Ky objekt është ndërtuar nga mendësia e nga dora e Millosheviqit dhe e Arkanit. Pra është ndërtuar dhunshëm nga vet djalli dhe si i tillë nuk mund të jetë Shtëpi e Zotit, sepse është shtëpi e dhunës.
Jusuf Thaçi
Pavarësisht debatit të ashpër mes palëve në Kosovë në lidhje me objektin e dhunshëm që gjendet në truallin e Universitetit të Prishtinës, në zemër të Prishtinës, të gjitha palët (shqiptarët) pajtohen në një pikë. Të gjithë pajtohen se ai është një objekt që simbolizon dhunën, robërinë, sundimin, shfarosjen, fashizmin e shovinizmin serb ndaj shqiptarëve. Ai objekt, këmbë e kokë – simbolikisht e praktikisht, personifikon Millosheviqin dhe Arkanin, më çnjerëzorët e botës të shekullit XX, vrasësit masivë të shqiptarëve, por edhe të boshnjakëve e të kroatëve.
Nisur nga kjo, palët debatuese duhet të pajtohen edhe në një pikë: ai objekt nuk mund dhe nuk bën të quhet as kishë, as objekt kishtar, as objekt fetar, as objekt kulti, as objekt adhurimi, etj.. Po të ishte i tillë ky objekt, nuk do të kishim debat në Kosovë në lidhje me të dhe të ardhmen e tij. Ai thjesht është një objekt, i vendosur dhunshëm e padrejtësisht në truallin e universitetit nga pushtuesi, i papërfunduar, i cili deri më tani nuk ka pasur kurrfarë funksioni praktik (pavarësisht se pushtuesi e ka nisur për kishë). Dhe debati është pikërisht për këtë, çfarë duhet të bëhet me këtë objekt apo për çfarë funksioni duhet të shërbejë ky objekt. Të vazhdojë kështu siç ka qenë deri më tani, dihet se do të jetë e pamundshme, prandaj duhet zgjidhje përfundimtare.
Tani kemi tri palë debatuese që ofrojnë tri alternativa të ndryshme për fatin e këtij objekti, të cilat duhet shqyrtuar me vëmendje për të qenë në gjendje për t’u pozicionuar secili prej nesh.
1. Ruajtja e objektit si objekt simbolik e muzeor
Kjo alternativë konsideron se për shkak të historikut dhe simbolikës së këtij objekti, ky duhet të ruhet si objekt simbolik e muzeor (apo diçka e ngjashme), në mënyrë që gjeneratat e ardhshme ta kujtojnë atë periudhë dhune, robërie e terrori të serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ka disa probleme me këtë alternativë.
Së pari, ky objekt nuk është Kampi i Aushvicit, siç po duan ta portretizojnë disa, si argument se ai objekt duhet të ruhet si simbol i terrorit serb ndaj shqiptarëve. Në atë objekt nuk janë mbajtur të burgosur, nuk janë dhunuar, nuk janë vrarë e nuk janë masakruar njerëz. Kosova ka mjaft simbole të asaj periudhe, e ka Prekazin e Reçakun, i ka mbi 12 mijë të vrarë, të cilët kanë varreza e përmendore, ka shumë objekte ku janë vrarë e masakruar qindra shqiptarë, etj.. Për më tepër, pse duhet të kemi në zemër të Prishtinës një objekt që personifikon Millosheviqin e Arkanin, për ta kujtuar robërinë, në vend që ta kemi një vepër madhështore arti që personifikon Adem Jasharin e Ukshin Hotin, për ta respektuar lirinë?!
Së dyti, po u shndërrua ai objekt në çfarëdo tjetër, përveç kishë serbe, duhet ta dimë që, vazhdimisht e përjetësisht, propaganda serbe do ta përdorë këtë si armë të fuqishme propaganduese në nivel vendor e ndërkombëtar, për të dëshmuar se si gjoja shqiptarët i përdhosin kishat ortodokse serbe dhe se si gjoja shqiptarët duan t’i shfarosin serbët nga Kosova përmes mohimit të të drejtës për besim, etj.
