BE: Në Kosovë mbështesim një strukturë të vetme institucionale sipas kornizës së saj ligjore

E publikuar: 30/04/2024 21:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Evropian tha se mbetet në qëndrimin e shprehur më herët se në Kosovë mbështet vetëm një strukturë të vetme institucionale dhe administrative, sipas kornizës ligjore të Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, blloku u shpreh se çështja e institucioneve që mbështeten nga Serbia duhet të zgjidhen përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kështu tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se cili është qëndrimi i BE-së lidhur me strukturat e Serbisë në territorin e Kosovës.

“Të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut janë plotësisht të harmonizuara me parimin e një strukturës së vetme institucionale dhe administrative, dhe ato ndjekin kornizën ligjore dhe institucionale të Kosovës, siç konfirmohet nga konkluzionet e Këshillit Evropian”, tha Stano në përgjigjen dërguar REL-it.

Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill, kur u diskutua për çështjen e dinarit serb. Gjatë takimit, pala serbe ka kërkuar që të gjitha institucionet serbe, që Kosova i konsideron ilegale, të vazhdojnë të financohen nga Beogradi deri në kohën kur të krijohet Asociacioni.

Sipas sqarimit të Stanos, statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në kuadër të dialogut, përkatësisht përmes themelimit të Asociacionit.

Ai i bëri thirrje Kosovës që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit pa vonesa në përputhje me draft-statutin e propozuar nga BE-ja vitin e kaluar.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Kosova ende nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij./rel/