Ish kampioni botëror i thaiboksit Valdet Gashi, përfundimisht është ekzekutuar nga ISIS-i. Kjo thuhet nga informacione që ka siguruar gazeta gjermane “Die Welt”. Deri tash ishte e paqartë se në çfarë rrethanash ka ndodhur vrasja e shqiptarit që kishte shkuar në Siri të luftonte për xhihadin.
Sipas gazetës, Valdet Gashit kishin filluar t`i lindnin dyshime rreth kursit të Shtetit Islamik (ISIS-it). Ai madje me dilemat e tij i ishte drejtuar politikanit nga FDP Tobias Huch nga landi Rheinland-Pfalz. Ai e kishte kontaktuar politikanin në fjalë përmes facebook-ut dhe kjo i ishte hakmarrë, gjegjësisht u ka rënë në vesh atyre të ISIS-it.
Ai, siç merr vesh më tutje gazeta, kishte pasur plan të blinte lirinë e skllevërve nga ISIS-i dhe për këtë i kishte kërkuar para politikanit Huch. Ky i fundit, nga ana e tij e kishte sinjalizuar mbështetjen, siç shihet nga protokolli i korrespondencës së tij me Gashin në chat.
Dy ditë pasi që Gashi e ka njoftuar politikanin Huch për mundësinë e lirimit të jezidëve të kidnapuar dhe kontrabandimit të tre jashtë territorit të ISIS-it, është raportuar për vrasjen e Gashit. Huch por edhe organizata siriane, opozitare mbikëqyrëse e të drejtave të njeriut me seli në Londër konsideron se Gashi është ekzekutuar nga ISIS-i. Kjo pasi që udhëheqja e ISIS-it e bën përgjimin e komunikimit të xhihadistëve të ardhur nga jashtë, ndaj të cilëve ka shpesh dyshime.