Lavdija e Betejes së Zhegocit

E publikuar: 15/04/2024 08:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Nijazi Miftari – MILOTI

Pranverë e hershme e vitit 1999, mesi i muajit prill, është koha kur malet shkundin petkun e dushkut të shoqëruar me puhinë dhe erën e lehtë të pranverës e cila po bëhej gati të blerohej por kësaj radhe ishte një pranverë jo me erë e puhizë por një ushtimë trishtuese, drithëruese, rrëqethëse, që ndjellte frikë e panik, gjak e tmerr nga se po ia mësynte Malësisë së Zhegofcit hordhia vrastare çetnike kundrejt djalërisë dhe Shqipeve të Kreshtave Arbërore.
Më 15 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, forca të mëdha ushtarake, policore e paramilitare, kishin filluar mësymjen e Malësisë së Zhegofcit në disa drejtime, me qëllimin e vetëm” rrethimin e Shtabit të ZOK-ut të UÇK-së”, rrethimin e shpresës për liri, qëndresës dhe vlerës Kombëtare. Në këto male ku me shekuj u kultivua burrëria dhe lavdia kombëtare, zuri fill përballja e ushtarëve të lirisë, po shkreheshin pushkët grykëholla të dhjetëra e dhjetëra luftëtarëve të UÇK-së në njërën anë dhe arsenalit të paparë e të nduar-durtë të soldateskes së tiranit Millosheviq, me dhjetëra e qindra makineri të rëndë dhe mijëra e mijëra ushtarë, milic e paramilitarë serb në anën tjetër të frontit, si në kohën mitologjike. Forcat në betejë ishin tmerrësisht të pa barabarta, të gjasonte në Betejën e Termopiles, kur po përballeshin motivi dhe dhe frymëzimi i luftëtarëve Ilir, numerikisht të vogël të Leonidit Spartan me superfuqinë ushtarake të kohës dhe numerikisht shumë herë më të madhe të Kserksit Persian, por në këto troje gjatë historisë disa herë janë përsëritur legjendat duke krijuar mite e legjenda të reja.
Po kush mund të frymëzonte një luftëtarë lirie më shumë se krye-Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe qëndresa e pashembullt dhe heroike e Familjes Jashari.

Sa kalonte koha, luftimet më shumë e më shumë ashpërsoheshin, ajo që kishte shumë rëndësi dhe i shtonte vlerën betejës ishte vendosmëria e pa thyeshme shpirtërore dhe motivi e vullneti i lartë për t’iu kundërvënë armikut . Në këto përballje të ashpra dhe ballafaqime fyta-fyt, Karvanit të Lavdisë e të Pavdeksisë, i pari nga Karadaku e pati fatin t’i bashkohet Pajazit Ahmeti-PAJA. Luftëtarë i hershëm i Lirisë, Baba dhe bashkëshort i shkëlqyer, nip i Pajazit Ahmetit të parë, personazh Epik i këngëve folklorike, Trimi i Maleve të Zhegofcit-Paja, nuk po jepej, s’po dorëzohej, ai nuk po binte, ai po lartësohej në Altarin e Lirisë e të Pavdeksisë.

Vdekja e Pajës na goditi rëndë, e përjetuam si humbje të madhe dhe me dhembje në shpirtë por ramja e tij dhe dëshmorëve të tjerë na forcoi moralin dhe qëndresën heroike për vazhdimin e betejës për lavdi të reja, shënjestronim gjithçka në lëvizje dhe me sa fuqi kishim pa u kursyer u derdhnim gjakun maleve. Hordhitë çetnike, me të gjithë fuqinë e zjarrit po hidhnin zjarr e hekur mbi Ne me të gjitha armët që dispononin, edhe toka po rënkonte, edhe varret po trandeshin, ata po praktikoni tokën e djegur, por UÇK-ja nuk po jepej, jo pa e larë shkjau tokën me gjak.

Bishat e karpateve po përdornin popullatën shqiptare për mburojë, kishin nxjerrë para vetës së tyre popullatën e Verbicës dhe po i drejtonin në Grykën e Malit në drejtim të Zhegofcit të Poshtëm, ku edhe gjendej baza e ZOK-ut të UÇK-së. Rruga ishte e ngushtë për të nxënë atë lum të madh të popullatës së frikësuar e të traumatizuar që iknin me panik para tytave vrastare , ku shumë nga ta ishin: pleq, gra, fëmijë e vajza të reja të cilët ishin urdhëruar të vijonin rrugën në drejtim të fshatit Zhegofc i Poshtëm. Ne iu kërkuam popullatës të përshpejtonin hapin ashtu që Ne të përfitonim në kohë, për t’i ndalur turrin vrastar armikut….

“Ne u lumturuam kur arritëm t’i mbrojmë në atë ditë të rëndë po atë popullatë, bashkëkombësit tanë dhe atdheun, me sa fuqi që kishim, pa kursyer as trupat tanë, këtë kishim mision, kjo është shenjtëri para njerëzimit dhe para krijuesit”.

LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT!

Respekt e nder për Invalidët e Luftës dhe Bashëluftëtarët!

Nijazi Miftari- MILOTI!