Deputetja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me seancën e djeshme të Kuvendit, duke thënë se me dy vendime, parlamenti e nderoi UÇK’në, vetveten dhe shtetin.
Çitaku, ka thënë edhe se, sot, Kosova ka një ligj që mbron Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe një Presidente të re, Justina Pula-Shirokën, e cila, ka shtuar Çitaku, është një zonjë të dashur e të nderuar.
‘’ Kjo është një kthesë e rëndësishme, e shumëpritur dhe e nevojshme. Tani, angazhimi ynë duhet të vazhdojë me të gjitha kapacitetet e shtetit, në mbështetje të betejës për drejtësi në apel’’, ka shkruar mes tjerash ajo.
Postimi:
Mbrëmë, me dy vendime, Kuvendi i Kosovës nderoi UÇK-në, vetveten dhe shtetin.
Sot, Kosova ka një ligj që mbron Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe një Presidente të re, Justina Pula-Shirokën – një zonjë të dashur e të nderuar, me të cilën na lidhin shumë vite bashkëpunimi dhe miqësie.
Mbrëmë fitoi edhe zëri i qytetarëve. Zëri që nuk u ndal dhe që u bë obligim për institucionet.
UÇK-ja na bashkoi sërish. Le të na mbajë të bashkuar rreth historisë së lavdishme të vendit tonë, deri në drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
Kjo është një kthesë e rëndësishme, e shumëpritur dhe e nevojshme. Tani, angazhimi ynë duhet të vazhdojë me të gjitha kapacitetet e shtetit, në mbështetje të betejës për drejtësi në apel.
Kjo fitore e shtetit të Kosovës u dedikohet Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Një mesazh për ta: Kosova është pranë jush.
Urime, Kosovë! Me UÇK-në në zemër!
































