Ekpertimenti i BE ka dështuar

E publikuar: 14/03/2015 20:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

BRUCE THORNTON
Mesa duket Evropa i ka humbur ato ideale dhe besime, që dikur e bënë “infermieren” e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Amerika e ka marrë këtë rol global, por nëse ne do të ndjekim rrugën e Evropës, e në qoftë se nuk e dimë se çfarë të besojmë, atëherë kush do ta zërë vendin tonë?
Kriza e ecurisë së dobët të Bashkimit Evropian është historia e madhe, e cila rrallë merr vëmendjen që meriton. Madje edhe një ngjarje e tillë, sikurse ishte sulmi i fundit terrorist në Francë që shkaktoi 17 të vdekur, shpesh neglizhohet nga probleme më të mëdha politike, ekonomike, dhe sociale, që prej një kohe të gjatë e kanë rrënuar projektin e bashkimit të vendeve të Evropës, pra shfrytëzimin e fuqisë së saj kolektive ekonomike, me qëllim shmangien e grindjeve të përgjakshme shkatërrimtare, të cilat në fakt kanë shenjuar historinë e kontinentit të vjetër.

Në frontin ekonomik, performanca e mjerë e BE-së gjatë 6 viteve të fundit u përmblodh në një titull domethënës nga revista “Business Insider”, dhjetorin e shkuar: “Evropa kutërbon”. Reçesioni i Madh i vitit 2008 nxorri në pah inkoherencën e strukturës ekonomike të BE-së, veçanërisht të monedhës së përbashkët, e cila mbahet peng nga politikat e ndryshme ekonomike të kombeve sovrane.

Të dhënat dëshmojnë atë çka ndodhi. Prodhimit i Brendshëm Bruto i BE-së u rrit me 1 përqind në vitin 2013, një normë kjo anemike, krahasuar me atë të SHBA-së, 2.2 përqind. Në dhjetor të vitit 2014, papunësia në BE ishte mesatarisht 1.4 për qind, ndërsa në SHBA ishte 5.6 përqind. Ne në Amerikë jemi të shqetësuar nga norma jonë e fuqisë punëtore 62.7 për qind, më e ulëta në 36 vitet e fundit. Por në BE, kjo normë ishte 57.5 përqind në vitin 2013. Dalja jonë nga reçesioni mund të jetë e ngadaltë, krahasuar me standardet tona historike, por ajo gjithësesi flakëron në krahasim me BE.

Problemet ekonomike të Bashkimit Evropian kanë shumë shkaqe, por ekonomitë e rregulluara keq dhe shpenzimet jashtë normales, që qeveritë kanë patur ndaj sistemit të mirëqenies sociale, janë dy arsyet më kryesore. Pavarësisht kërcënimit të politikave të imponuara nga reçesioni, shpenzimet qeveritare si përqindje e PBB-së u rritën realisht në BE, nga 45.5 përqind në vitin 2007 në 49 përqind në 2013, madje edhe kur shumë evropianë iu nënshtruan masave të ashpra “shtrënguese”, të kërkuara nga vende si Gjermania.

Greqia, anëtare e BE, gjithnjë e më shumë në rrezik për të dalë nga eurozona, ka rritur megjithatë shpenzimet të saj qeveritare nga 46.8 përqind në vitin 2007, në 59 përqind në vitin 2013. Sikurse Jozef Xhofe, i gazetës gjermane “Die Zeit” shkroi në janar: “Këto sëmundje janë të ngulitura thellë tek ekonomitë që kanë mbetur prapa në investime, inovacion dhe konkurrencë… Evropa si tërësi po fillon të duket si Greqia. Por në një periudhë afatgjatë Evropa, ashtu si edhe Greqia gjendet përballë dy zgjedhjesh: Reforma ose rënie”.

