Faza e fundit e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të përfundojë me amnistimin e krimeve të luftës.
Një gjë e tillë madje as nuk është diskutuar në Bruksel, kanë konfirmuar në Zyrën e Presidentit, raporton KTV.
Shefi i kabinetit të presidentit, Bekim Çollaku, tha se në bisedimet të cilat janë zhvilluar në mes të Prishtinës dhe Beogradit asnjëherë nuk është diskutuar çështja për amnistimin e krimeve të luftës.
Sipas tij, këto krime janë ligjërisht të sanksionueshme dhe kjo gjë nuk mund të ndodhë.
“Lidhur me çështjen e amnistisë, nuk mund të paragjykojmë asgjë, sepse nuk është diskutuar asnjëherë deri më tani. Mirëpo, në rast se do të diskutohet, atëherë secili që ka njohuri mesatare, është i vetëdijshëm se në asnjë rrethanë, nuk mund të ketë amnisti për krimet e luftës sepse këto krime janë të sanksionuara me ligjet e Kosovës dhe ligjet e së drejtës ndërkombëtare. Pra, nuk ka dhe nuk mund të këtë amnisti për krimet e luftës”, ka thënë Bekim Çollaku, shef i kabinetit në Zyrën e Presidentit.
Çollaku ka shtuar se faza e fundit e dialogut në fokus ka përpjekjet për të gjetur zgjidhje përfundimtare nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.
Avokati Tomë Gashi, ka thënë se amnistia për krimet e luftës do të hiqte bazamentin luftës së UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s kundër gjenocidit që është kryer ndaj popullatës civile në Kosovë .
Gjatë luftës së viteve 1998-99, mbetën të vrarë rreth 15 mijë persona nga forcat serbe, mbi 20 mijë gra u dhunuan, kurse të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1600 persona.