Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas kthimit në Kuvend të Ligjit për Specialen.
Në një reagim për media, kjo organizatë ka thënë se po e përcjell me shqetësim debatin rreth plotësimeve dhe ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
OVL-UÇK ka thënë se ky ligj ka rëndësi të veçantë për luftën dhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ndaj të cilëve në shkallën e pare, sipas saj, është shqiptuar denim i papranueshëm, i padrejtë dhe krejtësisht politik.
“OVL UÇK, u bën thirrje të gjitha partive parlamentare që të mos bëjnë politikë me këtë ligj dhe të mos e përdorin atë për interesat e tyre partiake. Sipas ekspertëve juridikë që e mbështesin OVL-në e UÇK-së, ligji nuk ka asnjë pengesë juridike dhe miratimi i tij varet vetëm nga vullneti politik. Edhe përfshirja e çështjes së faljes për krime lufte po cilësohet gabimisht si antikushtetuese, sepse edhe ligji ekzistues për Dhomat e Specializuara, shprehimisht e rregullon çështjen e faljes dhe të zbutjes së dënimit, duke ia lënë këtë kompetencë direkt Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.”, thuhet në reagim.
OVL UÇK ka vlerësuar se tani kur shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë dëshmuar gatishmëri e vullnet të mirë për ta votuar këtë ligj, propozimet për dispozita të reja nuk duhet të shërbejnë si arsye për zvarritjen apo pengimin e procesit.
“OVL UÇK, u bën thirrje të gjitha partive politike që, në rast se ligji rikthehet në Kuvend, plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme të bëhen pa vonesa dhe të miratohen me procedurë të përshpejtuar. Në të kundërtën, OVL UÇK paralajmëron përshkallëzimin e veprimeve dhe protestave në mbrojtje të kërkesave të veteranëve dhe të luftës sonë çlirimtare.”, përfundon reagimi.
