Në aspektin social, Bashkimi Evropian është i shqetësuar nga dy prirje: rënia demografike dhe prania e popullsive të përqëndruara të emigrantëve të paasimiluar e të pakënaqur myslimanë. Evropa ka një popullsi në plakje e sipër; nga viti 2030, një në katër evropianë do të jetë mbi 65 vjeç, çka reflekton dështimin e evropianëve për t’u riprodhuar.

Në vitin 1970, gratë evropiane kishin mesatarisht 2.1 fëmijë, që ishte edhe kufiri minimal i nevojshëm për të zëvendësuar një popullsi. Në vitin 2014, mesatarja ishte 1.6. Në vendet me moshë të ulët të daljes në pension dhe përfitimeve të mëdha nga sistemi social, një popullsi në plakje do të thotë shumë e më shumë para të marra nga të rinjtë produktivë dhe investimet e reja në ekonomi, duke zvogëluar më tej konkurrueshmërinë, risitë, dhe rritjen ekonomike. Dhe kjo do të thotë më pak punëtorë, një faktor kyç përsa i përket fluksit të emigrantëve në BE gjatë disa dekadave të fundit.

Siç vëren Ingo Kramer, kreu i Konfederatës së Shoqatave Gjermane të Punëdhënësve, “ne kemi nevojë për emigracionin për tregun tonë të punës, për të mundësuar që sistemi ynë social të funksionojë”. Një numër i madh i këtyre emigrantëve kanë ardhur nga vendet myslimane, duke sjellë me vete një fe dhe zakone sociale, radikalisht të ndryshme nga ato të Evropës.

Megjithatë, vendet evropiane kanë bërë një punë të dobët në nevojën për të asimiluar emigrantët, me kulturat e shoqërive të tyre të reja. Për rrjedhojë u krijuan përqëndrime të mëdha emigrantësh, të veçuar në lagjet si banlieues (periferitë) e Parisit apo satelitë të qyteteve si Amsterdami.

Të përjashtuar nga tregjet e punës, të ngopur me pagesat bujare të mirëqenies sociale, dhe të lejuar të kultivojnë besimet dhe praktikat kulturore armiqësore ndaj demokracisë liberale, shumë prej këtyre emigrantëve përçmojnë shtëpitë e tyre të reja, dhe gjejnë strehë tek islami radikal. Dhe sikurse ndodhi me dy vëllezërit franko-algjerianë, të cilët sulmuan zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo”, disa prej tyre bëhen direkt pjesë e terrorizmit.

Një dhunë e tillë, së bashku me praktikat kultrore, si vrasjet e nderit, martesat e detyruara dhe poligamia, u kujtojnë evropianëve, sesa shumë të huaj mbeten emigrantët. Ata ushqyejnë kësisoj një reagim të ashpër politik kundër myslimanëve, ku pasojat minimalisht do të jenë përçarëse, nëse jo të rrezikshme.

Për shembull, partitë populiste, kundërshtojnë emigracionin e shfrenuar, janë të zemëruar me ekonomitë e ngadalta të vendeve të tyre, e të acaruar kundër BE-së për shkeljet mbi sovranitetin kombëtar, tendeca këto në rritje në të gjithë Evropën. Dhe ka mjaft shenja, se parti të tilla kanë një mbështetje elektorale, gjithnjë e më të qëndrueshme. Në Francë, ku jetojnë 5 milionë myslimanë, popullata më e madhe e këtij besimi në Evropë, bestselleri i fundit është “Vetëvrasja franceze” nga Erik Zemur, që bën fjalë për erozionin, që ka pësuar identitetit kombëtare dhe sovraniteti francez.

Pas sulmeve terroriste në Paris, romani i ri shkrimtarit Mishel Ulebek “Nënshtrimi”, që imagjinon një Francë të sunduar nga “Vëllazëria Myslimane”, u bë një bestseller i menjëhershëm. Këto suksese letrare, kanë kuptimin e tyre, duke pasur parasysh se sipas një sondazhi të vitit 2013 në të përjavshmen franceze “L’Express”, 74 përqind e francezëve shprehen se Islami “nuk është në përputhje me shoqërinë franceze”.

