Shkruan: Florim Zeqa
Gjatë këtyre viteve të fundit është bërë retorikë e liderëve shtetëror dhe partiak t’i quajnë “historike” të gjitha takimet, mbledhjet, inaugurimet, fjalimet, ngjarjet sportive, qoftë edhe një ndeshje miqësore futbolli, me qëllim që t’i ngritin lartë “vlerat” dhe të “arriturat” e tyre,…e krejtë kjo, për ngjalljen e vëmendjes së opinonit për gjëra më pak të rendësishme,…me qëllim të shpërqendrimit nga dështimet e tyre dhe problemet e shumta ditore.
Mirëpo, vizita e kryeministrit shqiptar, zotit Edi Rama në Beograd me 10 Nëntor 2014, vërtetë ishte e përmasave historike, jo për faktin pse ishte e para pas 68 vjetësh e një kryeministri shqiptar në Beograd,…por për paraqitjen e tij dinjitoze, fjalori me nuanca të larta patriotke, pa emocione dhe me gjakftohtësi,…e fitoi admirimin e të gjithë shqiptarëve, duke dëshmuar kështu edhe njëherë se kur janë në pyetje interesat kombëtare, për shqiptarët nuk ka limite as ndarje në baza partiake, ideologjike apo fetare.
“Kosova e pavarur, një realitet i pakthyeshëm…”, ishte leksioni politik që Edi Rama i dha shtetit serb dhe mesazh i fuqishem për të gjithë liderët shqiptar,…për guximin politik, përgjegjësinë dhe nivelin një burrështetasi të vërtetë.
Mirëpo për fat të keq kryeminstri shqiptar, shumë shpejt “harroj” se me vizitën historike, apo më mirë ta themi me fjalimin e tij historik në Beograd, ishte ngarkuar me përgjegjësi të larta shtetërore dhe kombëtare, të cilat do duhej të rezultonin me mbrojtjën dhe avancimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës,…me çka deklaratat e Edi Ramës jo vetëm që do të bëheshin më kuptimplote, do të reflektonin siguri dhe shpresë për jetë të shqiptarëve në trojet pushtuara.
Jo vetëm që nuk ndodhi ajo që pritej nga kryeministri shqiptar, ai e bëri të kundërtën, duke manipuluar me lojën e dyfisht me fjalë; në njërën anë duke u “shitur” patriotizëm shqiptarëve, ndërsa në tjetrën duke ua vënë thikën pas shpine me marrëveshjet e fshehta me krerët shtetëror të Serbisë.
Deklaratat plotë hipokrizi nën maskën e fjalorit “patriotk” të Edi Ramës në njërën anë dhe veprimet antikombëtare në tjetrën, kanë prodhuar efekte tejët negative për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe konsolidimin pavarësisë së Republikës së Kosovës, të cilat përveqse janë bërë cak i vazhdueshëm i politikës hegjemoniste të Serbisë, rrezikojnë integrimet kombëtare të shqiptarëve.
Ndërkaq në Kosovë, ende disa e konsiderojnë Edi Ramën si heroin e tyre për shkak të deklaratës në Beograd se; “Kosova e pavarur, një realitet i pakthyeshëm”.
Sikur deklarata e Ramës në Beograd të ishte e sinqertë, ai nuk do duhej të vazhdonte tutje me marrëveshjet e fshehta edhe perfide me qeverinë e Serbisë, pa u bërë realitet njohja e Kosovës nga ana e Beogradit dhe pa ndodhur kërkimfalja e Serbisë për krimet dhe gjenocidin shtetëror kundër shqiptarëve të Kosovës.
Marrëveshja e fundit e kryeministrit shqiptar Edi Rama me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç, për ndërtimin e vijës hekurudhore që përshkon territorin e Kosovës, duke anashkaluar institucionet qendrore të saj, përveqse injorim i ekzistencës së shtetit të Kosovës, është shpërfillje e një realiteti të pakthyeshëm politik.
Nuk ka dhe as nuk mund të ketë pajtim ndëretnik shqiptaro-serb, pa u dënuar kriminelët serb që kryen masakra ç’njerëzore ndaj popullatës civile shqiptare, sikurse që nuk mund të bëhet fjalë për normalizim të mardhënjeve ndërshtetërore, pa njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia, pa zbardhjen e fatit të 1700 shqiptarëve të zhdukur, pa ndodhur kërkimfalja dhe kompenzimi i dëmëve të luftës.
Trekëndëshi i ri politik; Beograd-Tiranë-Ankara me sponzorizimine Moskës zyrtare, ka për qëllim arritjen e dy objektivave strategjike antishqiptare; në njërën anë ndarjen dhe përçarjen e shqiptarëve, ndërsa në tjetrën zgjerimin e ndikimit pansllavist në Ballkan, përmes të ashtuquajturës “Zonë neutrale”, e cila për qëllim kryesor ka pengimin e ndikimit amerikan në shtetet e ballkanit jugpërendimor.
Marrëveshjet e Edi Ramës me Vuçiçin duke injoruar liderët shtetëror të Kosovës, përveqse formë e shantazhit politik, janë atak i drejtëpërdrejtë mbi sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Dakordimi i Ramës me Vuçiçin për projektin e vijes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Serbisë është i pamundur të realizohet pa kaluar nëpër territorin e Republikës së Koosvës,…edhe sikur të ishte kjo vijë ajërore, prap se prap paraqet shkelje të hapsirës ajërore dhe sovranitetit të shtetit.
Andaj, një sjellje kaq e papërgjegjshme e kryeministrit shqiptar, zotit Edi Rama, përveqse poshtëruese, është fyese për shqiptarët e Kosovës.
Kryeministri shqiptar (me qëllim) po harron se rruga për të shkuar në Beograd (dhe anasjelltas) kalon nëpër Prishtinë, e jo nëpër Ankara!