Nesër, më 9 shtator, do të vazhdojë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e cila është ndërprerë disa herë që nga 6 gushti. Seanca pritet të nisë në orën 11:00, ndërsa mbetet e paqartë nëse kësaj radhe do të arrihet përmbyllja e procesit.
Në seancën e radhës, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, hap ky i domosdoshëm për funksionalizimin e legjislaturës së re dhe për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë së re.
Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancë. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se deputetët e kësaj partie do të jenë të pranishëm, duke theksuar se Kosova duhet ta ketë Kuvendin e konstituuar.
Edhe LDK-ja ka vendosur të marrë pjesë. Deputetja Jehona Lushaku tha se grupi parlamentar do t’i kontribuojë konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar këtë proces të rëndësishëm për themelimin e institucioneve të reja.
Ndërkohë, Aleanca ende nuk ka bërë të ditur qëndrimin përfundimtar, ndërsa vendimi pritet të merret nga Kryesia e partisë.
Përveç konstituimit të Kuvendit, vëmendja është përqendruar edhe te zgjedhja e presidentit të ri. Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë arritur marrëveshje që kandidati për president të jetë diplomati dhe juristi Bekim Sejdiu, por gjashtë deputetë të LDK-së kanë kundërshtuar publikisht këtë kandidaturë.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e së paku 80 deputetëve në sallë. LVV ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18. Me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe, koalicioni aktualisht pretendon se mund të sigurojë 74 vota, duke mbetur nën numrin e nevojshëm për zhvillimin e votimit.
PDK-ja dhe Aleanca kanë përjashtuar deri tani mundësinë e bisedimeve me Kurtin për presidentin e ri.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit gjatë këtij muaji, Kosova mund të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ndërkohë, vendi vazhdon të ketë ushtruese të detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, e cila sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë funksion deri më 4 tetor.




























