Mos ke turp nga kush s’ka turp

E publikuar: 12/06/2016 10:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe njëherë vijon Ymeri, në foltoren e Kuvendit. Kryetarin e Kuvendit e quajti kryekriminel. Kjo gjuhë e ky fjalor tejkalon fjalën e lirë dhe hyn në trajtimin e sistemit të drejtësisë.

Bahri Bivolaku

Qëllimi i jetës është të jesh dikushi, të përfaqësosh diçka, në mënyrë që jeta që jetuam të sjellë një ndryshim qoftë edhe të vogël në këtë botë, thotë mendimtari Leo Rosten. Jeta pa këtë qëllim vërtetë se ka kuptimin e ekzistencës. Gjendje e tillë është edhe në politikë. Të bërit politikë pa elementin e qëllimit është politikë boshe, është sikur nusja e mbushur me ari por në brendinë shpirtërore të saj nuk gjen asnjë element e virtyt njerëzor. Shpeshëherë për të arritur tek qëllimi i jetës, por dhe synimit në politikë, krahas lumturisë së dëshiruar nuk është të bëni atë që ju pëlqen, por të pëlqeni dhe bëni atë që duhet bërë për momentin kohor. Shmangia nga këto qëllime dhe virtyte të njerëzve me karakter, shpeshëherë për shumë të rinj mund të jenë dorëzim para të keqes. Një thënie e urë thotë: “Mos ki turp nga kush s’ka turp”. Ata, të turpëruarit, shpeshëherë arrijnë që me format e tjera t’i pengojnë të tjerët, për të arritur qëllimet e jetës por dhe të politikës. Është keq të ndalësh nga arsyet e pa arsye, se njeriun e virtytshëm dhe me karaker ngado që ta qosh, dalin po me ato virtyte. Sot, kur Kosova më shumë ka nevojën e njerëzve që nuk dorëzohen nga të turpëruarit për t’i penguar në realizimet e qëllimeve të jetës, atyre që e kuptojnë thënien se “Vepra njerëzore më e bukur është të jesh i dobishëm për të tjerët”. Nuk është mirë të prishet synimi nga arsyet që nxjerrin të turpëruarit. Duhet besuar në qëllimin, karakterin dhe virtytin e individit. Beso në vetveten, beso tek ky qëllim, beso në mendimin pozitiv për të qenë pjesë e ndryshimit dhe realizimit të qëllimit të jetës. Të tjerat janë pallavra të njerëzve pa qëllim dhe karakter.

Hipokrizia e Ymerit të Vetvendosjes
Deputetët e Lëvizjes Vetvendosje ishin kundër krijimit të Gjykatës Speciale, gjersa vazhdojnë me akuza drejtuar kundërshtarëve politikë, e veçanarisht, drejtuesve të luftës së UÇK-së.
Vërtetë kjo e bën hipokrizinë politike të një subjekti. Gjuha e tyre tërësisht e zezë edhe atëherë kur bëhen veprime politike të duhura për vendin, e bëjnë politikën e tyre të pa qëllim dhe të pa dobi. Të quhet kryetari i Kuvendit kryekriminel, edhe atëherë kur prin me mbështetje të sistemit të drejtësisë, në luftën kundër krimit e korrupsionit, është hipokrizi e llojit të vet dhe si e tillë s’ka të bëjë fare me veprimin politik. Është mjerim i politikës. Dallimet e liderit të Lëvizjes Vetvendosjes në foltore të Kuvendit nuk janë aspak politike, ato janë të sferës së drejtësisë për t’u trajtuar.
Ta quash dikë kryekriminel, ose duhet pasur fakte të mëdha, ose guxim të tepruar dhe kjo gjithsesi duhet të argumentohet ndryshe-akuzuesi duhet të përfundojë në burg për shpifje. Kështu është në vende demokratike. Zoti Ymeri, a e din se me deklarimet e tilla, po lëndoni së pari familjen e kryetarit Veseli, fëmijet e tij dhe qindra mijëra anëtarë e simpatizantë të një partie që mendojnë ndryshe nga ju?