Mendime dhe reagime politike të ngjashme, mund të gjenden në të gjithë Evropën.

Partia e Mbretërisë së Bashkuar të Pavarur në Angli, Fronti Kombëtar në Francë, dhe “Evropianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit” (PEGIDA) në Gjermani, janë të bashkuar në euroskepticizmin e tyre.

Ata të gjithë, bëjnë thirrje për një krenari të përtërirë të qytetërimit perëndimor dhe identitetet e tyre kombëtare, dhe kërkojnë kufizimin e politikave të emigracionit si dhe detyrimin e myslimanëve për t’iu përshtatur vendit ku ata jetojnë. Nëse këto parti vazhdojnë të shtojnë anëtarësinë e tyre, do të jenë një ditë në gjendje t’u bashkohen qeverive të koalicionit. Në këtë pikë, ata do të jenë në gjendje të ndikojnë në politikë, si për shembull kufizimin e imigracionit, çka do të çojë në një konflikt edhe më të madh politik, dhe ndodhta në një dhunë civile.

Të gjitha këto probleme ekonomike, sociale, dhe politike nuk janë sekret. Por zgjidhjet e propozuara për to, zakonisht përqëndrohen tek ndryshimet e politikave ose rregullimeve teknike, në strukturën dhe funksionimin e BE-së. Kjo nga ana e saj, ngre pyetjen themelore, që e ka shqetësuar Bashkimin Evropian që prej nënshkrimit të Traktati i Romës në vitin 1957:Çfarë përfshihet tek besimet kolektive dhe vlerat, që mund të formojnë themelet e një komuniteti të vërtetë evropian të gjerë? Cila është ajo, tek e cila besojnë të gjithë evropianët?

Evropa dhe kombet e saj, u farkëtuan në matricën e ideve, idealeve, dhe besimit të Krishterë, e cila i dha edhe nocione të tilla si të drejtat e njeriut, shenjtëria e individit, lirisë politike, dhe të barazisë. Sot, në të gjithë Evropën, besimi i krishterë, është një hije e vetëvetes. Gjithnjë e më pak, evropianët shkojnë rregullisht në kishë. Këto të fundit, janë duke u mbyllur anekënd kontinentit. Sipas “Wall Street Journal”, Kisha e Anglisë mbyll rreth 20 kisha në vit, ndëra Kisha Katolike Gjermane mbylli 515 kisha në dekadën e fundit.

Për shumë katedrale evropiane, është bërë e zakonshme, të kenë më shumë turistë, sesa besimtarë të rregullt, gjatë një shërbimi fetar. Ky proces i shekullarizimit, është nxitur që prej vitit 1887, kur Niçe tha shprehjen e famshme:”Zoti nuk është më shumë sesa një fjalë e venitur sot, madje nuk është as edhe një koncept”. Sot kjo shprehje ka gjetur jetësimin më të madh, duke i lënë evropianët pa parimin historik të unitetit.

As përpjekjet, për të gjetur zevëndësues të ndryshëm gjatë shekullit të kaluar, nuk arritën të mbushin këtë zbrazëti. Fetë politike si komunizmi dhe fashizmi dështuan me gjak, duke lënë pas male me kufoma. Këtë s’mundën ta bëjnë as emokracitë sociale laike, me idealet e saj utopike, që i pajisën njerëzit me parimin trandeshent, që përligj sakrificën për të mirën, apo edhe që i jep popullit një arsye për t’u riprodhuar.

