Armand Shkullaku
Edi Rama nuk është i shqetësuar se thirrja e Berishës do të armatosë qytetarët, por është në alarm që këta të fundit po e shohin çdo ditë të çarmatosur përballë krimit të organizuar. Dhe nuk zgjedh të përballet me këtë situatë të rëndë, por zgjedh ta mbulojë atë, duke u rënë sirenave të një alarmi të rremë
Propozimi i Sali Berishës për të armatosur qytetarët shqiptarë, vazhdon ende të mbledhë nën armë Partinë Socialiste, qeverinë, aksesorët e tyre mediatikë dhe propagandistikë, për të ngritur një furtunë të vërtetë në gotën që vetë Berisha ua serviri. Po kërkohet hetimi, dënimi, përjashtimi, kallëzimi, demaskimi, shpartallimi i ish-kryeministrit si luftënxitës, që po bën thirrje antikushtetuese. Po cilësohet fashist e hitlerian dhe po i kërkohet prokurorisë të veprojë.
Në këtë ortek që shpërtheu nga vetë krisma e Berishës, nuk mungojnë as ata që i bëjnë thirrje edhe PD-së të distancohet nga ish-lideri i saj. Taulant Balla ia kërkoi këtë zyrtarisht Lulzim Bashës dhe mediat e kontrolluara nga pushteti e përsëritën dhe e përsërisin vazhdimisht idenë se demokratët duhet të mbajnë qëndrim ndaj skandalit të Berishës.
Kryeministri Rama, në dalje të zakonta e të pazakonta live, kryesia e PS, sekretarët e rinj e të vjetër dhe zërat mediatikë që u bëjnë jehonë atyre, jo vetëm dënuan thirrjen e Berishës, por në emër të ligjit e moralit politik i kërkuan pjesës tjetër të opozitës të distancohej nga lideri i tyre historik.
Do të ishin në të drejtën e tyre jo vetëm ta denonconin propozimin e Berishës, por edhe të kërkonin një qëndrim moral e politik të pjesës tjetër të PD-së, nëse vërtet do ta mendonin atë si një skandal. Por si PS-së, ashtu dhe mediave të saj, nuk u intereson në thelb thirrja e Berishës, por zhurma e ngritur prej saj. Apeli për distancim dhe dënim është hipokrizi e pastër politike dhe jo një qëndrim që provokohet në emër të interesit apo shqetësimit qytetar. Mjafton për këtë të shihet se si ky qëndrim i zjarrtë vjen duke u tredhur kur i afrohet LSI-së.
Ilir Meta, lideri tjetër i mazhorancës dhe kreu i Kuvendit, nuk mori pjesë në mbledhjen e Byrosë që vendosi përjashtimin e Sali Berishës. LSI deri më sot nuk ka thënë asnjë fjalë për “skandalin e armatosjes” dhe ka treguar hapur se nuk ka të njëjtin hall si PS dhe pjesa tjetër e qeverisë, për ta përjetuar ngjarjen në fjalë si një tragjedi kombëtare. Indiferenca e LSI kontraston fort me alarmin e Edi Ramës dhe aksesorëve të tij, duke nxjerrë zbuluar armatosjen e tyre për të çarmatosur Sali Berishën.
Këta të fundit, Edi Rama dhe mediat e tij, nuk thanë asnjë fjalë për Ilir Metën dhe LSI-në. Nuk u bëri asnjë përshtypje dhe nuk kërkuan ndonjë qëndrim prej partnerit të mazhorancës. Ata që i bënë thirrje PD-së për distancim nga Berisha, nuk guxuan t’ia përmendin LSI-së pajtimin në heshtje me ish-kryeministrin. Madje pati komente që shkëlqyen si diamante në pellgun e interesave, që këtë qëndrim të Metës e shihnin si një lëvizje tepër inteligjente për ta mbajtur mirë me të dyja palët.
Standardi i dyfishtë i Ramës dhe mekanizmit të tij propagandistik, që doli zbuluar për shkak të LSI-së, dëshmon se diabolizmi për ta përdorur thirrjen e Berishës, ishte e vërteta që fshihej pas gjoja shqetësimit për të. Se vala e mallkimeve dhe predikimeve ishte kurdisur për të fashitur një tjetër debat, në të cilin Sali Berisha ka qenë denoncuesi kryesor. Atë të lidhjeve të segmenteve të qeverisë, policisë dhe zyrtarëve të tjerë të rëndësishëm me krimin e organizuar. Një debat që u rindez me arrestimin e Shullazit dhe që po shpresohet të mënjanohet me metodën e vjetër, atë të denoncimit të Sali Berishës.
Mirëpo këtë herë, mediat pranë Ramës ka qëlluar të jenë ngjitur edhe me Ilir Metën, dhe skandalizimi me PD që nuk distancohet me Berishën, ndërkohë që pranohet si normalitet LSI që nuk del kundër Doktorit, e çarmatos keq betejën e madhe kundër armëve. Edi Rama nuk është i shqetësuar se thirrja e Berishës do të armatosë qytetarët, por është në alarm që këta të fundit po e shohin çdo ditë të çarmatosur përballë krimit të organizuar. Dhe nuk zgjedh të përballet me këtë situatë të rëndë, por zgjedh ta mbulojë atë, duke u rënë sirenave të një alarmi të rremë.
/Mapo.al/