Njerëzit inteligjentë nuk janë kurrë të lumtur

E publikuar: 22/12/2016 18:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

A keni vënë re se disa nga personat më inteligjentë dhe që mendojnë më thellë, nuk arrijnë të jenë të lumtur? Ata mund të kenë një partnere të dashur apo familje të këndshme, dhe të jenë të suksesshëm në punën e tyre; e megjithatë, ka diçka që herë pas here i bën të ndihen të vetmuar, të trishtuar dhe të dekurajuar.

Siç ka thënë dikur Ernest Heminguej: “Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që unë njoh”. Më poshtë po rendisim gjashtë arsye të mundshme, pse lumturia tek njerëzit shumë të zgjuar është një fenomen i rrallë:

1. Njerëzit inteligjentë analizojnë me tepri gjithçka

Shumë njerëz me një koeficient të lartë inteligjence, priren të jenë tejet reflektivë, duke analizuar vazhdimisht gjithçka që ndodh në jetën e tyre dhe më gjerë. Kjo mund të jetë e dëmshme kohë pas kohe, veçanërisht kur proceset tuaja të të menduarit ju çojnë në përfundime të padëshirueshme. A keni dëgjuar thënien ”Injoranca është lumturi”? Me siguri që është sa më pak kuptoni, aq më të shkujdesur jeni, dhe për këtë arsye më të lumtur. Të qënit në gjendje për të lexuar mendjen e njerëzve dhe motivet e fshehta të tyre, është i mjaftueshëm që ndonjëherë të ndjeheni të zhgënjyer me të gjithë botën. Për të mos përmendur ndjenjat që shkaktohen nga reflektimi mbi çështjet filozofike, globale dhe dilemat e përjetshme të jetës, të cilat nuk kanë zgjidhje.

2. Inteligjentët kanë standarde të larta

Njerëzit e zgjuar e dinë çfarë duan, ndaj dhe nuk kënaqen me më pak se aq sa synojnë, pa marrë parasysh për cilën fushë të jetës po flasim. Kjo do të thotë se për ta është më e vështirë të jenë të lumtur me arritjet, marrëdhëniet e tyre dhe çdo gjë që ka një vend në jetën e tyre. Për më tepër, shumë njerëz me mendje të shkëlqyera teorike, ndodh të kenë një inteligjencë të dobët praktike dhe pikëpamje disi idealiste mbi botën. Pra, kur pritshmëritë e tyre përballen me realitetin e ashpër të jetës dhe njerëzit e tjerë, kjo në mënyrë të pashmangshme i çon ata drejt zhgënjimit.

3. Njerëzit inteligjentë janë shumë të ashpër me vetveten

Një tjetër arsye pse njerëzit e zgjuar nuk arrijnë të jenë të lumtur, është se ata kanë prirjen të jenë shumë të rreptë me veten e tyre. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për arritjet dhe dështimet e dikujt. Inteligjentët dhe individët shumë reflektivë, e analizojnë shpesh veten dhe sjelljen e tyre në një mënyrë kaq rigoroze, a thua se qëllimisht kërkojnë elementë për të fajësuar veten. Ndonjëherë, mund të qëndroni vetëm në shtratin tuaj në përpjekje për të fjetur gjumë, dhe papritmas ju kujtohet një situatë (e cila ndoshta ka ndodhur vjet, ose të paktën, muaj më parë) kur nuk patët vepruar në mënyrën si duhej të kishit vepruar. Kaq mjafton që të prishni gjumin dhe gjendjen tuaj shpirtërore. Njerëzit e zgjuar e përjetojnë shpesh një lloj të tillë parafytyrimi të gabimeve të tyre të fundit. E gjitha kjo kultivon fajin, pakënaqësinë dhe emocione të tjera negative që mund të helmojnë lumturinë e dikujt.

4. Realiteti nuk mjafton

Njerëzit me koeficient të lartë inteligjence, nuk rreshtin kurrë së kërkuari për diçka më të madhe – një model, kuptim, qëllim. Ata më reflektivët dhe ëndërrimtarët nuk do ndalen me kaq – mendja e tyre e shqetësuar dhe imagjinata, nuk i lë të relaksohen dhe gëzojnë “gjërat e mira të jetës”. Realiteti është thjesht tepër i mërzitshëm për ta. Njerëz të tillë vdesin për diçka fantastike, idealiste, të përjetshme… dhe natyrisht nuk e gjejnë këtë në botën reale. A jeni ndjerë ndonjëherë se nuk i përkisni kësaj kohe, dhe se duhej të kishit jetuar në një epokë të ndryshme, apo ndoshta edhe në një planet tjetër? Njerëzit shumë reflektivë dhe inteligjentë ndihen vazhdimisht në këtë mënyrë. Si mund të jeni i lumtur, kur ndjeheni si një i huaj në botën ku jetoni?

5. Mungesa e komunikimit dhe të kuptuarit e thellë

Të qënit i kuptuar vërtet nga dikush, është një nga përvojat më madhështore që mund të ketë një qenie njerëzore. Sa ngushëlluese është të uleni me një person të ngjashëm nga pikëpamja e ideve diku në një vend të qetë, dhe të bëni një bisedë kuptimplotë, duke e ndjerë se ai i kupton idetë dhe pikëpamjet tuaja mbi botën… Mjerisht, njerëzit e zgjuar e kanë rrallë këtë kënaqësi. Shumica e tyre ndihen të vetmuar dhe të keqkuptuar, sikur askush nuk është në gjendje të shohë dhe të vlerësojë thellësinë e mendjeve të tyre. Tashmë është konfirmuar edhe shkencërisht, se që të jenë të lumtur, individët inteligjentë kanë nevojë për më pak socializim, sesa ata me nivele mesatare të inteligjencës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se njerëzit e zgjuar nuk e duan ndërveprimin njerëzor dhe një bisedë të mirë. Ata thjesht preferojnë të flasin për gjëra interesante dhe kuptimplota, në vend se të diskutojnë mbi ushqimin, motin dhe planet që dikush ka për fundjavë. S’ka nevojë të theksohet se në ditët e sotme, është veçanërisht e vështirë të gjesh një person për të patur një bisedë të thelluar me të. Dhe kjo falë shoqërisë së sotme konsumatore dhe materialiste.

6. Shumë njerëz me inteligjencë të lartë vuajnë nga probleme psikologjike

Ka pasur shumë studime që lidhin çrregullimet psikiatrike si ankthi social dhe bipolarizmi, me koeficientin e lartë të inteligjencës. A mund të jenë këto kushte, një lloj efekti anësor i një gjeniu krijues dhe një mendjeje brilante? Kush e di, shkenca po përpiqet ende të zbulojë misteret e mendjes njerëzore. Në të njëjtën kohë, njerëzit inteligjentë që nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje mendore, janë ende të prirur për t’u prekur nga i ashtuquajturi depresioni ekzistencial, i cili është shpesh rezultat i të menduarit të tepruar. Nëse jeni duke menduar gjatë gjithë kohës dhe analizuar gjithçka në thellësi, në një moment filloni të reflektoni mbi jetën, vdekjen dhe kuptimin e ekzistencës. Ndonjëherë, kjo është e mjaftueshme të bëni një rivlerësim të jetës tuaj, dhe për rrjedhojë të trishtoheni pa asnjë arsye të dukshme. /Express