Forcat e Armatosura të Kosovës – kontribut për sigurinë rajonale

E publikuar: 02/11/2017 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Secili nga ne e ka të qartë, besoj unë, se kompletimi i Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare të Kosovës është jo vetëm çështje e shtetësisë, por është edhe çështje e sigurisë për secilin dhe për të gjithë në Kosovë.

Kosova pa dyshim ka shumë çka të kontribuojë në sigurinë rajonale.

Kosova ka shumëçka për të bërë e për të dhënë për sigurinë e qytetarëve të vet, pavarësisht dallimeve që ekzistojnë.

Besoj se tashmë, që nga marsi 2017, ka filluar procesi për transformimin e FSK-së në FAK. Ky është proces dhe nuk do të jetë një vendim apo një akt i atypëratyshëm.

Ta themi qartë se Kosova nuk e ka traditë ndërmarrjen e hapave në mënyrë të pakoordinuar me partnerët strategjikë të Kosovës. Asnjë prej vendimeve të Kosovës nuk kanë qenë të ndara apo të izoluara. Prandaj, fillimi i procesit, pavarësisht nëse duket të jetë me sfida, ka ndërtuar momentumin e ri dhe jam i bindur se do të përfundojë me transformim të FSK-së.

Por, çka dhe si do të reflektojë kjo në Kosovë dhe në raportet e Kosovës në rajon?

Këtu, besoj unë, është një prej çështjeve themelore.

Serbët kosovarë – 4.2 për qind në FSK

Është jokorrekte të pretendohet se serbët kosovarë kanë qasje automatikisht negative ndaj FSK-së dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Përkundrazi, është në rritje nurmi i pjesëtarëve të FSK-së që janë nga komuniteti serb i Kosovës.

Brenda kësaj, ekziston një parim i gjithë-pranueshëm:

Pavarësisht dallimeve dhe mospajtimeve të individëve, nuk ka dallime dhe mospajtime për të shpëtuar jetë.

S’ka fare rëndësi kush është indivdi apo çfarë përkatësie etnike ka ai apo ajo, nuk ka miusion tjetër më të rëndëisshëm se sa shpëtimi i jetës.

Kjo është çka pjesëtarët e FSK-së janë të trajnuar dhe të aftë të bëjnë.

Në analizën e pozicioneve, qoftë edhe percepsioneve, duhet gjithsesi të bazohemi edhe tek faktet e prekshme, të matshme dhe të krahasueshme.

Tash për tash, janë 103 pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb i Kosovës. Përkatësisht, 4.2 për qind e pjesëtarëve të FSK-së janë serbë të Kosovës.

Për më shumë, nga 2453 pjesëtarë aktiv të FSK-së, këto janë shifrat e pjesëtarëve nga komunitetet jo-shumicë:

Serb:    103 pjesëtarë apo 4.20%

Turk:    47 pjesëtarë apo 1.92%

Boshnjak: 43 pjesëtarë apo     1.75%

Ashkali: 29 pjesëtarë apo 1.18%

Egjiptian: 13 pjesëtarë apo      0.53%

Kroat: 3 pjesëtarë apo 0.12%

Malazez: 3 pjesëtarë apo 0.12%

Goran: 2 pjesëtarë apo 0.08%

Rom:   2 pjesëtarë apo 0.08%

Maqedon: 1 pjesëtar apo 0.04%

Gjerman: 1 pjesëtar apo 0.04%

Pra, në total janë 247 pjesëtarë të FSK-së që vijnë nga komunitetet pakicë, përkatësisht 10.07 për qind e pjesëtarëve të FSK-së.  Këto janë shifra zyrtare të Ministrisë së FSK-së, të qasshme dje, më 31 tetor 2017.

Porse, përtej shifrave, politikat e Qeverisë dhe të FSK-së janë jashtëzakonisht promovuese.

Përveç funksionimit të Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore në kuadër të MFSK-së, ekziston dhe funksion po ashtu edhe Zyra për Çështje të Komuniteteve, e cila merret me të drejtat, nevojat dhe shqetësimet e pjesëtarëve të FSK-së nga komunitetet në të gjitha nivelet e FSK-së dhe të Ministrisë. Udhëheqësja e kësaj Zyre është një pjesëtare e komunitetit boshnjak dhe vjen nga Mitrovica e Veriut.

Këto janë vetëm pak nga faktet e prekshme që tregojnë qasjen profesionale dhe multi-etnike të FSK-së dhe të institucioneve të Kosovës. Sigurisht se kjo duhet të avancohet.

Por, për të avancuar kjo qasje, përfaqësuesit politik të serbëve kosovarë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur, kanë përgjegjësi të rëndësishme në nevojat e të drejtat e komunitetit të vet.

Pse të dështohet arritja e përfaqësimit dhe promovimit të të drejtave të pjesëtarëve serb në institucionet e sigurisë së Kosovës?

Ndëramarrja e një hapi prapa në këtë process të transformimit, nuk besoj se është mënyra më e zgjuar e përfaqësimit të komunitetit.

Prandaj, në këto rrethana, deputetët serb kosovarë mund t’i bëjnë një favor të rëndësishëm komunitetit të tyre. Të promovojë të drejtat e pjesëtarëve të FAK-ut sipas standardeve demokratike.

FAK nuk është qasje reaktive

Serbia, në të njëjtën kohë, mund të promovojë të drejtat e serbëve kosovarë duke marrë një pozicion kontruktiv në këtë proces. Institucionet dhe elita politike në Serbi do të mund të mbështetet në kapacitetet e Kosovës edhe për të mbrojtur komunitetin ser btë këtushëm, edhe për të promovuar sigurinë rajonale.

Realisht, FAK nuk do të jetë në asnjë formë rrezikim i sigurisë rajonale dhe as në raport biletaral me Serbinë. Përkundrazi.

Besoj që edhe elita politike e serbëve kosovarë, por edhe në Serbi, e kanë të qartë se e ardhmja e sigurt dhe e qëndrueshme duhet të jetë synimi i përbashkët rajonal kundrejt sfidave dhe kërcënimeve rajonale e globale.

Të tilla sfida e kërcënime Ballkani Perëndimor ka shumë, sikurse edhe pjesë tjera të botës.

FAK nuk është qajse reaktive e Kosovës ndaj Serbisë. Aq më pak, ndaj serbëve kosovarë. Po flasim për kompletimin e proesit të brendshëm në Kosovë.

Kosova nuk bën Ushtri kundër Serbisë. Kosova bën Ushtri në kuadër të ofrimit të sigurisë për qytetarët e vet dhe obligimeve që secili shtet ka sot në sigurinë rajonale dhe sigurinë globale.

Një qasje e tillë edhe nga Serbia besoj se do të ndihmonte shumë konsolidimin e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Porse, besoj se në cilindo version, procesi do të ecën përpara. Nuk ka rrezikim të raporteve midis Kosovës dhe Perëndimit, aq më shumë kur të gjitha proceset në Kosovë kanë pasur koordinimin e plotë për shumë vite me radhë.