KDI thotë se MSh-ja blen paracetamol shumëfish më të shtrenjtë sesa që shitet në Kosovë

E publikuar: 26/07/2022 15:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë (MSh), përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), ka kontraktuar blerjen e produktit Paracetamol 1 gram për injeksion me çmimin prej 3.80 cent për njësi.

Ky produkt në barnatoret e Kosovës shitet një çmim rreth 1.00 euro për njësi.

Kështu është bërë e ditur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të cilët thonë se MSh-ja ka paguar rreth 280 për qind më shtrenjtë për produktin paracetamol.

“KDI në vazhdimësi është duke shpërfaqur shqetësime lidhur me blerjen e medikamenteve nga UNOPS me çmime shumë të larta, si dhe i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të kërkojë llogari nga UNOPS për këto çmime të cilat përfundimisht i paguan qytetari i Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

KDI tutje i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës, Komisionit për Shëndetësi dhe Komisionit për menaxhimin e financave publike që të mbajnë në llogaridhënie MSh-në për shpenzimet siç thuhet enorme, të bëra përmes kontratës me UNOPS-in për blerjet e produkteve medicinale.

“Po ashtu, kërkojmë nga Zyra Kombëtare e Auditimit, të bëjë një auditim urgjent të performancës së kësaj kontrate ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNOPS-it”, thuhet tutje.