Së treti, serbët nuk e kanë ndërtuar atë objekt për t’i shërbyer qëllimeve njerëzore të Kosovës, por për t’i shërbyer qëllimeve mizore të Serbisë. Serbët e kanë ndërtuar atë objekt për ta tjetërsuar identitetin etnik e kombëtar të Kosovës, jo për t’i shërbyer historisë shqiptare të Kosovës. Prandaj, ata që i besojnë kësaj alternative, të jenë të sigurt që politika serbe dhe kleri ortodoks serb nuk do të lejojnë kurrsesi që ky objekt të shërbejë për të dëshmuar krimet e tyre ndaj shqiptarëve. Edhe nëse serbët do të pajtoheshin me këtë alternativë, të jeni të sigurt që kjo do të jetë një lëvizje taktike e tyre, derisa të gjejnë një moment tjetër të përshtatshëm për ta shndërruar në kishë.
Prandaj, konsideroj që kjo alternativë nuk është e duhura, mund të ketë pasoja të këqija afatgjata dhe për më tepër nuk është as e mundshme, ose është e mundshme me sherr. Si e tillë, kjo alternativë duhet të hidhet poshtë dhe të mos promovohet.
2. Funksionalizimi i objektit si kishë ortodokse serbe
Kjo alternativë konsideron se do të ishte krejt normale dhe nuk do të kishte kurrfarë pasojash nëse ky objekt do të shndërrohej në objekt fetar, përkatësisht në kishë ortodokse serbe. Ka disa probleme me këtë alternativë, madje shumë të mëdha.
Së pari, në rrafshin simbolik, meqë pajtohemi që ai është objekt i padrejtë e i dhunshëm, i ndërtuar në pronën e universitetit nga Millosheviqi e Arkani me qëllim që të na poshtërojë, atëherë funksionalizimi i këtij objekti ashtu siç e ka planifikuar pushtuesi do të thotë që ne po e përligjim moralisht e politikisht misionin e qëllimin poshtërues e shfarosës të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Vetëposhtërim të këtij niveli nuk besoj që do të pranonte asnjë kafshë, lëre më qenia njerëzore!
Sy dyti, në rrafshin praktik, ky objekt, përveç hapësirës që zë vet, ka përvetësuar dhunshëm edhe rreth katër hektarë tokë të Universitetit të Prishtinës, që praktikisht zë një pjesë të madhe të hapësirës prej Fakultetit të Edukimit, kah Biblioteka Kombëtare, kah Rektorati, kah Fakulteti i Arteve e deri te Fakulteti Ekonomik e Fakulteti Juridik. Po u funksionalizua ky objekt si kishë ortodokse serbe, atëherë as studentët e as qytetarët nuk do të kenë mundësi që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë shumë të madhe, sepse kisha me siguri do ta rrethojë krejt këtë hapësirë me mure të larta e madje edhe me tela gjemborë, bile edhe do të kërkojë që Policia dhe KFOR-i ta ruajnë vazhdimisht. Kështu, kampusi i universitetit do të cungohet ndjeshëm e Prishtina do të shëmtohet shumë. Zemra e Prishtinës do të duket si zonë lufte diku në Lindje. Jo vetëm kaq! Serbët me siguri do të simulojnë ndonjë sulm ndaj kësaj kishe, të cilin mandej do ta përdorin si pretekst për ta zgjeruar edhe më shumë oborrin e kishës për nevoja sigurie dhe do të kërkojnë eksterritorialitet.
Këtu duhet përmendet se argumenti se po u funksionalizua kisha do të cenohet laiciteti i universitetit nuk është i qëndrueshëm. Po u funksionalizua kisha, ajo do ta pronësojë tokën e universitetit dhe ajo më nuk do të jetë në tokë të universitetit, por në tokën e vet. Pra, ajo nuk do ta cenojë laicitetin e universitetit, por pronën e universitetit, do ta cenojë vet universitetin.
Së treti, në rrafshin propagandistik, çdo medium e delegacion ndërkombëtar që viziton Kosovën do të shihte që zemra e Prishtinës, pra kryeqendra e Kosovës qenka serbe dhe se serbët qenkan të kërcënuar nga shqiptarët dhe iu dashka të jetojnë të rrethuar me mure të larta e me tela gjemborë dhe të mbrojtur nga policia e ushtria vazhdimisht e përjetësisht. Imazh më të keq e më të shëmtuar se kaq për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar nuk mund të ketë.
