Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prizrenit vizitë në Prokurori

E publikuar: 22/10/2018 16:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurorinë Themelore në Prizren, e kanë vizituar fëmijët nga Asambleja Komunale e Fëmijëve, e cila udhëhiqet nga OJQ “Nevo Koncepti” në Prizren.

Gjatë këtij takimi, Zëvendës Kryeprokurorja Arijana Shajkovci, ka njoftuar fëmijët për funksionimin dhe efikasitetin e Prokurorisë, e veçanërisht për funksionimin dhe organizimin e Departamenit për të Mitur.

Më tutje, Shajkovci prezantoi angazhimin e organit të Prokurorisë për trajtimin e veçantë që bëhet në rastet ku të përfshirë në vepra penale janë personat nën moshën 18 vjeç.

Pas prezantimit fillestar, vijoi diskutimi i hapur me fëmijët asambleistë. Njëra nga pikat për të cilën u interesuan më shumë fëmijët ishte, informimi me procedurën e raportimit të rasteve në institucionet e ndjekjes, kur fëmijët janë të dëmtuar/përfshirë në rastet e veprave penale.

Çështje të tjera që u diskutuan ishin edhe, liritë dhe të drejtat e fëmijëve, kohëzgjatja e dënimit më burg për të mitur, martesat e hershme dhe bashkëjetesa nën moshën 16 vjeçare etj.