Një rojtar i lokalit në pronësi të valltares Donjeta Kasumi- Kallashi rrëfen për sulmin e sotëm.
Uran Badallaj, një nga rojat e valltares Donjeta Kasumi- Kallashi, në një bisedë ekskluzive për KALLXO.com ka rrëfyer për sulmin dhe djegien e lokalit “Kobra City” sot në orët e hershme të mëngjesit.
“Rreth orës 4 të mëngjesit dy vetë të maskuar e të armatosur kanë hy në lokal dhe na kanë sulmuar me kondakë të revoleve”, rrëfen Badallaj.
Pas rrahjes Badallaj tregon se është lidhur nga sulmuesit të cilët të lidhur e kanë nxjerrë jashtë objektit.
“Kur kemi dalë jashtë kemi pa se jashtë kanë qenë rreth 20 vetë të armatosur me kallashë”, rrëfen ai.
Rrahja kishte vazhduar edhe jashtë ku Badallaj thotë se u rrah me kondak të automatikut dhe shkopinj druri.
“Masi ma kanë hupë vetëdijen më kanë pre me thikë”, thotë Badallaj.
I përgjakur Badallaj kishte parë sulmuesit tek e digjni lokalin me benzinë.
“E kanë pas një kantë të bardhë dhe me të e kanë djegë lokalin”, thotë ai.
Rojtari i lokalit thotë se nuk ka arritur ta identifikojë se kush ishin sulmuesit ndërsa ka një përgjigje interesante kur pyetet a i ka njohur
“Me e ditë, ata nuk ekzistojnë”, thotë ai.
Sot në mëngjes, policia njoftoi se sulmues të panjohur kishin sulmuar punëtorë të “Kobra City” dhe i kishin vënë flakën lokalit.
Sulmuesit, sipas policisë, pasi i kanë rrahur menaxherët dhe punëtorët e lokalit i kanë lidhur me zinxhirë e më pas i kanë vënë flakën lokalit.
Punëtorët e ‘Kobra City’ lokalit në pronësi të valltares Donjeta Kasumi disa herë janë përballur me ligjin përfshirë rrahje masive në Prizren.
Lokali për herën e fundit ishte bastisur nga policia në shtator të vitit të kaluar ndërsa eprorë të policisë e kishin quajtur këtë lokal si problematik për Prizrenin.