Ata që nuk i pengon që ky objekt i dhunshëm të funksionalizohet si kishë ortodokse serbe aty ku është, le ta ndërtojnë një të tillë në oborrin a në truallin e tyre personal, jo në truallin e universitetit, jo në zemër të Prishtinës, jo në kryeqytetin e Kosovës, jo aty ku përligjet përjetësisht moralisht, politikisht e historikisht dhuna e terrori serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Prandaj, konsideroj që kjo alternativë është shumë e rrezikshme dhe poshtëruese, zhvlerësuese e lirisë dhe përligjje e krimeve serbe ndaj shqiptarëve. Si e tillë, kjo alternativë duhet të hidhet poshtë dhe të mos pranohet me asnjë kusht e për asnjë çmim.
3. Rrënimi i tërësishëm i objektit
Kjo alternativë konsideron se ky objekt duhet rrënuar tërësisht, pikërisht duke u bazuar në argumentet e sipërpërmendura. Kjo alternativë ka dy probleme e shumë të mira.
Problemi i parë lidhet me mospajtimin e politikës e klerit serb dhe të disa qarqeve ndërkombëtare për rrënimin e objektit. Prej serbëve as nuk mund të pritet e as s’kemi pse presim pajtim për këtë çështje, s’mund të presim humanizëm nga dhunuesit. Ndërsa për ndërkombëtarët kemi mjaft fakte, dëshmi e argumente që edhe moralisht, edhe politikisht, edhe praktikisht edhe ligjërisht ai objekt i dhunshëm meriton të rrënohet.
Problemi i dytë ka të bëjë me propagandën serbe. Sigurisht që në rrafshin propagandistik serbët do ta përdorin edhe rrënimin e këtij objekti për të viktimizuar veten para botës dhe për të dëshmuar “terrorizmin shqiptar”, por kjo do të jetë e përkohshme, siç thonë dhe vet ata: “çudia më e madhe zgjatë tri ditë!”. Ata do ta vajtojnë gënjeshtrën, ne duhet ta këndojmë të vërtetën. Fundja, më mirë një fushatë propaganduese e madhe, por e shkurtër, se sa një fushatë propaganduese më e vogël, por e përjetshme (siç ishte rasti me dy alternativat e para).
Përfitimet nga rrënimi i këtij objekti të dhunshëm do të jenë të shumta e në shumë rrafshe. Simbolikisht, me rrënimin e këtij objekti do të rrënojmë misionin e qëllimin poshtërues e shfarosës të serbëve ndaj shqiptarëve, do të pamundësojmë përjetësimin e Millosheviqit e të Arkanit në zemër të Prishtinës, do të dëshmojmë që Serbia si pushtues ka qenë e përkohshme në Kosovë dhe gjurmët e dhunës serbe i përkasin të kaluarës, do ta provojmë që jemi të lirë që vendosim drejtësi e nuk hakmerremi, do ta çlirojmë universitetin të frymojë i qetë e i lirë, etj., etj.. Praktikisht, me rrënimin e këtij objekti nuk do të lejojmë që një objekt i dhunshëm e i jashtëligjshëm të uzurpojë një pjesë të madhe të truallit të universitetit më të madh publik, nuk do të lejojmë që lëvizja e lirë e studentëve dhe e qytetarëve të cenohen mu në qendër të Prishtinës, nuk do të lejojmë që dhunshëm e artificialisht Prishtina të serbizohet, nuk do të lejojmë që në qendër të kryeqytetit të Kosovës të ketë eksterritorialitet të Kishës Ortodokse Serbe, nuk do të lejojmë që zemra e Prishtinës të duket si vatër lufte para syve të gjithë botës, etj., etj..
Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha argumentet e sipërthëna, del që rrënimi i këtij objekti të dhunshëm nuk është veç një alternativë e mundshme, por është zgjidhja e vetme e këtij problemi!
Fundja, gjithë bota e di (atyre që nuk e dinë duhet t’u tregojmë) se ky objekt është ndërtuar nga mendësia e nga dora e Millosheviqit dhe e Arkanit. Pra është ndërtuar dhunshëm nga vet djalli dhe si i tillë nuk mund të jetë Shtëpi e Zotit, sepse është shtëpi e dhunës. Këtë e di edhe politika serbe, edhe kleri ortodoks serb edhe ne shqiptarët. Por, çuditërisht, veç serbët janë aq djallëzorë e veç shqiptarët aq naivë, sa simbolin e dhunës ta mbrojnë n’emër t’paqes, sa objektin e djallit ta mbrojnë n’emër t’Zotit!