Ky Parlament nuk ekziston!

E publikuar: 27/04/2016 14:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Burim Ramadani
Së pari, kjo përbërje parlamentare është intelektualisht dhe përmbajtjesisht më e varfra në historinë e parlamentarizmit demokratik në Kosovë. Së dyti, kjo përbërje parlamentare më së shumti reflekon suksesin e strategjisë së “blerjes industriale të votave”. Së treti, ky mandat parlamentar që nga fillimi u karakterizua me dëshmimin e forcës jopolitike, duke huqur kështu saktësisht thelbin e parlamentarizmit në sistemet demokratike
Kosova nuk ka Parlament! Thjesht, Parlamenti nuk ekziston! Ka diçka të tillë veç në formë fature të shtrenjtë!

Ose, hajt ta themi ma ndryshe:

Qytetarët e Kosovës veç paguajnë deputetët, por nuk kanë përfaqësim. Pra, nuk kanë deputetë.

Sepse, mbi të gjitha, detyra e deputetëve është përfaqësimi i interesit të qytetarëve. Në sistemin kosovar zgjedhor, deputetët përfaqësojnë interesin e qytetarëve nga e tërë Kosova. Nuk e kanë të ndarë as zonën, as komunën dhe as rajonin. Pra, shkurt e shqip, janë përfaqësues të së tërës, përveçse kanë të ndarë selektivisht komunitetin etnik, pastaj mund të vendosin vet rreth përfaqësimit të aspektit ideologjik dhe programor në ndërlidhje me kategori të ndryshme shoqërore.

Nuk po flas veç për ditën e sotme dhe as për bojkotin e Kuvendit nga deputetët opozitarë. Në fakt, bojkoti i punës së Kuvendit si mjet politik i ngritjes së vetëdijësimit mbi problemet e caktuara është qartësisht një instrument demokratik, ligjor dhe legjitim.

Për më shumë, bojkoti nga deputetët opozitarë është bojkot i institucionit politik, jo i punës së atij institucionin. Sespe, veç punë në këtë Parlament nuk bëhet. Dhe, as nuk është bërë për gati dy vjet me radhë.

Tek e fundit, për çka do të mbahet mend ky mandat i Kuvendit? Për çka do të flasim të gjithë ne dhe, në veçanti, deputetët e kësaj legjislature? Për çka do t’i kërkojnë votat e qytetarëve, sërish, pothuajse të njëjtit?

Thelbi i parlamentarizmit mund të përmblidhet në një definim krejt bazik:

“Është institucioni ku konkurrojnë idetë programore për përmirësimin e jetës së qytetarit dhe në bazë të arsyeshmërisë së përmbajtjes së këtyre ideve edhe vendosen politikat publike në shërbim të qytetarit, përatësisht taksapaguesit!”.

Hajt tash e të mendojmë gjerë e gjatë për politikat publike të nxjerra apo legjitimuara nga ky Parlament?

Nuk besoj se e tërë analiza dhe vëmendja për këtë mandat parlamentar duhet ta fokusojmë tek hedhja e vezëve, ujit apo gazit lotësjellës. Nëse ndalemi vetëm këtu, edhe mund të kemi të drejtë selektive, porse qartësisht largojmë nga analiza të vërtetën e plotë të këtij mandati parlamentar.

Në këtë pamje, besoj se duhet të kemi parasysh të paktën tri premisa themelore në matjen e supozimit se ky Parlament nuk ekziston:

Së pari, kjo përbërje parlamentare është intelektualisht dhe përmbajtjesisht më e varfra në historinë e parlamentarizmit demokratik në Kosovë.

Si e tillë, kjo përbërje parlamentare, si asnjëherë më parë, ka brenda vetes një numër jashtëzakonisht të kufizuar të folësve parlamentarë të përgatitur si në përmbajtje, ashtu edhe në argumentim dhe në përfaqësim. Hiq disa deputetë, që vërtetë mund të cilësohen si përfaqësues, pjesa tjetër është asgjë më shumë se “taksirati i pagës”. Për më keq, kjo ndikoi ‘dhunshëm’ në vetë-përmbushjen e supozimit se “ky parlament është një trup totalisht joracional i votimit”. Shembull konkret, votimi për militantët partiakë në Borde të agjencive “të pavarura”.

Së dyti, kjo përbërje parlamentare më së shumti reflekon suksesin e strategjisë së “blerjes industriale të votave”, që ka ndodhur si pasojë e stërkeqjes së nivelit të demokracisë në Kosovë. Sidomos, pas zgjedhjeve me “vjedhje industriale” në vitin 2010, Parlamenti i zgjedhjeve të vitit 2014 doli të jetë kampion i tregëtisë së jashtëligjshme të votave ndër-partiake dhe brenda-partiake, përkatësisht “Parlament i përfaqësimit të parave të deputetëve”. Kështu, ky Parlament u mblodh me legjitimitet të zbehur dhe, për më pak se dy vjet, kaloi në fazën më mediokre të historisë së parlamentarizmit demokratik kosovar.

Së treti, ky mandat parlamentar që nga fillimi u karakterizua me dëshmimin e forcës jopolitike, duke huqur kështu saktësisht thelbin e parlamentarizmit në sistemet demokratike. Bazuar në këtë premisë, rikonfirmohet supozimi se “ky Parlament nuk ekziston”. Qartësisht, kur nuk ekziston përfaqësimi politik, nuk ka sesi të ekzistojë parlamenti demokratik.

Sigurisht se për analizimin e plotë të të gjitha perspektivave, shoqërisë kosovare do t’i duhet më shumë kohë dhe më shumë situata krahasuese.

Por, përfundimisht, këto dy vjet të mandatit të tashëm parlamentar kemi parë se është i vërtetë një konstatim, që shpesh nuk duam ta pranojmë:

“Ka edhe më keq!”.