Një angazhim i përbashkët në kohën e lirë, një javë pune me e shkurtër, dhe një rrjet bujar i sigurisë sociale, nuk cilësohen më ide

me vlerë për t’u vrarë apo vdekur për to. Nuk është as ideja e paqartë e një BE-je transnacionale, të sunduar nga eurokratët e papërgjegjshëm në Bruksel dhe Strasburg. Prej fillimit të saj, ideja e BE-së varej nga denigrimi i patriotizmit dhe krenarisë kombëtare, të cilat konsideroheshin se kishin çelur dikur rrugën e përjashtimit, nacionalizmit të gjakut dhe tokës, që nga ana e tyre ushqyen nazizmin dhe fashizmin.

Megjithatë, të gjithë popujt janë produkt i një kulture, gjuhe, zakoneve, historisë, traditave, dhe peisazheve të veçanta. Ideali abstrakt “postmodern” i BE për të tejkaluar identitete të tilla, ishte i destinuar të përplasej me dallimet reale kulturore, midis kombeve evropiane. Këto dallime, janë bërë më të dukshme gjatë krizës ekonomike të dekadës së fundit, kur gjermanët e begatë, qenë ngurrues të subvenciononin ata që i shohin si të dobët, grekët e shkujdesur, duke sugjeruar se ka më shumë çka i ndan, sesa i bashkon dy popujt. Se ndjenja e përkatësisë, në një komunitet të përcaktuar nga një identitet i përbashkët, nuk mund të krijohet nga një monedhë të vetme.

Krenaria kombëtare dhe dashuria për vetveten, nuk u eliminuan nga BE-ja, ndërsa ideologjia e elitave të saj burokratike, ndenji në heshtje vetëm për një fare kohe. Me krishterimin në agoni, dhe patriotizmin e stigmatizuar si neo-fashist, është befasuese që Evropa ka dështuar, për të gjetur një parim të unifikuar përtej thjesht një rehatie materiale, duke rezultuar në një gjendje të sëmurë mbarë kontinentale, e cila manifestohet tek politikat e ndryshme të dështuara që kërcënojnë sot projektin e BE, atë që Papa Françesku e cilësoi nëntorin e shkuar si “një përshtypje të përgjithshme e lodhjes dhe plakjes, të një Evrope që tani është një ‘gjyshe’ jo më pjellore dhe të gjallë”- një kulturë “e lodhur me ç’orientimin”.

Ne amerikanët, nuk duhet të kënaqemi nga fatkeqësia, që ka kapluar kushërinjtë tanë, duke i parë ndonjëherë me mospërfillje. Evropa, është ende kolektivisht ekonomia më e madhe në botë, dhe mundimet saj do të ndikojnë në mbarë globin. Ajo që është më e rëndësishme, është fakti që shumë nga tendencat që dobësojnë sot Evropën, janë aktive edhe në SHBA.

Përçmimi i krenarisë kombëtare dhe veçantësisë amerikane, rënia e peshës së krishterimit në jetën publike, multikulturalizmi dhe separatizmi i tij etnik, si dhe politikat e përçarjes së identiteteve, dhe preferenca e shumë amerikanë për shpenzime më të mëdha për sistemin e mirëqenies sociale, rishpërndarjen e pasurisë, dhe politikat ekonomike të drejtuara kryesisht nga shteti, të gjitha këto do të na rezervonin një fat të ngjashëm me Evropën.

Vetë-dyshimi mbi mirësinë e mënyrës së jetës së dikujt, dhe të jetuarit vetëm për kënaqësitë e sotme, janë luksi që një fuqi e madhe nuk mund ta përballojë. Në një botë të ideologjive të dhunshme dhe autokratëve agresive, një popull i lirë duhet të ketë diçka përtej kësaj bote, që ata besojnë se është me me vlerë për të vrarë apo për të vdekur për të. Mesa duket Evropa i ka humbur ato ideale dhe besime, që dikur e bënë “infermieren” e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Amerika e ka marrë këtë rol global, por nëse ne do të ndjekim rrugën e Evropës, e në qoftë se nuk e dimë se çfarë të besojmë, atëherë kush do ta zërë vendin tonë?

/Hoover Institution

/Perkthimi: www.bota.al/