Trajneri i Dritës, Nuhiu: I lumtur me fitoren në debutim, futbollistë e merituan

E publikuar: 16/02/2019 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur pas fitores së ekipit të tij në derbin e madh lokal ndaj Gjilanit.

Drita e ka nisur stinorin pranveror me fitore 3-1 ndaj rivalit të urryer lokal, Gjilanit, dhe kjo fitore e ka kënaqur shumë trajnerin e ri Nuhiu.

Nuhiu ka thënë pas ndeshjes se kjo fitore ishte e merituar dhe se në të ka gisht edhe trajneri i dorëhequr, Shpëtim Duro.

“Jam shumë i lumtur për këtë fitore, por më tepër jam i lumtur për futbollistët, pasi që ata e kanë merituar një fitore të tillë. Është punë e përbashkët me profesor Duron”, ka thënë fillimisht Nuhiu pas ndeshjes.

“Dua t’i falënderoj drejtuesit e klubit për besimin. Kemi bërë një ndeshje të mirë, me ç’rast krijuam shumë raste dhe me meritë e fituam ndeshjen”.

“Ndoshta se kam qenë vetë sulmues si futbollist, ndaj edhe kërkoj lojë sulmuese”.

“Këta futbollistë dinë të luajnë futboll sulmues dhe ne do të nxjerrim më të mirën nga ta”.

“Futbolli do vazhdimësi dhe ne do marrim ndeshjet me radhë. Do mundohemi që të mbajmë ekipin sa më lartë dhe të përgatitemi për edicionin e ri”, përfundoi trajneri i Dritës. /Telegrafi/