Pasi ua hoqi kriminelët nga fshati dhe u çoi një postë policie simbolike, në të vërtetë nuk bëri asgjë intesive për ta ndryshuar atë realitet. Duket se dhe nga PS u konsiderua një fshat i huaj, i lidhur me Berishën, dhe kriminelët dhe u getoizua. Pas një viti, aty ke djem të rinj që adhurojnë ISIS dhe mbushin makinën me kokainë, një ideologji tipike terroriste e legjioneve që financojnë terrorizmin me drogë.

Të vetëizoluar, të vetësugjestionuar si armiq të pushtetit dhe të mllefosur që ua prishën parajsën, aty ka plot arsye për të mos bashkëpunuar me qeverinë, por kjo nuk është arsye që qeveria t’u thotë “kokën hëngshi” dhe t’i lërë në dorë të bandave të reja.

Së treti dhe më e rëndësishme është puna e Shërbimit Informativ Shtetëror. Ata që i raportojnë Berishës ku pi kafe Edi Rama e me kë hëngri darkë Ilir Meta, duhet së pari t’i raportojnë kryeministrit dhe Presidentit, që boshllëku i trafikantëve të drogës në Lazarat, po mbushet me një ideologji terroriste, që po rekruton djem të rinj. Tani duken dhe më qesharake ato reportazhet sesi besimtarët e devotshëm të Lazaratit nuk mbillnin drogë. Duket se ata bëjnë më shumë se aq. Po përdorin drogën për të financuar terrorizmin dhe duke indoktrinuar djem të rinj hallexhi.

Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të ishte aty në krye të punës dhe në pararojë të informimit për çfarë ndodhte.

Tani që gjithçka u lokalizua dhe po shkohet drejt pastrimit të vatrës, shteti duhet të ulet këmbëkryq në Lazarat dhe ta pastrojë deri në fund këtë histori.

E di që ka shumë zell të thuhet se kjo është një vepër e PD­së, por nuk është e saj. Krimi është një ideologji që nuk pranon boshllëk, ndaj aty nga indiferenca jonë kolektive, krimi e mbushi boshllëkun me një idoelgji të re terroiste.

Partia Demokratike është më përgjegjëse se kushdo tjetër, pasi është parti me ndikim në atë fshat dhe mund ta ndalë këtë trend, që për inat të qeverisë t’i çojë djemtë kokë turku tek ISIS. Akoma më tej ajo duhet të heqë dorë nga pritshmëria që u jep atyre njerëzve që me rikthimin e saj, ata do kenë parajsë hashashi. Problemi i parë është që kthimi i PD­së po bëhet i largët dhe dëshpërues, por mbi mbi të gjitha dhe nëse ndodh, nuk ka për t’u rikthyer më ajo kohë. PD­ja do të kthehet në pushtet kur t’i bindë shqiptarët që s’do ta bëj vendin Lazarat. Dhe kjo duhet thënë qartë dhe fortë, për të mos lejuar që pas pritshmërisë së PD, të fshihet terrorizmi më i ndyrë i këtij shekulli.

Ajo që duhet të bëjmë të gjithë, është të mos e braktisim Lazaratin dhe të mos e lëmë atë në duar të këtyre bandave. Të ulemi aty këmbëkryq, si në shtëpinë tonë dhe t’i bëjmë të ndjehen njerëz normalë, pa qenë nevoja të jetojnë me pushkën nën jastëk mos vjen shteti t’i kapë.

Ndryshe në vend të shtetit të Lazaratit do të kemi punë me Kalifatin e Lazaratit, të cilin duket se po e financojnë duke kompesuar mungesën e parave të drogës dhe duke ushqyer një frymëzim të ri terrori në vend.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Objekti i djallit që mbrohet n’emër t’Zotit!

Objekti i djallit që mbrohet n’emër t’Zotit!

Sa vështirë ish me përcjellë si motrën në varr

Sa vështirë ish me përcjellë si motrën në varr

Europa është një gënjeshtër e madhe, por mos na detyroni që të besojmë se dhe Amerika është një gënjeshtër e madhe!

Europa është një gënjeshtër e madhe, por mos na detyroni që të besojmë se dhe Amerika është një gënjeshtër e madhe!

Lulet mbi bajgën e gomarit

Lulet mbi bajgën e gomarit

Binjakëzimi SHIK-RIINVEST, gjunjëzoi shtetin

Binjakëzimi SHIK-RIINVEST, gjunjëzoi shtetin

Shën Tereza – 7 ditë nga shenjtërimi i përbotshëm

Shën Tereza – 7 ditë nga shenjtërimi i përbotshëm

Bajrush Morina: Kërkesë BE-së, hiqni vizat për në Hagë për politikanët e Kosovës!

Bajrush Morina: Kërkesë BE-së, hiqni vizat për në Hagë për politikanët e Kosovës!

Pis i poshtër…!

Pis i poshtër…!

Epoka e Merkelit nuk po merr fund

Epoka e Merkelit nuk po merr fund

Jo kala dibrançe elektorale

Jo kala dibrançe elektorale

Krasniqi kritikon fjalorin e politikës, a janë përfaqësues të Kosovës apo të dy kombeve të armiqësuar

Krasniqi kritikon fjalorin e politikës, a janë përfaqësues të Kosovës apo të dy kombeve të armiqësuar

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, veprimi i radhës i deputetëve

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, veprimi i radhës i deputetëve

Strategjia europiane e Shtetit Islamik

Strategjia europiane e Shtetit Islamik

S’ka fituar Lista, por keni humbur ju!

S’ka fituar Lista, por keni humbur ju!

Patriotizmi i ekzagjëruar

Patriotizmi i ekzagjëruar

“Patriotizmi” i kamufluar i Edi Ramës, i rrezikshëm për integrimet kombëtare

“Patriotizmi” i kamufluar i Edi Ramës, i rrezikshëm për integrimet kombëtare