E prishi martesën me gjermanin, u kthye në Kosovë

E publikuar: 10/03/2015 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vend se të kishte në mendje vetëm studimet, si të regjistrohej në Universitet e kur ta përfundonte ta gjente një punë, ajo duhej të mendonte për gjëra të tjera. Ndonëse në moshë të re, vetëm 20-vjeçare, i kishte rënë barra mbi supe që të kujdesej për familjen e saj me katër anëtarë, meqenëse nëna i kishte braktisur qysh moti. Është kjo vajza me inicialet T. G., nga komuna e Kllokotit, e cila rrëfen për gazetën shumë gjëra nga jeta e saj, e të cilat është dashur t’i bënte patjetër. “E kam pasur tejet të vështirë gjatë këtyre viteve, sepse nuk jetova sikur moshatarët e mi. Familja ime përbëhet nga katër anëtarë, dy vëllezërit, babi dhe unë, sepse nëna na ka braktisur kur unë i kisha 16 vjet. Kështu që nga ajo moshë më është dashur të kujdesem për vëllezërit dhe babanë, pasi që isha fëmija më i madh në familje e po ashtu isha vajzë dhe siç është traditë këtu tek ne vajzat kujdesen për shtëpinë e gjërat e tjera”, ka thënë ajo.

Jetonin në shtëpi të huaj

Babai i saj atëkohë kishte punuar në një pompë benzine dhe me të ardhurat që i merrte mezi ia dilte ta mbante familjen e tij. “Babai punonte dhe ato para që i merrte mezi na mjaftonin për bukë. E ne jetonim në një shtëpi të huaj, sepse shtëpia jonë ishte djegur në luftë, kështu që mëzi ia dilnim. Po ashtu, mezi shkolloheshim, sepse na mungonte veshmbathja e gjërat e tjera, por që mbaheshim disi”, thotë ajo, duke kujtuar atë kohë. Me të vërtetë e kishte të vështirë teksa tregonte këto gjëra sepse ishte një barrë e rëndë për të qysh në atë moshë t’i dilte zot familjes.“U bënë kështu disa vite dhe unë pasi mbarova shkollën e mesme në moshën 18-vjeçare më është dashur ta ndërpres të mos shkoj më tutje në fakultet, sepse nuk i kisha mundësitë, ndonëse isha nxënëse e dalluar. Kështu fillova të kërkoja një punë dhe u futa disi në një organizatë të huaj gjermane, që bënte punë humanitare dhe po ashtu ata më paguanin nga pak, por për mua ishin mjaft, sepse kisha nevojë tejet të madhe për para”, thotë kjo 20-vjeçare. Ishte gëzuar mjaft shumë kur kishte hyrë në atë organizatë, sepse i ishte bërë si krah i djathtë babait të saj. “Babai u gëzua kur më morën në punë, sepse i ndihmoja që sadopak shpenzimet e shtëpisë t’i mbulonim dhe po ashtu për mua ishte një eksperiencë e mirë. Kështu aty njoha shumë njerëz, të cilët u sollën mirë me mua dhe njëri nga ta që më bëri përshtypje ishte një djalosh gjerman, i cili sillej mjaft mirë me mua”, tha ajo.

