Florim Zeqa
Pushtetarët aktualë dekriminalizimin janë duke e përdoruar vetëm si slogan politik, për shtrirjen gjithnjë e më shumë të rrjetit kriminal në institucionet e pavarura të shtetit. Andaj, qytetarët e Kosovës e kanë të vështirë t’u besojnë deklarimeve të liderëve shtetërorë për dekriminalizimin e politikës, për disa arsye. I pari, Hashim Thaçi i kaloi dy mandate e gjysmë si kryeministër i vendit, nën premtimet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. I dyti, Isa Mustafa, edhe më keq, duke e ndihmuar të parin (Hashim Thaçin), erdhi në pushtet përmes intrigave dhe mashtrimeve deri në tradhtimin e kauzës së përbashkët opozitare për largimin e kapësve të shtetit nga pushteti.
Për këto arsye është rrezik që liderët shtetërorë të vazhdojnë lojën me fjalë, duke ndryshuar sloganin politik, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në dekriminalizim politik. Që dekriminalizimi të mos përdoret vetëm si slogan politik nga pushtetarët kosovarë, Evropa dhe Amerika duhet t’u vënë limite kohore liderëve tanë shtetërorë në përmbushjen e premtimeve,…ndryshe mund t’i kalojnë mandatet politike pa bërë asgjë në atë drejtim, siç ndodhi përgjatë këtyre tetë viteve të fundit me korrupsionin në vend. Jo vetëm që nuk u luftua, mori përmasa alarmante, duke u shndërruar në sindromë kancerogjene të shtetit të Kosovës, shkruan gazeta Kosova Sot.
Dekriminalizimi duhet të fillojë në Parlament
Prandaj, vetëm përmes një presioni të fuqishëm ndërkombëtar, mund të kemi përmirësime në sundimin e ligjit në Kosovë. Mund të fillojë suksesshëm procesi i gjatë i dekriminalizimit të politikës dhe depolitizimit të institucioneve të pavarura të shtetit. Dekriminalizimi i politikës dhe depolitizimi i institucioneve të pavarura, janë dy procese të ndërlidhura me njëri-tjetrin,…për zbulimin e prejardhjes dhe konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Të parët, që do duhej t’i ndiejnë efektet e dekriminalizimit janë oligarkët e pushtetit (uzurpatorët e shtetit), pastaj edhe klanet politike dhe grupet mafioze brenda disa partive opozitare në vend. Dekriminalizimi duhet të fillojë në Parlament, sepse nuk mund të zhvillohet shteti, kur kriminelet i bëjnë ligjet e atij shteti. Parlamenti i Republikës së Kosovës që moti e ka humbur funksionalitetin, qëllimin dhe misionin e tij, kështu i përgjysmuar, jo vetëm që nuk i ngjan më një parlamenti, është shndërruar në instrument të grupeve të interesit, për konsum të brendshëm politik.
Mungesa e reformave gjyqësore
Mungesa e reformave gjyqësore e ka bërë të pamundur dekriminalizimin e gjykatave, prokurorisë dhe segmenteve të tjera përcjellëse: policisë hetimore dhe shërbimeve të tjera të sigurisë në vend. Përderisa politika kriminale synon mbajtjen e pushtetit të dhunës përmes parasë, përmes korrupsionit dhe presionit mediatik, vështirë të priten rezultate pozitive në dekriminalizimin e politikës në veçanti dhe shoqërisë njerë- zore në përgjithësi. Pushtetarët kanë arritur t’i kriminalizojnë edhe një pjesë të medieve në Kosovë, me qëllim të promovimit të “vlerave” dhe manipulimit të vazhdueshëm të opinionit publik me të pavërteta rreth marrëveshjeve të Brukselit, Demarkacionit dhe zhvillimeve të tjera që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit tonë. Andaj, pa dekriminalizimin e medieve nuk mund të bëhet fjalë për dekriminalizim të shoqërisë dhe as të institucioneve të shtetit të Kosovës. Mediet nën kontrollin qeveritar janë produkt i një mendësie të bazuar në praktikat e regjimeve diktatoriale. Pushtetarët, me kontrollin ndaj medieve kanë krijuar aleatë të fuqishëm për shtrembërimin e realitetit, tjetërsimin e së vërtetës dhe paraqitjen e gënjeshtrës si të “vërtetë”! Se a kemi të bëjmë vërtet me presion ndërkombëtar për dekriminalizimin e politikës apo me farsë politike të liderëve tanë shtetërorë, mbetët të shihet në javët dhe muajt në vazhdim.