”Bombat” e Zaevit dhe kushtet e shqiptarëve për bashkëqeverisje!

E publikuar: 12/03/2015 14:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Faik KRASNIQI
”Bombat” e Zaevit, me rastin e përgjimeve të politikanëve të opozitës dhe pozitës, jo vetëm që kanë shkaktuar një ”tërmet” të madh në skenën politike të Maqedonisë, por njëkohësisht kanë nxjerrë në pah edhe fytyrën e vërtetë kriminale të një pushteti diktatorial si ky i Nikola Gruevskit! Nga e gjithë kjo do të dalin në shesh edhe me dhjetëra procese të montuara politike dhe etnike, nga pushteti kriminal i Gruevskit, por kam bindjen që do zbardhet edhe rasti ”Monstra”, ku padrejtësisht për vrasjen e 6 sllavomaqedonasve u dënuan disa shqiptarë!  Për rastin ”Monstra” prej fillimit ne analistët kemi shprehur dyshimet tona se e gjitha kjo është e montuar etnikisht dhe politikisht, nga pushteti i Gruevskit, për qëllime të tij politike! Por si duket këtyre padrejtësive më në fund po iu vije fundi! Pres që Nikola Gruevski dhe të gjithë përgjegjësit e këtyre pisllëqeve, të arrestohen dhe të japin llogari për këto gjëra!
Natyrisht që LSDM-ja do të mundohet të përfitojë me këto përgjime në kurriz të shqiptarëve, por shqiptarët duhet të tregohen vigjilentë në këtë rast! BDI-ja parti shqiptare në pushtet, duhet të dalë sa më parë nga ky koalicion me Nikola Gruevskin, të formohet një qeveri teknike mes shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve, dhe të bëhen përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme!  Në zgjedhjet e ardhshme, partitë shqiptare s’duhet të garojnë me më së shumë se dy parti, sepse duke garuar me nga 7-8 parti apo më shumë, vota e shqiptarëve po shpërndahet, dhe shqiptarët asnjëherë s’po arrijnë të marrin më shumë se 29 deputetë! Në rast se në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët garojnë me vetëm dy parti, dhe me nje dalje sa më masive në zgjedhje, shqiptarët kanë gjasa që të marrin mbi 40-45 deputetë! Pas këtyre skandaleve, LSDM-ja mund të dalë e para në zgedhje, dhe cilado parti shqiptare që do futet në koalicion me ta, por pse jo edhe dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH të jenë pjesë e Qeverisë, duhet të futen me kushte që janë në interes kombëtar të shqiptarëve, në atë koalicion qeverisës!
1) Marrëveshja e Ohrit të implementohet pikë për pikë!
2) Presidenti, Kryeministri apo Kryeparlamentari të jetë shqiptarë! Në tre nga këto pozita të rëndësishme shtetërore, një zëvendës të jetë shqiptar dhe një sllavomaqedonas!
3) Gjysma e pushtetit qeverisës të udhëhiqet nga shqiptarët!
4) 40% e administratës shtetërore të jenë shqiptarë!
5) Njëri nga drejtorët e Shërbimit Sekret të jetë shqiptarë!
6) Drejtori i përgjithshëm i Postave apo Doganave të Maqedonisë të jetë shqiptarë!
7) Komandanti i Ushtrisë apo Drejtori i përgjithshëm i Policisë të jetë shqiptarë!
8) Në ushtrinë dhe policinë e Maqedonisë si në hierarkinë e lartë, por edhe oficerët dhe ushtarët e policët, 40% të jenë shqiptarë!
9) Gjykatat dhe Prokuroritë të ndahen 60% me 40% mes sllavomaqedonasve dhe shqiptarëve, duke filluar nga kryetarët, gjykatësit, prokurorët dhe nënpunësit!
10) Në atë pozitë ku sllavomaqedonasi është udhëheqës, shqiptari të jetë zëvendës dhe anasjelltas!
11) Të bëhet prapë decentralizimi dhe ato lagje shqiptare të Shkupit që u bënë komuna, të kthehen prapë lagje të Shkupit, në mënyrë që kryeqyteti të jetë siç ka qenë para decentralizimit 50 % shqiptarë dhe 50% sllavomaqedonas! Kjo të vlejë edhe për Likovën në Kumanovë, Zajazin në Kërçovë etj!
Nëse partitë shqiptare nuk i kërkojnë këto të drejta përfaqësimi shtetëror dhe shumë të tjera që kanë të drejtë dhe duhet të kërkohen, s’kanë pse të futen në koalicione të panatyrshme me sllavomaqedonasit, ku shqiptarët nuk janë vendimmarrës dhe komb shtetformues!