E gënjente babanë

Pas një viti pune në këtë organizatë, ajo kishte mësuar shumë gjëra, mirëpo edhe kishte marrë një vendim, për të cilin vazhdon të tregojë. “Puna e asaj organizate zgjati një vit dhe pas një viti mbaroi. Kështu unë mbaja kontakte me shumicën e atyre që i njoha, sidomos me atë djaloshin gjerman dhe pas një kohe ai më tha se kinse më donte dhe dëshironte të martohej me mua e të më merrte me vete”, është shprehur ajo, duke shtuar se kur këtë gjë ia kishte treguar babait të saj ai ishte nervozuar mjaft shumë. “I tregova babait se ai djalosh dëshiron të martohet me mua dhe po ashtu edhe unë e dëshiroja një gjë të tillë, sepse më pëlqente mjaft shumë. Mirëpo, babai kur dëgjoi këtë u nervozua shumë dhe më tha se është kundër kësaj martese, ndonëse unë mundohesha t’ia sqaroja se kjo martese do të ishte edhe një shkas që familjen ta shpëtoj nga varfëria”, ka thënë T. G., duke ulur kokën. Pavarësisht se babai i saj nuk e kishte pranuar një gjë të tillë, ajo kishte vendosur ta bënte. “Babai më tha se nëse martohem me atë djalosh nuk do të më konsideronte më si fëmijë të tij, por unë mora vendim dhe u martova pra kur bëra 19 vjeç. Shkova në Gjermani me të dhe, edhe pse me babanë nuk flisja, me vëllezërit nuk i humba kontaktet dhe pasi shkova në Gjermani fillova të punoja në një restorant dhe iu dërgoja para vëllezërve”, ka theksuar ajo, duke shtuar se babai i saj nuk dinte për këtë gjë. “I thashë vëllait gënjeje babanë sikur je duke punuar në një kafene dhe paratë që t’i dërgoj t’i japin si pagë aty dhe ai ashtu bëri. Kështu ata i dolën të bënin shumë gjëra. Rregulluan shtëpinë, madje edhe vëllezërit u shkolluan dhe nuk u mungonte asgjë sikur më parë. Për këtë isha tejet e lumtur, edhe pse më rëndonte fakti që nuk flisja me babanë”, thotë ajo me lot në sy. Pas disa muajsh ajo kishte marrë nënshtetësinë gjermane dhe kështu punët ishin rregulluar.“Mora nënshtetësinë gjermane dhe fillova të shkoja në shkollë në Gjermani. Me djaloshin me të cilin u martova çdo gjë shkonte për mrekulli, isha tejet e lumtur dhe edhe ai punonte”, tregon ajo.

Një grua me fëmijë ia behu në derë

Mirëpo, jo çdoherë gjërat ecin në atë rrugë ashtu siç duam ne, edhe pse në fillim i ishte dukur sikur çdo gjë ishte në rregull, por ishte e kundërta.“Një javë pasi i bëra 20 vjet në shtëpinë ku jetoja me burrin erdhi një grua me një fëmijë. Unë nuk e njihja, mirëpo ajo më tregoi se ishte ish-gruaja e burrit tim, gjë për të cilën ai nuk më ka treguar. Ajo po ashtu më tha se ata edhe pse ishin ndarë qysh moti tani kishin filluar prapë të takohen dhe se burri im i kishte premtuar se do ta merrte të jetonte me ne dhe unë u shtanga kur dëgjova për këto gjëra”, ka thënë ajo, duke shtuar se kishte kërkuar një sqarim nga burri i saj.“Ai më tregoi çdo gjë, madje më tha se nuk i pengonte nëse të dyja jetojmë në të njëjtën shtëpi, por ai nuk më pyeti a më pengonte mua dhe unë menjëherë pasi dëgjova këtë gjë kërkova të ndahesha nga ai, por ai në fillim nuk dëshironte të ndahej nga unë. E nga insistimi im u ndamë, por kjo gjë e mllefosi atë shumë dhe insistoi e që të m’i prishte dokumentet gjermane dhe ndonëse unë u mundova të mos bëhej ashtu nuk ia dola dot, sepse ai kishte ndikim më shumë se unë”, ka thënë ajo, duke ndryshuar mimika e fytyrës. Kështu ajo ishte e detyruar të kthehej në Kosovë, sepse më nuk kishte nënshtetësinë gjermane, mirëpo ku të kthehej në Kosovë nuk e dinte.“U detyrova të kthehesha, por nuk e dija ku të kthehem, pasi që babai nuk fliste me mua. Vëllezërve iu tregova ata më thanë se do të bisedonin me babanë, por ai nuk kishte dashur të dëgjonte”, thotë ajo. (KOSOVA SOT)