Vjosa Osmani: Me zgjedhjen e Thaçit president u dëmtua LDK-ja

E publikuar: 30/03/2016 01:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se njerëz brenda kësaj partie kanë nisur një fushatë gënjeshtrash e propagande ndaj saj.

Ajo në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka folur për zgjedhjen e Thaçit President, mungesën e saj në seancë dhe akuzat që Isa Mustafa ia ka drejtuar për këtë. Ka thënë se Mustafa ka bërë gafë diplomatike ndaj një shteti mik, siç është Australia, kur tha se ‘disa kanë shkuar që të marrin udhëzime në çadrat e verës australiane’.

“Vullneti i vërtetë i deputetëve të LDK-së është votimi në raundin e parë. Se çka ka ndodh pastaj dhe rrethanat i sqarojnë ata deputetë sepse unë nuk kam qenë aty. Unë mendoj se ne që nuk ishim në seancë, kemi vepruar drejt dhe mund të dalim ballëhapur mund të dalim para tyre”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se me zgjedhjen e Thaçit është dëmtuar LDK-ja dhe kjo do të tregohet edhe në zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen ato, duke shtuar se vetë koalicioni me PDK-në është bërë për ‘interesa puro klanore të LDK-së’.

Me propagandën që njerëzit e afërt me Isa Mustafën e kanë nisur ndaj saj, ka thënë se mendojnë se mund ta arsyetojnë dështimin e tyre dhe vendimet e gabuara.

“As në filma nuk mund t’i dëgjoni ato gënjeshtra, se Vjosa është stërvitur qysh në moshën 3 vjeçare nga agjent të shërbimeve sekrete, se Vjosa është shkolluar nga Qeveria e Kosovës, që nuk është absolutisht e vërtetë sepse unë kam fituar bursë nga SHBA-ja apo propagandë të tmerrshme që ka të bëjë me familjen time”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se është duke mbledhur fakte dhe kur të marrë miratimin e atyre njerëzve brenda LDK që po u dërgohen këto mesazhe, do t’i bëjë publike dhe do të ndërmarrë hapat ligjor për to.